Pas grabitjes spektakolare të parave më 9 prill 2019 në pistën e aeroportit të Rinasit, Talo Çela u shpall në kërkim si pjesë e kësaj bande.
Sot ai rezulton të jetë i vetmi person në kërkim për këtë grabitje. Madje për arrestimin e tij policia ka ofruar 10 mijë Euro shpërblim.
Por sa i pasur është njeriu më i kërkuar për momentin në Shqipëri? 49-vjeçari Çela është rrëfyer nga arratia për emisionin “Uniko”.
Profesioni juaj cili është? Me çfarë merreshit para se të shpalleshit në kërkim?
Unë kam qenë në punë te Olta sh.p.k., te nusja e një shokut tim, kam punuar për ca muaj aty, më hoqën nga puna. Pastaj kam qenë te kafja ime, që kam një kafe-lavazh me vëllain që e kemi përgjysmë. Kemi futur letrat për legalizim, nuk është as lokal jo. Kish një tokë gjyshi, e kam zaptuar si tokë trashëgimie. Vëllai ka marrë kredi edhe me profile hekuri e kemi bërë.
OFL ju ka sjellë letër në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Cila është pasuria juaj?
Unë kam bërë katin e parë në ’93. Në ’97 babai shiti shtëpinë e vjetër edhe një robi im i bleu shtëpitë e vjetra i ka mbajtur 4-5 vjet, por ato u shembën fare si shtëpi. E shiti baba 7 milionë Lekë. Nga këto lekë që patëm mbledhur neve bëmë katin e 2. Kati i 3 është kot, fals. Kati i 1, është nga ’93 edhe deri më sot që ne po flasim, nuk është hapur kurrë, s’kam pasur kurrë lekë ta hap katin e 1.
Keni qenë emigrant?
Kemi qenë si gjithë të tjerët me punë të vogla.
Por cila është pasuria juaj?
Atë kam pasuri unë, shtëpinë. Shiti baba shtëpinë, bëmë një shtëpi këtu.
Z.Çela, akuzoheni se jeni i përfshirë në 12 milionë euro grabitje.
Kur thua 12 milionë Euro, ku janë lekët…
49-vjeçari nga Bradasheshi ndërkohë mohon që të ketë qenë i përfshirë në vrasjen e trefishtë të ndodhur në Elbasan në Dhjetor 2018, ku u ekzekutuan Endrit Alibeaj, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay. Talo Çela thotë se njeh njërin prej vëllezërve të të ndjerit Alibeaj.
Ai pranon se për këtë ngjarje u thirr në polici në atë kohë për t’u marrë në pyetje dhe më pas u la i lirë. Dyshimet kanë qenë se Talo Çela ishte paguar nga një grup kriminal për të kryer këtë vrasje, por ai e mohon këtë fakt duke thënë se “është pabuks”.
Më 29 Dhjetor 2018 në Bradashesh kanë mbetur të vrarë Endrit Alibeaj, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk Erdal Duranay. Ngjarja ka ndodhur pak metra larg shtëpisë tuaj. I njihni ju këta persona?
Unë i njoh kshu nga larg. Një nga vëllezërit e këtyre i njoh në distancë, nuk kam pasur kurrë muhabet.
Çfarë ju lidh ju me këtë vrasje?
Asgjë!
Ka akuza indirekte dhe direkte ndaj jush si i përfshirë.
Përsa i përket kësaj vrasjes, pse qenka vrarë afër shtëpisë time dhe duhet të akuzohem unë? Për këtë jam akuzuar? Unë jam thirrur për këtë vrasje, më kanë marrë brenda krimet e rënda. Më kanë ardh, më kanë marrë.
Më 29 Dhjetor ju s’keni qenë në kërkim apo jo?
Jo mo s’kam qenë në kërkim. Mua më kanë marrë 1 javë mbrapa. Më morën brenda, më pyetën ku ishe? Në shtëpi i thashë isha. Kështu ndodhi mbrëmë më thanë. Po pse s’erdhët direkt te shtëpia ime ju? A ndodhi këtu? Po të vinit direkt nëse dyshonit, kishit ardh direkt te shtëpia ime. Po s’qeshë në shtëpi unë, më fut në kërkim.
A ka nisur hetim ndaj jush për këtë ngjarje?
Nuk e di, unë jam paraqitur për këtë punë.
Jeni arrestuar/ndaluar për këtë ngjarje?
Erdhi më mori furgoni?
Sa qëndrove në polici?
Më mbajti 4-5 orë e më nxorrën.
Jo më shumë? Nuk jeni arrestuar?
Jo. Dhe kur mora vesh kush ishin se nuk e dija si kishte ndodhur ngjarja, isha duke bërë kartën e identitetit në Elbasan dhe aty takoj një dajën e këtyre, e këtij djalit Alibeajt, që e quajnë Doni por emrin e ka Qani. E takove, çkemi i dhashë dorën. Nipi jot kishte qenë i thashë? Po, tha. Po më morën dhe mua për atë punë i thashë. Ky s’foli fare pastaj, iku.
Nuk të dha shpjegim?
Jo! Unë i dhashë dorën, e takova atë. Po ç’punë kam unë me ata. Unë nuk jam hasëm me ata.
Këtu thotë që ju jeni përfshirë në këtë vrasje me pagesë.
Pagesë nga kush?
Nga një grup tjetër.
Po kush është ai? Po ku i njoh unë ata të tjerët? Kush janë ata të tjerët?
Tani këtë grup duhet ta dini ju.
Po nuk kam lidhje fare unë. Unë jam pabuks, ç’punë kam unë. Unë s’kam edhe lekët e atyre.
A jeni i përfshirë ju më 1 Korrik 2019 në Papër në aksin Peqin-Elbasan është vrarë në atentat 24-vjeçari Klevis Baho dhe ka mbetur i plagosur vëllai i vetë Sandër Baho?
Atë Sandrin e njoh. Vëllain nuk e njoh.
Si e njihni?
E njoh thjesht si fshatar. Ka ndaluar te kafja ime, ka pirë birra. Unë e njoh kush është.
Çfarë ju lidh ju me këtë vrasje?
Kur ka ndaluar tek unë nuk ka pas ndodh historia që ka ndodh në Itali, nuk e di ku ka pasur problemet e veta ky. Asgjë s’më lidh me atë.
A jeni i përfshirë ju në këtë vrasje?
Fare, po pse duhet..Ç’a lidhje kam unë me atë njëherë. Nuk e kuptoj.
Edhe këtu dyshohet që të jeni porositur nga një grup tjetër.
Po unë?
Po ju.
Ç’punë kam unë me atë.
Më 13 Dhjetor 2019 vritet Andi Zylyfi, djali i hallës së Endrit Alibeajt, sapo ishte kthyer nga Holanda. E njihni ju këtë person?
Fare. As nuk e njoh kush është.
Çfarë ju lidh ju me vrasjen se mund mos ta kishit njohur më përpara?
Tani jemi të dy këtu ne. Po të ndodhi vrasje ti e di që po mua do ma mbështjellin ata.
Këtë nuk e di unë.
Po do ma fusin mua. Po ta them unë. Po deri sa të jesh te shtëpia e vëllezërve Haxhia… Problemi është këtu. Këto Zylyfi, këto Alibeaj që thua ti, pse i ndodhi Alibeajt edhe dyshohem unë për këtë, i bie që gjithë kalvarin e këtyre do t’i paguaj unë? Ç’a lidhje kam unë o vëlla im. Po ç’punë kam me këta unë. Unë nuk kam kontakt me ata. Unë si fytyra i njoh, unë nuk kam muhabet.
Z.Çela, më 1 Gusht 2019 është vrarë në mes të Durrësit Feriz Bardhi në lagjen Nr.18. E njihni këtë person? Dhe çfarë ju lidh juve me këtë vrasje?
Kush është ky Feriz Bardhi, ku i njoh unë këta. Ç’punë kam unë në Durrës.