Vetingu i Spartak Çoçolit ekspozon pandëshkueshmërinë në drejtësi

13 Gusht 2020, 19:32Kronika TEMA

Vendimi i arsyetuar i KPK-së tregon se prokurori i Gjirokastrës, Spartak Çoçoli u mbijetoi për vite me radhë informacioneve për veprime të kundraligjshme, një procedimi disiplinor dhe një kallëzimi penal -përpara se të merrej i pandehur dhe të shkarkohej nga vetingu.

Nga Aleksandra Bogdani

Prokurori i Gjirokastrës, Spartak Çoçoli u shkarkua më 16 korrik nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi u kishte mbijetuar për vite me radhë informacioneve për veprime të kundraligjshme, një procedimi disiplinor dhe një kallëzimi penal që ngrinte dyshime për përfshirjen e tij në korrupsion.

Shkarkimi nga KPK ishte megjithatë i pritshëm, pasi paralelisht me procesin e vetingut, Çoçoli po gjykohet për “korrupsion pasiv” në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vendimi i arsyetuar i KPK-së tregon se agjencitë ligjzbatuese kishin pasur informacione prej vitit 2007 për përfshirjen e Çoçolit në veprimtari të kundraligjshme –por ato nuk ishin adresuar përpara nisjes së procedimit penal të tij në vitin 2019.

Gjithashtu, një procedim disiplinor i Prokurorisë së Përgjithshme ishte mbyllur me “Vërejtje” në vitin 2012, ndërsa një kallëzim penal për marrje ryshfeti ishte pushuar në vitin 2015.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i mbylli hetimet për Spartak Çoçolin vetëm për kriterin e pastërtisë së figurës dhe atë të aftësive profesionale. Procesi u krye nga trupa e drejtuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtare Xhensila Pine.

Prokurori i pezulluar shtyu një seancë me pretendimin se ndodhej në spital dhe preferoi të mos ishte i pranishëm në seancën dëgjimore si dhe në shpalljen e vendimit të shkarkimit.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK dorëzoi një raport negativ për pastërtinë e figurës – duke argumetuar se përfshirja e dyshuar në korrupsion e bënte prokurorin një individ të mundshëm për t’u vënë nën presion nga strukturat kriminale.

KPK administrioi fashikujt e hetimit ndaj Çoçolit dhe dy personave të tjerë, të cilët po gjykohen për vepra penale të korrupsionit në Gjykatën e Posaçme. Gjithashtu nga arkiva e Prokurorisë së Krimeve të Rënda u nxorr edhe një kallëzim tjetër penal ndaj tij, ku kallëzuesi pretendonte se i ishin mbajtur dokumentet e automjetit me qëllim përfitimin e paligjshëm. Ky kallëzim ishte pushuar në vitin 2015.

Prokurori Çoçoli e kundërshtoi raportin e DSIK në korrespondencën e tij me Komisionin, ndërsa deklaroi se “nuk e kupton se për cilat raste bëhet fjalë”.

“Në asnjë rast të konstatuar nga ana juaj nuk vërtetohet apo të ketë dyshime për përfshirjen time në veprimtari të kundraligjshme, korruptive, apo të kem kontakte të papërshtatshme,” ka pretenduar Çoçoli.

Në vendim, Komisioni sqaron se subjektit nuk i atribuohet asnjë kontakt i çfarëdolloji me persona të përfshirë apo të dyshuar si pjestarë të organizatave kriminale –duke rrëzuar indirekt raportin e papërshtatshmërisë për pastërtinë e figurës.

Megjithatë, Komisioni u jep vlerë të dhënave mbi përfshirjen e dyshuar në korrupsion në vlerësimin tërësor të prokurorit Çoçoli dhe arrin në përfundimin se ai “ka cenuar besimin e publikut te drejtësia”.

Aftësi të cunguara

Komisioni analizoi 5 dosje të zgjedhura me short dhe tre të dorëzuara nga subjekti dhe arriti në përfundimin se vetëm në tre prej tyre ka arritur të identifikojë drejt normën ligjore të zbatueshme. Sipas Komisionit, Çoçoli tregon mangësi të theksuara në zbatimin e ligjit, nuk analizon normën penale të zbatueshme dhe në të gjitha rastet, vendimet e pushimit janë të paargumentuara.

“Asnjë prej akteve të përzgjedhura apo të shortuara nuk ka analizë ligjore dhe paraqitje të faktit penal. Subjekti i rivlerësimit, në asnjë rast nuk bën analizë të figurës së veprës penale dhe arsyen se pse pushohet apo dërgohet për gjykim një procedim penal,” thuhet në vendim.

Sipas KPK, Çoçoli nuk ka ushtruar kompetencat që i njeh ligji në drejtim të ndjekjes penale dhe shfaq “oshilacione” të pabazuara në prova dhe në ligj.

Përgjatë viteve 2006-2018, ndaj Çoçolit janë regjistruar 4 ankesa; njëra prej të cilave kundër pushimit të një procedimi penal, e dyta për lënien në “detyrim paraqitje” të autorit të një aksidenti me vdekje si dhe tejzgjatje të çështjeve apo moskryerje të veprimeve hetimore.

Në një rast, Prokuroria e Përgjithshme vendosi shfuqizimin e pushimit të hetimit, ndërsa rastet e tjera ia dërgoi për zgjidhje drejtuesit të Prokurorisë së Gjirokastrës.

Gjatë viteve 2013-2016, Çoçoli është vlerësuar dy herë me “mirë” dhe dy herë “mjaftueshëm” nga Prokuroria e Përgjithshme. KPK është vënë në dijeni se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë depozituar në vitin 2018 informacione nga shërbimet inteligjente “Mbi indicie për veprimtari të kundraligjshme në sistemin e drejtësisë së Gjirokastrës” për subjektin.

Tre prej indicieve të referuara në vendim i përkasin vitit 2007, një vitit 2014, një vitit 2015 dhe e fundit në vitin 2018 –të cilat mbetet e paqartë nëse janë adresuar ndonjëherë në institucionet e drejtësisë.

Komisioni ka analizuar edhe pesë denoncime në adresë të Çoçolit, të cilat referohen në vendim pa ndonjë rezultat. Në përfundim, Komisioni vlerëson se subjekti i rivlerësimit gjendet në situata të përsëritura në shkelje të ligjit, të cilat e rëndojnë pozitën e tij në drejtim të vlerësimit profesional.

“Trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur nivelin minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale… pasi rezulton i papërshtatshëm,” arsyeton trupa gjyqësore.

Treshja gjykuese i rikthehet në fund të vendimit edhe njëherë kontrollit të figurës, duke theksuar se qëllimi dhe fryma e ligjit të vetingut është të identifikojë gjyqtarët dhe prokurorët me integritet të cënuar dhe t’i largojë ata nga sistemi i drejtësisë.

Për rastin Çoçoli, trupa arrin në përfundimin se mospasja e kontakteve me krimin e organizuar nuk mund të përjashtojë verifikimin e figurës së saj me dyshimet e bazuara për përfshirje në korrupsion pasiv.

“Këto veprime, të vlerësuara në tërësinë e tyre, cenojnë rëndë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë,” argumenton trupa në vendimin e shkarkimit të Çoçolit.

2 komente në “Vetingu i Spartak Çoçolit ekspozon pandëshkueshmërinë në drejtësi”

  1. Vari lesht says:

    Veting leshi
    Si ka mundesi qe keta te Vetingut nuk marrin me perparesi dosjet e gjyqtarve dhe prokurorve qe kane denoncime?!
    Cfare kriteresh kane marre parasysh keta te vetingut se ke therrasin?!
    Pergjigjiet jane shune te kollajshme… rrumpalla vazhdon. Asnje kriter apo perparesi dosjeve qe kane denoncime… asnje… asgje… kujt ti vi radha pa me te voglin kerkim…dhe mjerimi vazhdon por kesaj here me vulen e nderkombetarve.
    Meqenese jemi ne Gjirokaster, e gjithe gjirokastra e di se gjyqtari i pare qe kaloi vetingun, nga ana profesionale eshte ZERO, po zero me bisht ama.
    Po, nuk korruptohet lehte, por nje gjyqtar qe nga ana profesionale eshte zero, njesoj si i korruptuar eshte.
    E thashe kete se ky prokurori ne fjale, vetem qe nuk i merrte leket live ne ndonje kanal kombetar televiziv, se te gjitha te tjerat i bente dhe e gjithe gjirokastra e dinte.
    Kjo puna e drejtesise nuk gjidhet vetem me veting…
    Duhet:
    1. Gjyqtaret e shkalles se pare mos te dine se ke dosje do shqyrtojne dhe kete ta mesojne vetem mbas ores 14:00 nje dite me perpara
    1) Asnje dosje mos te merret ne shqyrtim pa qene komplet e plote, ne menyre qe gjyqtaret te gjenden diten e gjyqit perpara dhenjes se vendimit e jo te caktojne ekspert e “superekspert”.
    2) Te behet nje zyre e vezante brenda ne gjykate ku per cdo dosje te merren ata te zyres me procedurat dhe te mos kene asnje ballafaqim me palet.
    3) Mundesisht zyra te drejtohet vetem nga ministria e drejtesise dhe punjesit e zyres te jene me kontrate te vecante, qe do te thote se nqs konstatohen shkelje, punojesi te hiqet nga puna pa pasur statusin e puntorit te drejtesise.
    2.Gjykatat e Apelit te shqyrtojne vetem ceshtjet e rretheve te tjera.
    D.m.th,gjirokastra te fierit e fieri te durrsit, e keshtu me radhe.
    1) Llogaritni nje qytet me 3.000 banore( bashke me femijet) ku nje gjyqtari i apelit duhet te japi vendim per dy komshijte e tij… kuptohet qe vendimi do jete i pa-drejte dhe gjyqtari do mundohet si te mos merzise komshijte.
    2) Nqs vendimi i gjykates se apelit bie ne gjykaten e larte, gjyqtarve te apelit tu vendoset nje lloj sistemi pikesh ku cdo vendim i gabuar tu hiqen nga 2 pike… Kur te arrihet 10 pikshi, gjyqtari shkon per konfirmim ne magjistrature dhe i mbahen harxhet e shtetit per keto pese gjyqe.
    3.Te ndryshoje menjere dhe sesben menyra e gjykimit.
    1)Te behet e ditur tek cdo gjyqtar se perpara drejtesise AVUKATI dhe GJYQTARI jane te njejte.
    2) Ne cdo salle i pandehuri dhe paditesi te jene perballe trupit gjykues dhe jo anash sic ndodh rendomte ne 80% te sallave tona.
    Ku eshte pare qe ata qe gjykohen te rrine shtemsi dhe kur flasin ti drejdohen murit dhe avukati kur flet ti drejtohet njetzve ne salle… dihet qe ne memedhe.
    4.Prokurori te jete ne te njeten tavoline me gjyqtarin, pasi qe te dy perfaqesojne shtetit dhe jo te behet pefaqesim istituciones, pasi dihet qe kjo menyre ka krijuar korrupsin masiv.
    Kuptohet se gjithenje gjykatesi vendos, ndaj s’ka perse mos te jene te dy lart qe te degjojne mire e mire budalleqet qe bejne.
    5.Po nuk ndryshuan keto… i kote vetingu e cdo gje.
    ( kush ti beje keto? askushi ska per te bere e si jemi rrumpalle do vazhdojme)

  2. Ladi says:

    Shporreni dhe kete te korruptuar dhe kalojeni ne sekuestro pasurine. Fytyre e poshter.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje