Ditën e sotme Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do t’i dorëzojë Kuvendit të Kosovës kërkesën për ndryshim të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ky lajm është bërë me dije nga njoftimi zyrtarë, se kërkesa do të dorëzohet në orën 15:00 të kësaj të premteje, shkruajnë mediat kosovare.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, sot më 14 gusht 2020, ora 15:00, Kuvendit të Kosovës do t’i bëjë dorëzimin e kërkesës për ndryshimin e Ligjit për dhomat e specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë.”- thuhet në njoftim.
Ndërkohë kujtojmë se udhëheqës të OVL të UÇK-së kanë thënë se Specialja është gjykatë diskriminuese, pasi po merret vetëm me shqiptarët.
Gjithashtu ata kanë paralajmëruar një nismë për të ndryshuar ligjin në bazë të të cilit u themelua kjo gjykatë, në mënyrë që të hetojë të gjithë, pa dallim nacionaliteti.