Samiti i BE-së: Një dramë evropiane, 1800 miliardë euro dhe 22 miliardë për Kroacinë

21 Korrik 2020, 17:06Politika TEMA

Nga Enver Robelli

Pas një samiti maratonik, krerët e Bashkimit Europian janë marrë vesh për pakon financiare që do të ndihmojë vendet e goditura nga kriza pas përhapjes së pandemisë. Samiti filloi të premtën në orën dhjetë paradite dhe mori fund të martën në orën 05:31. U negociua 91.5 orë.

Si duket rezultati? Shpjeguar thjeshtë: vendet e pasura të BE-së përkrahin vendet e pjesës jugore dhe juglindore të BE-së, të cilat janë më shumë të goditura nga kriza. Fondi për ndihmë dhe buxheti i BE-së (2021-2027) arrijnë shumën marramendëse prej 1800 miliardë euro. Fondi për ndihmë është 750 miliardë euro i lartë. Në vend të 500 miliardë grante të pakthyeshme dhe 250 miliardë kredi, tani do të paguhen vetëm 390 miliardë euro grante.

Kjo për shkak të kundërshtimit të “katër kursimtarëve” (Suedisë, Holandës, Danimarkës dhe Austrisë), por edhe Finlandës. Në këto vende mbretëron kjo bindje: pse të paguajmë për shtetet e tjera që nuk qeverisen mirë (si Italia, Spanja, Kroacia etj.)? Natyrisht që mund të argumentohet kështu, por kjo është gjysma e së vërtetës. Duke përkrahur vendet e Europës jugore dhe juglindore BE ruan tregun e përbashkët.

Nga ky treg më së shumti përfitojnë vendet e Europës veriore. Një shembull: nëse një zejtar apo arsimtar spanjoll, italian, portugez apo kroat i ka punët keq, ai s’mund të blejë një veturë gjermane apo një kamion suedez. Nëse s’mund të bëjë këtë blerje, atëherë firma gjermane apo suedeze gjendet në vështirësi të mëdha. Rrjedhimisht, ndihmat e BE-së janë edhe në interesin e shteteve të pasura. Këtë e ka kuptuar edhe Gjemania si shteti që paguan më së shumti në arkën e BE-së.

Kroacia, për shembull, do të përfitojë 22 miliardë euro nga pakoja më e re financiare e BE-së. Me ndihmat e saj BE siguron fuqinë blerëse në vendet e prekura më shumë nga kriza.

Gjithë ky pazar mund të krahasohet kushtimisht me Jugosllavinë e dikurshme: Sllovenia dhe Kroacia si republikat më të zhvilluara ankoheshin se po e “mbanin” jugun dembel (Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën).

Kjo ishte, natyrisht, gjysma e së vërtetës. Lubjana dhe Zagrebi paguanin në fondin e federatës për pjesët më pak të zhvilluara dhe si shpërblim mund të shisnin prodhimet në tregun e përbashkët mbarëjugosllav. Kështu shtresa e hollë e mesme në Kosovë mund të blinte frigoriferë sllovenë apo çokollata të Krashit të Zagrebit.

Koncepti është pak a shumë i njëjtë dhe në BE – me një dallim të madh: Jugosllavia nuk ishte shtet demokratik, BE është union shtetesh demokratike, ku secili shtet ka të drejtë të vetos. Kjo e bën të zorshëm gjetjen e kompromiseve, por model më të mirë se BE nuk ka tani për tani.

BE u kushton vendeve anëtare rreth 140 miliardë euro në vit. Gjermania në buxhetin e BE-së merr pjesë me 30 deri 35 miliardë euro në vit. Çka fiton? Një treg të përbashkët me gjysmë miliardë banorë. Vetëm në vitin 2019 në këtë treg Gjermania ka eksportuar mallra e shërbime në vlerë prej 777 miliardë euro. Nga ky treg ka importuar 631 miliardë euro. Dallimin mund ta llogarisë secili.

6 komente në “Samiti i BE-së: Një dramë evropiane, 1800 miliardë euro dhe 22 miliardë për Kroacinë”

  1. Ari says:

    Analize e thjesht por shume kuptimplote!

  2. Klimax says:

    Miliardat i doni nga Europa e Veriut, i doni edhe gratis, por ne vend qe te punoni si ata, te paguani taksa si ata, te qeveriseni e te keni shtet si ata, kaloni deri ne sarkazem duke deklaruar se kroatit, spanjollit, italianit apo portugezit te “varfer” i duhen mbushur xhepat nga taksapaguesi gjerman e suedez se ndryshe industria e tyre do te gjendet ne “veshtiresi te medha”!!!!
    Enver, ti e di shume mire se nje i “varfer” nuk mund te marri as mercedes dhe as volvo dhe sigurisht qe si Mercedes ashtu dhe Volvo qe eksportojne gjithandej ne bote nuk presin te “mbijetojne” nga kjo shtrese e popullsive te Jugut te Europes!
    Nga ana tjeter, diellin, detin, ushqimin, hotelet, etj qe suedezi e gjermani shijojne ne Jug, mos valle i shijojne gratis?!!!! Ne qoftese suedezi e gjermani do te proferonin Tajlanden dhe Karaibet ne vend te Mesdheut, nuk do te veshtiresohej ekonomia e jugoreve qe mbahet me se shumti nga turizmi?

    1. Wilsoni says:

      Kujt i drejtohesh ?? Kroacise ?? Shqiperise ?? Shqiperia ska pretendime gjigante , gjithmone eshte e kenaqur me pak , shiko suratin tend .Nje nga ata te “varferit ” eshte dhe shteti Helen qe ti lamash pelqen fshihet gjithmo e mbas te “varferve ” te tjere me me potence ,si gjithmone ka ndjekur parimin …hedh gurin dhe fsheh doren …….kete ka bere Greqia jote ne shekuj kete ben dhe tani .
      Kete per prolog ……se cdo te thuash ne realitet vetem nje kokbosh si puna jote e deshifron …..nje koment plot pergjithesime , plot paragjykime akoma se ke kuptuar qe pergjithesimet dhe paragjykimet jane karakteristikat e injorantit ?????

  3. Hosteni says:

    Edhe sikur 100 miliarde t’i japin Shqiperise, populli nuk sheh asnje qindarke. Kete e di EU. E dine qeveritaret tane, por nuk e dine militantet gomere qe shkojne pas ketyre politikaneve. Per nje vend pune apo sufllaqe.

  4. ShkoDrani says:

    Analize komuniste. Partneriteti eshte kontrate qe duhet respektuar e zbatuar nga palet dhe jo vellai dembel te shfrytezoje vellain punetor me mashtrime e kercenime hipotetike.

  5. Sandri i Gazetes says:

    Jepini leket dhe kerkojini reforma, muhabet i vjeter!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje