Tare godet sërish, Lazio arrin akordin me David Silvën dhe sulmuesin shqiptar

12 Gusht 2020, 10:54Sport TEMA

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare është mësuar tashmë që të alternojë pushimet e verës, me takime të rëndësishme pune, pasi kjo është stina ku klubet e futbollit “hedhin themelet” e sezonit, duke kompletuar organikën.

Ashtu siç ka bërë gjithmonë në vitet e fundit ,edhe këtë verë Tare ka punuar mjaft mirë dhe sipas mediave italiane, brenda kësaj jave pritet të zyrtarizohen dy futbollistë të rinj te klubi i Lazios.

I pari është fantazisti i njohur spanjoll David Silva, të cilit i përfundon kontrata me Manchester City-n dhe në moshën 34-vjeçare është joshur për një transferim në Itali, ku Tare i ka bërë gati një kontratë të vlefshme për 3 sezonet e ardhshme.

Emri tjetër që pritet t’u bashkohet bardhekaltërve këto ditë, është ai i sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi.

Ky i fundit ka spikatur me turqit e Fenerbahces, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane, por garën duket se e ka fituar Tare.

Drejtori sportiv i Lazios ka arritur marrëveshjen me turqit e Fenerbahces për një shifër prej 16 milionë eurosh, plus 4 të tjera në formë bonusi, ndërsa Muriqi pritet të nënshkruajë për 4 sezone me bardhekaltrit.

Te Lazio sulmuesi i Kosovës pritet të marrë vendin e Philippe Caicedos, i cili pritet të lërë kryeqytetin italian, ndërsa trajneri Inzaghi ka projektuar pikërisht Muriqin në krah të bomberit të skuadrës Ciro Immobile.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje