Presionet e krimit dhe të politikës, urdhri i Olsian Çelës: Prokurorët duhet të marrin masa për pavarësi në hetime

10 Gusht 2020, 09:00Kronika TEMA

Kryeprokurori Olsian Çela ka kërkuar nga të gjitha prokuroritë në vend që të jenë të pavarura në procesin e hetimeve. Përmes një udhëzimi që mban datën 20 korrik, Çela e ka cilësuar tepër jetike pavarësinë në organin e akuzës. Presionet dhe ndikimet nga ana e krimit, por edhe e politikës prej shumë kohësh kanë qenë shqetësuese dhe ka sjellë që shumë vendime të jenë të padrejta.

Në nenin 4 të udhëzimit, ku përcaktohen garancitë e pavarësisë së prokurorit, Çela ka deklaruar se prokurorët duhet të marrin vendime në mënyrë të pavarur dhe nuk duhet të ketë asnjë ndikim të paligjshëm, qofshin këto ndikime të brendshme apo të jashtme. Po ashtu, kryeprokurori thekson se ata duhet të bazohen vetëm në të drejtat që u jep Kushtetuta, që janë vendime të drejta dhe të barabarta për të gjithë.

“Prokurori ka pavarësi dhe autonomi në ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe ligjore për kryerjen e veprimeve procedurale, parashtrimin e kërkesave dhe marrjen e vendimeve në mënyrë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm, i çdo autoriteti publik apo privat, gjatë hetimeve paraprake, përfaqësimit të akuzës dhe/ose çështjes në gjykatë dhe ekzekutimit të vendimeve gjyqësore penale apo mbikëqyrjes së zbatimit të tyre; Në ushtrimin e funksioneve në mënyrë të pavarur, prokurori duhet të bazohet në parimet e ligjshmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë, duke respektuar parimet e procedimit të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor dhe mbrojtur liritë e të drejtat dhe interesat e ligjshme të shtetasve, interesin e shtetit dhe atë publik në procesin penal”, thuhet në nenin 4 të udhëzimit.

Por në të njëjtin nen, Çela thekson se prokurorët duhet të zbatojnë rezolutën që është dhënë nga Kuvendi në luftën kundër krimit. “Pavarësia procedurale nuk e shmang prokurorin nga detyrimi për të përmbushur funksionet dhe/ose përgjegjësitë kushtetuese e ligjore që ka, për të ushtruar ndjekje penale për çështjen që i ngarkohet dhe në çdo rast të ndjekë dhe zbatojë udhëzimet e përgjithshme të nxjerra nga prokurori më i lartë, me qëllim unifikimin e qëndrimeve në veprimtarinë e prokurorisë për çështje të caktuara, përfshirë dhe zbatimin e rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave apo rezolutave të Kuvendit për luftën kundër kriminalitetit”, thuhet në vendim.

Por në nenin 6 të udhëzimit, kryeprokurori Olsian Çela kërkon nga prokurorët që të jenë të kujdesshëm nga ndikimet e ndryshme të cilat janë në kundërshtim me ligjin dhe të marrin masa për të qenë të pavarur në hetimet që do të kryejnë.

“Prokurori në çdo rast që evidenton ndërhyrje ose ushtrim ndikimi, të papërshtatshëm, apo në kundërshtim me ligjin ndaj tij, nga brenda sistemit të prokurorisë, apo nga përfaqësues të pushtetit legjislativ, ekzekutiv, medias apo çdo personi tjetër juridik a fizik apo subjekt i procedimit penal, menjëherë refuzon çdo ndërhyrje ose ushtrim ndikimi të paligjshëm, merr çdo masë për të qenë dhe të duket se është jashtë çdo ndikimi dhe ushtron funksionet në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit”, thuhet në nenin 6 të vendimit.

Në udhëzimin e dalë në datën 20 korrik, Kryeprokurori Olsian Çela ka parashtruar dhe kompetencat dhe rolin që duhet të kenë drejtuesit e prokurorive në lidhje me prokurorët. “Drejtuesi i prokurorisë në të gjithë nivelet e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm është përgjegjës për krijimin e kushteve që bëjnë të mundur organizimin e punës, respektimin e ligjit, etikës dhe mirëfunksionimin e prokurorisë dhe për mbarëvajtjen e punës dhe sigurimin e efikasitetit, eficencës, ligjshmërisë dhe transparencës në veprimtarinë e prokurorisë që drejton, sipas parashikimeve te ligjit nr.97/2016 “ Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë””, thuhet në nenin 9 të vendimit.

3 komente në “Presionet e krimit dhe të politikës, urdhri i Olsian Çelës: Prokurorët duhet të marrin masa për pavarësi në hetime”

  1. klemi says:

    Gjalle qenka ky mender prokurori i pergjithshem, se mendoja se per dreq mos e kishte zene korona. Leviz o derrezi se ke marre persiper nje detyre qe me sa duket as nuk i afrohesh, e jo me ta besh. Largohu me mire.

  2. h says:

    Çfarë flet ky kukull kur 80% e prokurorëve janë hajdutë të korruptuar më të mdyrë
    se kriminelët,drogaxhijtë dhe prostotutat marrë bashkë.
    Kur të pastrohet drejtësia shqiptare,ka mbaruar gjithë shqipëria dhe nuk ka më për të vjedhur.
    Hetoni ata që nuk paguajnë dritat se me ata jeni trima dhe cuba.

  3. Ladi says:

    Dhe nje tjeter ne rradhen e kryeprokuroreve qe i ze gjumi ne karrike. Edhe une kujtova se ishte me virus ky i flamosur. Po tundu more djale, c’fare ben ne ate karrike. Me mire ishte ajo gruaja. Ky nuk turbullon asgje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje