Konçesionet që shkatërrojnë çdo ditë pasuritë natyrore hidrokarbure dhe falimentimi i heshtur i Bankers Petroleum

22 Gusht 2020, 10:00Sociale TEMA

Nga Isuf Tushe*

Para disa ditësh u publikua në rrjetet sociale investigimi i newalbania.al, ku kompania konçesionare Bankers Petroleum fsheh falimentimin sepse ka borxhe me kontraktorët dhe shtetin. Detaje rreth investigimit mund të lexohen në linkun e mëposhtëm: http://energjia.al/2020/06/17/bankers-fsheh-falimentin-e-zhytur-ne-borxhe-marramendese- dhjetra-kontraktore-i-shkruajne-ambasades-kineze

Në artikullin tim, Albpetroli shtetëror dhe roli tij në industrinë e naftës, botuar në Gazetën Tema më 09/06/2020, kamë trajtuar detyrimet dhe përgjegjësinë e tij, si pronar i ligjshëm i pasurive natyrore hidrokarbure, në lidhjen e kontratave me kompanitë konçesionare në industrinë e naftës, kontrollin mbi zbatimin e tyre tekniko-financiar-investues dhe si veprohet në raste abuzimesh.

Nuk kamë përmendur rolin e Axhënsisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) në këto marrëveshje kontraktore, e cila për mendimin tim është hallkë e tepërt, e krijuar për të favorizuar korrupsionin e kastës politike dhe për arsye sociale të një kategorie njerëzish partiak që jetojnë në Tiranë, larg problemeve të naftës. Përbëhet nga një amalgamë specialistësh amator që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi ligjore direkte. Në kontratat e lidhura me kompanitë konçesionare, për ca fitime personale prej tyre, ata kanë vënë në to klauzola të tilla ligjore, që i jep mundësi atyre të abuzojnë pa kufi me pasuritë tona natyrore dhe indirekt i shndërron ata nga operator në “pronar të ligjshëm”, duke i shitur ato në çdo kohë dhe ti përdorin si të duan për fitime monetare në interes të tyre. Pra me sa duket, ligji nuk jep mundësi për ti pezulluar kontratat në raste shkeljesh dhe praktikisht i bënë ato të pazgjidhshme ose në të kundërt zgjidhja e tyre shoqërohet me gjoba të mëdha. Problemet që mendohet se AKBN zgjidh, mund të kalonin më mirë në Albpetrol duke krijuar atje një bërthamë juridike. Fillimisht, pas vitit 90’, përgatitja e paketave për marrëveshjet hidrokarbure me kompanitë e huaja, u bë nga kabinetet e vendburimeve dhe grupet e projektimit në Institutet e Naftës, por më vonë me shkatërrimin e tyre, AKBN i kopjon ato direkt nga studimet ekzistuese dhe i interpreton sipas dëshirës.

Për më tepër, përse duhet AKBN me këtë përbërje “profesionistësh”, midis Albpetrolit dhe Ministrisë Energjetike-Qeverisë, e cila sipas rotacionit politik drejtohet, herë nga militant të djathtë dhe herë nga të majtë? Thjeshtë dhe vetëm se krijon një mjegullnajë në manipulimin dhe paraqitjen e tregueseve të prodhimit naftës dhe gazit, sidomos në vendburimet ekzistuese, e cila tingëllon mjaftë mirë në marrëveshjet hidrokarbure dhe krijon variante korrupsioni për kastën e hajdutëve që fillon me konçesionarin, vazhdon në Albpetrol dhe deri lartë në Ministri ose Qeveri. Kështu, përgjegjësia ligjore shpërndahet në një rreth më të gjërë, korrupsioni bëhet më i lehtë, i sigurtë dhe i vështirë për t’u dalluar. Pra, diku më shumë e diku më pak personat në gjithë hallkat e këtij zinxhiri, duke përfshirë dhe deputet të lidhur me to, vjedhin pasuritë kombëtare, ku secili merr pjesën e tij (në aksione), sipas kontributit që i kanë ligjëruar konçesionarit në kontratë lidhur me abuzimet dhe favorizimet. Ky i fundit nuk jep asgjë nga fitimi tij, e merr të gjithë, bile më shumë, ndërsa klani mafioz ndan midis tyre pjesën e fitimit që duhet të marri shteti, i cili në këtë rast merr çelësat e kashtës. Sikur të mos mjaftonin favorizimet në kontratë, si fillim, me urdhër nga lartë, konçesionarit i është dhënë edhe një darovitje duke i falur “pakëz” naftë bruto e prodhuar dhe grumbulluar që ndodhej gjendje në vendburim. Qarkullojnë informacione që kjo sasi nafte, në disa vendburime, ka qenë edhe mbi 1,000 ton.

Është skandaloze që vjedhja e pasurive publike nëpërmjet kompanive konçesionare është bërë metodë pune në gjithë hallkat drejtuese shtetërore ku kalojnë kontratat për miratim. Është shumë e qartë se korrupsioni është një nga pikat kyçe, i ligjëruar dhe miratuar në heshtje, që direkt ka influencuar në zgjedhjen e kompanive konçesionare. Kjo është arsyeja kryesore që shpjegon qartë pse në Shqipëri janë futur vetëm “kompani konçesionare” jo serioze, mafioze, të dorës fundit, pa eksperiencë, pa kapital investues, të regjistruara në parajsa fiskale, me pronar anonim, etj. Me këtë shpjegohet indiferentizmi që mbanë shteti ndaj tyre, i cili stonon me detyrimet ligjore në kontrata, gjithmonë n.q.se ato janë parashikuar në to, sepse aty ka detyrime që është vështirë të realizohen në kohë, sidomos ato që lidhen me investimet dhe rezultatin e tyre, mbrojtjen e ambientit, trajtimin e punonjësve, etj., të cilat në përgjithësi nuk zbatohen korrekt nga konçesionari. Këto probleme delikate, me siguri, këta palaço zyrtar, qëllimisht duhet ti kenë anashkaluar në kontratë për të mbrojtur konçesionarin dhe ligjërisht shteti i ka heq mundësinë vetes, që në rast shkeljesh, ti pezulloj atij liçencën dhe të rishtetëzoj vendburimin.

Pra, që në lidhjen e kontratës me konçesionarin, janë marrë të gjitha masat ligjore që kasta e hajdutëve që është pas tij, të vazhdoj vjedhjen e pasurisë publike aq gjatë sa është jetëgjatësia e kontratës midis shtetit dhe konçesionarit. Na ruajt zoti dhe e drejta jonë si popull, që të paktën këto kontrata të jenë lidhur me afat 25 vjet dhe jo 99 vjet, siç dëgjojmë shpesh, sepse korrupsioni mund t’ju kaloj ligjërisht edhe trashëgimtarëve të tyre.

Kontratat e lidhura, sidomos ato për vendburimet ekzistuese të naftës, për mendimin tim janë jashtë standardit, jo me fitim për ekonominë, sepse favorizojnë padrejtësisht vetëm kompanitë konçesionare dhe kastën e hajduteve. Mungesa e kontrollit mbi zbatimin e tyre, ka sjell dëme të pariparueshme në ekonomi, por dëmi më i madh është shkatërrimi vendburimeve nga shfrytëzimi barbar. Me siguri këtë fat kanë edhe pasuritë minerare sepse modeli i kontratave është i njëjtë.

Pra, Albpetroli ka rolin kryesor dhe është direkt përgjegjës për kontratat e lidhura me kompanitë operatore dhe zbatimin korrekt të tyre në vendburime apo në sipërfaqe të reja kërkimi. Miratimi i tyre në Ministrinë e Energjisë ose Qeveri duhet të bëhet vetëm nga Albpetroli. Ai është pronar i ligjshëm i pasurive hidrokarbure në territorin shqiptar dhe jo

AKBN, e cila nuk ka kapacitet profesional dhe nuk është pronare ligjore e tyre, prandaj është hallkë e tepërt në këtë proces.

Le të analizojmë konkretisht aktivitetin e kompanisë Bankers Petroleum, e cila ka mbi 15 vjet që operon dhe shfrytëzon një ndër pellgjet më të mëdha naftë-gaz mbajtës në Europë, gjigand dhe i papërsëritshëm, ku shtrihen vendburimet Patos-Marinës dhe Kuçovë, të cilët në fund të vitit 90’ ishin tërësisht të konturuar, të zhvilluar, të kompletuar me puse, dhe në shfrytëzim të plotë në gjithë objektet naftë-gaz mbajtës, me rezerva të llogaritura nga Institutet e Naftës. Këto kishin peshën kryesore në prodhim dhe krahas drenimit me energjinë natyrore, në disa objekte për sipërfaqe të veçanta, aplikoheshin edhe metoda intensifikuese për rritjen e prodhimit.

Megjithëse marrëveshja hidrokarbure midis kompanisë operatore Bankers Petroleum dhe shtetit shqiptar nuk është bërë asnjëherë publike, për rrjedhojë nuk njihen sakët detyrat dhe detyrimet, por me siguri objektivi kryesor në projekt-program duhet të jetë rritja e prodhimit të naftës dhe gazit mbi nivelin e prodhimit ekzistues, në Patos-Marinës dhe më vonë në Kuçovë, duke rritur koefiçientin e naftë nxjerrjes nëpërmjet metodave të avancuara me investim 100% kapitalin e saj. Mbrojtja e ambientit, gjithmonë, shoqëron aktivitetin e çdo kompanie, qofshin ato shtetërore ose private, sidomos ato që operojnë në vendburimet hidrokarbure, prandaj mendoj se ajo duhet të jetë pikë e veçantë në marrëveshje. Mirëpo, kompensimi nga shteti i dëmeve, të shkaktuara nga veprimet e gabuara të kompanisë, familjeve që jetojnë rreth vendburimit Patos-Marinës, dhe mosndërhyrja e tij për të parandaluar ndotjen e ambientit që ajo bënë çdo ditë me aktivitetin e saj, i cili është bërë një gangrenë e vërtetë dhe që nuk ndodh në asnjë vend të botës, lë shumë për të dyshuar. Këto pika, me sa duket kështu janë parashikuar në akt marrëveshje, sepse shteti nuk do të prish marrëdhëniet me konçesionarin, për interesat e ngushta personale të kastës së hajdutëve që janë bashkëpronar me të, prandaj “populli ka detyrime akoma” të paguaj dëmet e kompanisë. Në vitin 2010, nga një gabim teknik që ndodhi gjatë shpimit të pusit Macondo në platformën Deepwater Horizon në Golfin e Meksikës, shpërtheu fontanë e hapur, e cila shkaktoi viktima, dëme materiale, falimentoi shumë biznese në disa shtete si Louisiana, Mississippi, Texas, Alabama, dhe Florida, shkaktoi ndotje të ambientit nga derdhja e naftës në det, dëmtoi gjallesat, etj. Sipas ligjeve, Gjykata Amerikane e dënoj kompaninë, British Petroleum (BP), me biliona dollar për dëmtimin e pasurive natyrore të shkaktuara bizneseve nga fontana, gjobën ndaj shtetit, si dhe për të pastruar ujin e ndotur nga nafta në gjithë Golfin e Meksikës, duke përfshirë dhe studimet që do të kryhen, në ecuri, për këtë qëllim deri në rigjenerimin e plotë të ambientit. Ky problem nuk është mbyllur akoma dhe nuk dihet sa do të jetë kostua përfundimtare.

Nga informacionet që kanë rrjedhur, mbi aktivitetin e kompanisë në vendburimet Patos-Marinës- Kuçovë, është konstatuar se, që në fillim, ajo e prezantoi veten pa eksperiencë në përpunimin e tyre dhe pa kapital investues, të cilat janë reflektuar me thyerjen e afateve kohore të punimeve të programuara dhe ligjëruara në marrëveshje. Ajo përdor metoda të sforcuara shfrytëzimi, të pa bazuara në studime dhe kritere shkencore, bile duke limituar edhe përdorimin e holluesit, i cili historikisht ka qenë i domosdoshëm, dhe rezultatet janë alarmante, sepse krahas naftës është vërejtur ardhje rëre dhe ujë, në sasi të mëdha, në sipërfaqe. Ajo nuk ka arritur kurrë të zhvilloj metoda të reja intensifikuese në këto vendburime, por përkundrazi ka shkatërruar edhe ato ekzistuese, dhe ndërkohë ndotja e ambientit është plotësisht jashtë kontrollit, duke krijuar shumë probleme për shëndetin e banorëve në ato zona. Gjatë shpimeve të reja ka patur fontanë të hapur në puse që tregon për mungesë eksperience dhe kapitali. Ajo, gjithmonë, abuzon me shifrat e prodhimit të naftës, shitjen e saj, manipulon faturat e shpenzimeve, investimeve në vendburime, fitimin dhe probleme të tjera, të cilat pjesërisht janë konstatuar nga KLSH dhe botuar në media.

Pasi siguroi ca fitime, nga shfrytëzimi me teknologjinë ekzistuese, për të rritur nxjerrjen e naftës nga vendburimi, si metoda të reja, ajo vuri në përdorim pompat me burmë dhe filloi shpimin e puseve horizontal, ku me siguri përdor injektim lëngjesh me presion të lartë në rezervuar (lloj çarje hidraulike), ndoshta edhe shpërthime, sepse ka krijuar tërmete të fuqishëm që shkatërruan shtëpitë dhe kontaminuan puset e ujit të pijshëm të banorëve në zonat për rreth. Përdorimi i pompave të tilla nuk ishte i panjohur për specialistët tanë të nxjerrjes para vitit 90’, janë bërë shumë diskutime, por nuk u përdorën sepse krijojnë depresion të lartë shfrytëzimi dhe në kushtet e naftës viskoze shkatërrohet rezervuari i cili ka çimentim të dobët. Puset horizontal në ranorët me trashësi të madhe rekomandohen, por shpërthimet apo injektimet me presion në rezervuar të shkriftë si në vendburimin Patos-Marinës, mendoj se janë të gabuara dhe kanë prishur strukturën e tij duke krijuar shembje dhe vënë në komunikim vertikal gjithë objektet naftë-gaz mbajtëse, mbase edhe me ato ujë mbajtëse në prerjen e puseve. Pra, puset prodhojnë njëkohësisht naftë, ujë dhe rërë, që nuk është normale, mbyten shpejt dhe ulet koefiçienti naftë nxjerrjes në vendburim. Deri në vitin 90’, sipas studimeve, çdo objekt naftë-gaz mbajtës shfrytëzohej me puse të veçantë dhe regjime të kontrolluara. Përdorimi i metodave të sforcuara shfrytëzimi, jashtë kapacitetit të tij, bëhet me qëllim për të siguruar fitime maksimale në një kohë të shkurtër, pa llogaritur pasojat dhe naftë mbetjen në rezervuar. Kjo është metodë pune e kompanive konçesionare sepse në plan kanë vetëm fitimin. Pra, vendburimet po shkatërrohen dhe çdo gjë është jashtë kontrollit.

Albpetroli dhe qeveritë, të “djathta” e të “majta”, bashkë me xholin LSI në mes që “përgjërohet” dhe për fukarallëkun e popullit, qeverisë herë me të kuqen dhe herë me ngjyrën blu, ku kjo e fundit është bërë sot ngjyrë shumë e preferuar e kostumeve për drejtuesit shtetëror partiak që kur takohen përplasin bërrylat si ata demat që kërcasin brinjët kur zihen me njeri tjetrin, thua se nuk e njohin situatën apo luajnë rolin e shurdhit dhe qorrit. Pse nuk interesohen këta se ç’bënë kjo kompani dhe si po e shfrytëzon ajo gjithë këtë pasuri në vendburimet Patos-Marinës-Kuçovë?, dhe më e keqja është se kompania, gjithmonë, raporton se “punon me humbje financiare”, për të shmangur taksat dhe ndarjen e fitimit me shtetin. Në gjithë këto vite, ajo vetëm ka shfrytëzuar barbarisht naftën dhe gazin falas, ka shkatërruar vendburimet, ka bërë dëme kolosale gjatë aktivitetit të saj dhe nuk është ndëshkuar. Kur është bërë ndonjë kontroll shtetëror, megjithëse janë gjetur shumë abuzime dhe është vënë ndonjë gjobë e lehtë, qeveritë kanë vënë njërën dorë në zemër dhe tjetrën mbi kushtetutë dhe i kanë falur ato, pra kanë mbajtur anën e konçesionarit duke i sjell dëme të mëdha ekonomisë. Pra, konçesionari bënë ligjin, gjithmonë konformë udhëzimeve që i jep kasta politike shtetërore e hajdutëve, të cilët janë bërë bashkëpronar në shfrytëzimin dhe vjedhjen e kësaj pasurie natyrore. Ky është një rast i pa precedent në botë, ku resurset natyrore pasurojnë vetëm konçesionarët dhe politikanët, të cilët vjedhin bashkë.

Vërehet shpesh se aksioner, bashkëpronar me konçesionarët, në marrëveshjet hidrokarbure apo minerare, përgojohen vetëm emra ish deputetësh dhe deputet, qeveritar dhe ish qeveritar, zyrtar të lartë dhe ish zyrtar, ish drejtues apo drejtues, ministra dhe ish ministra, oligarkë të qeverive, të cilët nuk kanë qenë të lidhur kurrë me naftën apo minierat. Nuk dëgjon të jetë aksioner ndonjë punëtor, inxhinier apo shkencëtar, të cilët i njohin mirë vendburimet dhe shkencën, dhe me to u burrëruan dhe kishin lidhur jetën e tyre. A mund të mendohet se këta kanë patur rroga më të ulta

se këta palaço politikan, apo nuk duan të blejnë aksione dhe të bëhen aksioner të pasurive që kanë zbuluar vetë dhe kanë derdhur djersën e tyre për dekada? Për vështirësi në punë, në gjithë botën, naftëtarët dhe minatorët paguhen më mirë se politikanët, nuk ju mungon dëshira për të blerë aksione dhe të bëhen bashkëpronar me konçesionarët, por nuk i afron njeri dhe kompanitë private, në përgjithësi, nuk kanë të drejtë të shesin aksione sepse nuk i kanë blerë vendburimet, nuk janë pronar të tyre, i kanë marrë falas nga shteti dhe janë vetëm operator për kohën e kontratës, pra kasta e hajdutëve nuk i ka blerë aksionet, por konçesionarët i kanë shpërblyer ata me aksione falas, për favoret që ata i kanë ligjëruar atyre në kontrata, kështu këta janë bërë “bashkëpronar” dhe vjedhin pasuritë publike. Në mbarim të kontratës, konçesionari dorëzon licencën dhe vendburimin e merr Albpetroli, pra rishtetëzohet pa kompensim. E njëjta gjë ndodh edhe kur për arsye të ndryshme, ndërpritet kontrata midis tyre. Pse kjo kastë hajdutësh, që paska kaq shumë para, nuk blenë aksione në sipërfaqet e reja të kërkimit që jepen me konçesion? Jo, atje rrisku është i lartë dhe fitimi nuk është i sigurt si në vendburimet ekzistuese në shfrytëzim.

Si është e mundur që një kompani nafte, ku investimet nuk janë të vogla, punon me humbje dhe dërgon parat tek kompania mëmë jashtë Shqipërisë? Ku i gjenë ajo këto para dhe si kanë ecur aksionet e saj? Në botën e kapitalit, çdo kompani, quhet e falimentuar financiarisht dhe ligjërisht, kur ajo punon pa fitim, ajo duhet të ndërpres aktivitetin dhe të deklaroj falimentimin. Kompania Bankers Petroleum erdhi me duar në xhepa, shteti i fali vendburimet e naftës Patos-Marinës- Kuçovë. Ajo në gjithë aktivitetin e saj abuzon rëndë me to duke përdorur shfrytëzim të sforcuar dhe nxjerr fitime kolosale, bënë ca investime për të rritur nxjerrjen e naftës për llogari të vetë, pasuron veten dhe gjithë shpurën e hajduteve. S’ka logjikë ekonomike, që kompania ka mbi 15 vjet që shfrytëzon këto pasuri kolosale, aksionet e saj kanë vetëm rritje, ajo dërgon fitimet e saj jashtë shtetit dhe punon me humbje. Kjo ndodh në Shqipëri dhe pranohet vetëm nga ekonomistë dhe zyrtarë dallaveraxhinj, sepse korrupsioni këtu është ulur këmbëkryq sot e 30 vjet në të gjitha nivelet drejtuese deri lartë në qeveri, i cili po shkatërron ekonominë dhe pasuritë natyrore.

Pse lejohen kompanitë konçesionare të dërgojnë fitimet jashtë shtetit, sidomos kur ato “punojnë me humbje” apo kanë borxhe? Në vitin 2008, punoja për një kompani, në Houston, e cila bënë studime mbi vendburimet e naftës dhe gazit, shkova disa ditë me shërbim në një degë të saj në Buenos Aires, Argjentinë. Atje mësova se, ajo me projektet nga kompanitë e naftës atje, kishte krijuar të ardhura financiare, pra fitime, por nuk i dërgonte dot në Houston, sepse taksa për transferat jashtë shtetit ishte e lartë dhe kompania kishte humbje të mëdha. Në Shqipëri, kompanitë konçesionare transferojnë tek kompanitë mëmë fitimet e tyre të mëdha në çdo kohë, sa që në disa raste, ato përfundojnë tek bandat e hajdutëve. A ka ligj që indirekt ti detyroj ato të limitojnë këto transfera që të paktën një pjesë e fitimit të investohet në vendin tonë? Pra, duhet të forcohet ligji mbi taksën që limiton ato dhe kjo e ardhur të shkojë në shërbim të ekonomisë.

Ku është roli Albpetrolit dhe shtetit në menaxhimin e pasurive natyrore, ç’farë fitimi ka ekonomia dhe pse shfrytëzohen këto pasuri “pa leverdi ekonomike”, kur në një kohë tjetër ato mund të jenë me fitim dhe pse shteti nuk i heq asaj liçencën dhe të rishtetëzoj vendburimet?

Sipas raportimit zyrtar që bënë vetë kompania çdo vit, rezulton se ajo ka “falimentuar” që në vitin e parë të aktivitetit të saj dhe duhej të ishte zbatuar ligji për falimentim. Në një shtet normal, kompania Bankers Petroleum ka vetëm këtë zgjidhje, të jetë serioze, të shfrytëzoj vendburimet me projekte të miratuara në Albpetrol, të paguaj detyrimet ndaj kontraktorëve,

taksat dhe fitimin shtetit ose zyrtarisht të deklaroj falimentimin, shteti menjëherë ti pezulloj asaj liçencën dhe të rishtetëzoj vendburimet duke dëbuar edhe klanin e hajdutëve dhe ligjërisht ajo të paguaj gjithë borxhet e krijuara. Kjo është rruga e vetme që gjërat të shkojnë në normalitet. “Falimentimi në heshtje” i saj, gjatë gjithë kohës që ajo operon këto vendburime, apo “presioni në heshtje” që ajo i bënë shtetit se gjoja ka shpallur “forcën madhore”, apo qëndrimi indiferent i tij, tregon se të dy palët janë në unison midis tyre duke shkelur hapur kontratën, bëjnë lojëra për të mashtruar publikun në mënyrë që ajo të ruajë liçencën. Çdo situatë që krijohet, në vendburimet Patos-Marinës-Kuçovë, teknikisht puset nuk mund të ndalen sepse rikthimi i tyre në punë kërkon shpenzime kolosale. Heshtja e organeve shtetërore tregon se ata janë nën diktatin e kompanisë, dhe i ligjërojnë asaj të bëjë ç’farë të dojë me këtë pasuri natyrore por vetëm të mos deklaroj falimentimin. Pandemia, në gjithë botën, po falimenton shumë biznese edhe kompani nafte të fuqishme që shesin asetet e tyre me çmime të ulta dhe askush nuk i mbron. Pse shteti mbron “falimentimin në heshtje” të Bankers Petroleum kur ajo gjithë kohën “punon me humbje”?, apo mbron bandën e korrupsionit pas saj.

E njëjta histori dhe model kontratash kanë edhe vendburimet e tjera të naftës të dhëna me konçesion. Në vitin 2007, qeveria Berisha i fali partnerit të ish deputetes së PD, Arian Tartari, vendburimet Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, Ballsh-Hekal dhe Delvinë, sepse motra e saj punonte pranë tij. Ai nuk është inxhinier nafte, s’kishte as kompani dhe as eksperiencë apo kapital investues, por pasi mori dhuratën e çmuar nga qeveria, ai u lidh me inxhinierin grek, Sotirios Kapotas, dhe krijuan kompaninë “Stream Oil and Gas”, e cila u transferua menjëherë në Kanada. Pa bërë asnjë investim, i shfrytëzoi barbarisht deri në shterim këto vendburime për 10 vjet, nuk pagoi detyrimet kontraktorëve, Albpetrolit, dhe shtetit, por vetëm la pas ca borxhe dhe u largua duke i shitur ato, tek kompania amerikane “Transatlantik Petroleum Ltd”, sikur të ishte pronar i tyre. Kjo e fundit, prapë bëri të njëjtën gjë, i shiti ato tek një kompani “offshore”, fantazmë. Kështu vazhdoj historia e tyre, deri sa në 2017, kur i doli gjumi Damian Gjiknurit dhe nuk i pëlqeu kontrata, e prishi atë dhe i riktheu vendburimet Albpetrolit. Sikur mos mjaftonin gjithë këto aventura me vjedhje pasurie, ky i fundit, “duke mos patur depo për të futur naftën” dhe “duke mos vënë mënd akoma” nga dështimi i plotë me kompanitë konçesionare, nëpërmjet allishverisheve i dha prapë me konçesion, vendburimet Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, dhe Gorisht-Kocul-Amonicë, tek ca kompani të tjera mafioze që vështirë se mund t’i gjesh sakët emrat dhe adresën e tyre. Ka të dhëna, se themeluesit Kapotas-Tartari, megjithëse borxhlinj në Albpetrol dhe shtet, kanë arritur prapë të futen në biznesin e naftës në disa nga këto vendburime, sepse kudo në botë nuk gjenë vendburime falas dhe fitimin ta marrësh të gjithë për vete si në Shqipëri, por tani kanë pagëzuar kompaninë e tyre me emër tjetër, me siguri me aprovimin dhe firmën e Albpetrolit dhe ministrit. Mbase është taktikë e qeverisë, që fal pasuritë publike për të ulur tempin e denoncimit të korrupsionit shtetëror, që në këtë rast lidhet direkt me ish deputeten e opozitës, Vokshi, e cila kohët e fundit është bërë tepër agresive dhe flet vetëm për korrupsionin në nivele të larta qeveritare. Kjo është bërë metodë vjedhje midis qeverisë dhe opozitës PD+LSI në Shqipëri, ku kjo e fundit sa herë leh se gjoja denoncon aferat korruptive të qeverisë, tregon se nuk kanë rënë dakord me pazarin midis tyre dhe qeveria për ti mbyllë gojën, i jep ndonjë tender, apo vila ose i jep kesh kur i prish ndonjë pallat të ndërtuar pa leje, pra qeveri-opozitë janë një dhe gjahun e ndajnë bashkë. Nuk po zgjatem më sepse të njëjtën histori grabitje ka edhe vendburimi Visokë. Është vërtetë marrëzi, që në këto 30 vite, shteti fal pasuritë publike vetëm në kompani mostra, pa identitet, që bashkë me shtetin vetëm i vjedhin ato dhe nuk paguajnë asnjë detyrim.

Vërehet se qeveritë insistojnë fortë dhe me çdo kusht kërkojnë vetëm kompani të huaja, gjoja me “eksperiencë të madhe dhe kapital financiar”, për të operuar në kërkim-shfrytëzimin e naftës dhe gazit apo minierat e kromit, bakrit, hekur nikelit, fabrika, uzina, ndërmarrje prodhimi, etj., që janë në aktivitet ose ndalur për arsye subjektive. Pse nuk i japin ato me konçesion, në përdorim, këto pasuri vetë punonjësve duke ruajtur formalisht pronësinë shtetërore? Eksperienca jonë mbi konçesionet e pasurive natyrore dhe ndërmarrjet tek të huajit, apo shitja që u bë nga banda qeveritare e hajdutëve PD+LSI e 4 HEC-eve fitimprurës, Bistrica-1, 2, Ulëza dhe Shkopeti, etj., me çmime qesharake për qëllime elektorale dhe për të mbushur xhepat e tyre, kompanisë turke Kurum, ka dështuar plotësisht dhe ka sjell dëme të pa riparueshme në ekonomi dhe në jetën sociale të popullsisë. Kompanitë e huaja jo vetëm nuk sjellin thasë me para për të investuar apo eksperiencë ose teknologji të reja për të rritur prodhimin, që ne “budallenjtë” nuk i kemi njohur. Ata vijnë, pasurohen, nuk paguajnë detyrimet, dhe pastaj mendohen mirë n.q.se mund të bëjnë ndonjë investim minimal apo jo. Ky është realiteti i hidhur dhe këto janë rezultatet. Edhe sikur paratë nga shitja e tyre të shkonin për ekonominë nuk mjaftonin, sepse ajo do investime prapë dhe po i shitëm të tëra çdo bëjmë për më tej? Nuk shitet pula sepse ajo bënë vezë gjithmonë. Kjo mënyrë qeverisje që fal pasuritë natyrore konçesionarëve hajdut apo shet veprat dhe pasuritë publike fitimprurëse, gjoja për të zhvilluar ekonominë, ka në themel vetëm korrupsionin.

Kompanitë mostra që kontrollojnë vendburimet dhe ndërmarrjet e naftës në Shqipëri, vetëm kompani konçesionare nuk janë. Ato bëjnë pjesë në atë grup kompanish, të dorës së fundit, që krijohen enkas pasi marrin ndonjë kontratë nga persona me njohje dhe lidhje interesash korruptive, që bëjnë ca fitime dhe zhduken. Disa nuk kanë adresë, administratë dhe specialist, por përdorin ato të kompanive tona, pra janë thjeshtë persona fizik, në çdo drejtim fallco dhe të shkathët për të mashtruar, pa kapital financiar, që gjurmojnë shtetet me ekonomi të dobëta, me demokraci të brishtë dhe që drejtohen nga politikan të korruptueshëm, që nuk konkurrojnë dot në tregun e biznesit në shtetet e konsoliduara, sepse nuk plotësojnë asnjë kriter. Objektivi i vetëm i tyre është pasurimi pa investuar asgjë, futen në të gjithë llojet e bizneseve sepse nuk zotërojnë asnjë lloj eksperience dhe për ta fitimi minimal është prapë me leverdi pasi vijnë nga hiçi.

Në përgjithësi, ndërmarrjet tona në çdo degë të ekonomisë, duke përfshirë dhe pasuritë natyrore përdornin teknologji dhe metoda të reja bashkëkohore, ishin rentabël dhe nuk kërkonin rinovim. Megjithëse, një pjesë e tyre, u vodhën dhe shkatërruan për ti privatizuar me çmime të ulta, nga bandat vandale famëkeqe të llumpenit që hodhi qeveria e PD-së kundër popullit në 97’, disa u shpëtuan nga vetë punonjësit, por ka akoma të tjera jo në aktivitet, punëtorët enden rrugëve dhe vënia e tyre në punë nuk kërkon investime kapitale. Dhënia e tyre me konçesion vetë kompanive është varianti më i mirë fitimprurës për ekonominë, sepse fitimi ndahet me shtetin. S’ka arsye pse të pasurojmë konçesionarët e huaj, me çfarëdo lloj kontrate ata janë të pakontrollueshëm, bile edhe në shtetet serioze me eksperiencë të konsoliduar në fushën e konçesioneve dhe jo më në Shqipëri ku shteti është inekzistent, ligjet nuk zbatohen dhe korrupsioni në nivelet drejtuese është i pashmangshëm. Falja e pasurive hidrokarbure dhe minerare të zbuluara dhe zhvilluara me parat e popullit, apo shitja e veprave ku për dekada ishin në shfrytëzim dhe sillnin të ardhura, për mendimin tim është krim ekonomik, i cili duhet hetuar me hollësi nga organet e drejtësisë.

Vendi ynë ka shumë resurse natyrore të pa zbuluara dhe zhvilluara, si në tokë dhe në zonën e shelfit detar, të cilat sot për sot shteti nuk ka fuqi financiare për t’i vënë ato në shërbim të ekonomisë, sepse kërkojnë investime kapitale, kanë rrisk të lartë dhe duan kohë të gjatë. Po

ashtu, hapja me ekonominë botërore të tregut lejon futjen e fabrikave ose teknologjive të reja në degë të ndryshme të industrisë që sot janë privilegj i shteteve të zhvilluara, të cilët i afrojnë ato në vendet ku krahu i punës është i lirë. Këto mund të lejohen me konçesion kompanive të huaja apo vendase, me kontrata të rregullta, të favorshme për të dy palët, dhe vetëm n.q.se ato kanë projekte serioze, eksperiencë dhe kapital investues të sigurt. Por ndodh dhe kështu, kompania Shell, n.q.se është vërtet ajo, me emër të madh, e fuqishme dhe e përhapur në gjithë botën, ka vite që ka marrë me konçesion sipërfaqe perspektive për kërkimin dhe prodhimin e naftës, si rreth Shpiragut, etj. Dëgjuam që ka testuar dy puse pozitiv, është zbuluar një “det i madh nafte”, por deri tani nuk ka asnjë pus në shfrytëzim që të sjell të ardhura për kompaninë dhe shteti të marr fitimin, sepse ekonomia ka nevojë. Pra, dhe faktori kohë ka rëndësinë e vetë. Po të ishte për 30-40 vjet, mbase vetë i ndjeri Albpetrol, n.q.se nuk do kishte zhvilluar biznesin e tij të famshëm, korrupsionin, do ti zinte dora ndonjë lekë, dhe mund t’a zbulonte vetë këtë vendburim.

Flitet se këto puse, janë projektuar para 30 vjetësh nga specialistët e Institutit Gjeologjik, por me këto ritme të ulta shpimi, Shelli do dekada ta konturoj dhe vërë në shfrytëzim vendburimin, për të mos thënë të fundit që edhe mund të tërhiqet sepse, copa mund të mos jetë shumë e majme, dhe me këto ritme, kostua e zbulimit mund të rezultojë e lartë. Kjo ndodh sepse kompania nuk ka eksperiencë për shpime të thella në zonën tektonike Jonike dhe me sa kuptohet nuk i pëlqen konsultimi ose bashkëpunimi me specialistët tanë, të cilët qëndrojnë shumë lartë. Situatë e njëjtë ishte dhe me kompaninë konçesionare “Stream Oil and Gas”, që operonte vendburimin e gazit Delvinë, dhe me pasardhësen e saj, “Transatlantik Petroleum Ltd”, që për arsye teknike, nuk e shpuan deri në projekt pusin e projektuar nga Instituti Gjeologjik, Delvina-34, jo vetëm kaq por ndotën dhe ujin e pijshëm të qytetit Delvinë. Kjo sepse ata nuk kishin eksperiencë në këtë zonë dhe nuk pëlqenin këshilla nga specialistët tanë. Pra, këto probleme duhet të ishin diskutuar me ta dhe të ligjëroheshin në kontratë, kështu mund të hapeshin vende pune edhe për specialistët tanë. Ç’farë fitoi shteti nga ky vendburim? Asgjë, vetëm humbje dhe borxhe.

Kompanitë konçesionare, erdhën me xhepa bosh, bëjnë ç’farë duan me pasuritë tona natyrore, u bënë pronar të tyre, i shfrytëzojnë ato pa projekte, barbarisht, përdorin eksperiencën e punëtorëve dhe specialistëve tanë të talentuar, mund të bëjnë ndonjë investim të vogël po ju doli hesapi, nuk ndjehen fare borxhli ndaj shtetit, i shesin ato pasuri tek simotrat e tyre në çdo kohë dhe sa të duan si mall pa zot, largohen me xhepa plotë, por me kokën pas se po nuk gjetën ndonjë qorr tjetër, një ditë mund të kthehen prapë dhe gjithmonë janë të mirëpritur, sepse ne jemi popull bujar. Prandaj, dhënia me konçesion vetë punonjësve që punojnë me to është avantazh i madh, sepse në aspektin e kapitalit financiar ato janë në kushte të njëjta se të dy palët e fillojnë nga zero dhe kur të pasurohen do investojnë për metoda dhe teknologji të reja, por koha tregoi se të huajit nuk sjellin as eksperiencë nga jashtë, kurse kompanitë tona e kanë atë me bollëk mbasi për dekada i kanë përpunuar mbi baza shkencore ato vendburime. Pra, pasuria mbetet shtetërore, zhduken abuzimet dhe kasta e hajduteve dhe shteti merr fitimin e tij. Atëherë pse janë më të preferuara kompanitë e huaja dhe jo kompanitë tona? Kjo sepse ato plotësojnë kriterin bazë për zyrtarët dhe politikanët tanë, ju garantojnë atyre korrupsionin. Kështu pra, qeveria fal pasuritë natyrore, ku janë investuar në dekada parat e popullit dhe djersa e punëtorëve, inxhinierëve dhe gjeologëve, gjatë sistemit komunist, që sot enden nëpër botë, pasuron hajdutët dhe konçesionarët e huaj, duke i vjedhur bashkë ato, ndërsa shteti merr borxhe pafund dhe populli prapë paguan. Në një vend të pasur si Shqipëria, populli është fukarallosur si në stepat e Afrikës, intelektualëve i ka ikur zëri, një pjesë e pensionistëve naftëtar nuk ankohen më sepse u kënaqën me ca thërrime të

“statusit” të premtuar në vite, dhe drejtësia dënon ndonjë fukara që vjedh energji elektrike, por shpresoj që drejtësia e re me rroga të mira, largqoftë, të mos vallëzoj me zyrtarët e korruptuar, ku milionin e kanë pare xhepi. Sa gjatë do vazhdojmë kështu?, një dreq e di.

Është një mrekulli e artë që shteti të japi me konçesion, me kontratë, pasuritë natyrore, uzinat, fabrikat dhe veprat e tjera punonjësve, të krijoj kompani me vetëfinancim dhe formalisht të ruaj pronësinë shtetërore të tyre. Punonjësit, janë në gjendje të zgjedhin vetë një bord modest me njerëz serioz dhe të përgjegjshëm, të përberë nga punëtor dhe specialist me eksperiencë, për drejtimin e kompanisë. Shteti nuk duhet të ndërhyj për të futur në këto borde politikan. Ka ikur koha kur ndërmarrjet, institucionet shkencore apo administratat e tyre drejtoheshin kryesisht nga anëtar partie dhe kudo drejtonte partia. Në kapitalizëm kompanitë nuk kanë nevojë për politikan, ato duan punëtor, specialist, inxhinier dhe shkencëtar të përgatitur që ti paraprijnë zhvillimit të shkencës dhe rritjes së prodhimit me kosto sa më të ulët. Shteti ti mbështesë ato me ligje për funksionimin normal ose me ndonjë investim në rast se duhet për qëllime sociale, sidomos në raste krizash. Kompanitë dhe institucionet shkencore të naftës, duhet të varen dhe të kontrollohen direkt nga korporata shtetërore e naftës, Albpetroli, po ashtu dhe ato minerare nga korporata e tyre. Është nevojë urgjente që shteti të forcoj atë me specialist të aftë jo partiak, dhe nuk duhet të synoj privatizimin e tij. Të forcoj ndërmarrjet e shërbimit në vartësi të tij, të riformoj Institutet e Naftës me detyrë për të kryer studime gjeologo-gjeofizike mbi vendburimet, kërkimet e reja, prodhimin e hidrokarbureve për llogari të Albpetrolit, dhe të mbështesë kompanitë e huaja apo të vendit me kapital privat që kanë aktivitet në territorin tonë, me asistencë teknike, studime, analiza, shërbime, etj. Përgatitja e paketave me të dhënat për kompanitë konçesionare, lidhja e kontratave, apo kontrolli në zbatimin e tyre janë probleme tekniko-shkencore-financiare që zgjidhen midis Albpetrolit dhe Instituteve të Naftës.

Sot bota është e hapur, shumë shtete vuajnë mungesën e pasurive natyrore, por janë të interesuar për të prodhuar dhe shitur teknologji për çdo degë të industrisë, duke përfshirë edhe shërbime konsultimi, ndërsa bankat e niveleve të ndryshme ose investitor privat janë të gatshëm të japin kredi për të investuar kapitalet financiare të tyre në kompanitë prodhuese, sidomos në fushën e hidrokarbureve, bazuar në studime dhe projekte shkencore serioze për zhvillimin e tyre. Bordet e kompanive krijojnë vetë marrëdhënie kontraktore me kompani të ndryshme pa pjesëmarrjen e shtetit, brenda dhe jashtë vendit, për lëndën e parë, teknologjinë bashkëkohore, asistencën teknike, shërbime të ndryshme dhe shkëmbim eksperience, burime financiare, hartojnë planin e zhvillimit dhe buxhetin financiar të saj, paguajnë detyrimet ndaj kontraktorëve, privatëve, shtetit, etj. N.q.se shtetit nuk i intereson të ketë nën vartësinë e tij kompani me kapital financiar dhe aktivitet të kufizuar, por jo uzinat, fabrikat, ndërmarrjet strategjike apo pasuritë natyrore, etj., bënë vlerësimin e tyre dhe ja shetë ato punonjësve të saj, në rast se ata janë të interesuar, por mund të mbajë vetë një përqindje të kapitalit për të rritur rolin e tij në ekonomi, në të kundërtën i jep ato tek investitor vendas ose të huaj, por gjithmonë në marrëveshje me bordin e kompanisë.

Një nga momentet ku kompanitë konçesionare, sidomos ato të prodhimit, bëjnë abuzime dhe manipulime është tregtimi i hidrokarbureve nga ana e tyre. Shteti nuk duhet ti lejoj, por ti detyroj ato me ligj që naftën, gazin ose karburantet nuk duhet ti tregtojnë vetë nëpërmjet doganave të korruptuara, brenda ose jashtë vendit, sepse në marrëveshje midis tyre abuzojnë me sasinë që prodhohet, shitet dhe dokumentohet. Exportin e hidrokarbureve e menaxhon vetëm shteti, prandaj Albpetroli, duhet të krijojë kompaninë shtetërore të eksport-importit të hidrokarbureve

ose private, por nën kontrollin e tij. Ajo është përgjegjëse për shitjen e naftës bruto, gazit ose karburanteve brenda dhe jashtë vendit nëpërmjet doganës, kështu ndërpritet lidhja midis prodhuesit dhe konsumatorit duke përdorur si ndërmjetës doganën, si dhe mënjanohen abuzimet dhe korrupsioni. Kështu e ka zgjidhur bota, konçesionari është operator prodhues, nuk merret me tregtinë e naftës, gazit, apo karburanteve. Gjithashtu, kjo kompani mund të importoj ato në rast nevoje, pra ajo lidh kontrata me prodhuesit, konsumatorët, për sasinë, çmimin, dhe nëpërmjet doganës i tregton ato, brenda ose jashtë vendit, me çmim tregu. Kështu furnizohen me lëndë të parë edhe rafineritë e naftës. Ajo specializohet në tregun e hidrokarbureve.

Eksperienca tregon se atje ku korporata shtetërore e naftës, ka falimentuar ose është privatizuar, industria e naftës është shkatërruar, ligjin mbi pasuritë natyrore e bëjnë kompanitë private, por kjo është shoqëruar me dëme ekonomike. Si shembull po përmend korporatën shtetërore të naftës në Bullgari. Ajo ishte e fuqishme me aktivitet brenda territorit të saj, por gjithashtu kishte marrë disa sipërfaqe me konçesion për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës në territorin Libian. Atje kishte bërë shumë investime, kishte zbuluar dhe përgatitur për shfrytëzim rezerva të mëdha hidrokarburesh. Mirëpo, me ndryshimin e sistemit politik në Bullgari, ajo falimentoi dhe shteti nuk e suportoj. Pra, shteti Bullgar shkatërroj industrinë e naftës dhe korporatën me gjithë investimin që ajo kishte bërë në shtetin Libian.

Kjo mënyrë organizimi ka shumë avantazhe sepse çdo kompani punon me vetëfinancim, dhe pasuria e tyre, pas mbarimit të çdo kontrate, i mbetet formalisht shtetit, prodhimi ndahet nga politika, punonjësit janë më të interesuar për punën, rritjen e prodhimit dhe të ardhurat financiare të kompanisë si dhe për vete, i ndërpritet rruga abuzimeve dhe vjedhjeve ordinere, korrupsionit të drejtueseve dhe zyrtarëve shtetëror, etj. Shteti ushtron kontroll të rreptë mbi aktivitetin financiar të tyre, merr taksat dhe fitimin mbi të ardhurat nga prodhimi, zgjeron politikat ekonomike, duke bërë edhe investime për të zgjeruar aktivitetin e tyre dhe hapur vende të reja pune, si dhe mund të bëhet bashkëpronar n.q.se është i interesuar.

Për sa është trajtuar më sipër, ajo që po ndodh me pasuritë natyrore kombëtare në Shqipëri, në këtë periudhë tranzicioni, është vështirë se mund të gjendet një model i ngjashëm në ndonjë vend tjetër në botë. Kjo ndodh sepse shteti dhe ekonomia në të gjithë sektorët e saj, është drejtuar nga politikan sharlatan, të papërgjegjshëm, njerëz matrapaz, pa dinjitet dhe edukim, pa vizion dhe projekte konkrete, hajdut të babëzitur dhe të korruptueshëm, gënjeshtar dhe servil, politikan të lidhur me krimin, pa ideale dhe atdhetarizëm, të cilët çfarë nuk i kanë bërë popullit dhe pasurisë kombëtare.

Me kartën e antikomunizmit në dorë, janë përjetësuar në politikë dhe drejtimin e shtetit, me të vetëmin objektiv pasurimin pa kufi të gjithë trungut të tyre familjar, ndërsa për të mbrojtur veten, familjet e tyre dhe pasuritë që i grabisin popullit, dhe për të krijuar një reputacion të mirë në organizmat ndërkombëtare si zgjidhje kanë gjetur vetëm faljen ose shitjen me çmime qesharake, tek kompanitë e huaja pasuritë publike. Vitet ikin njeri pas tjetrit, ajo vidhet dhe shkatërrohet çdo ditë nga kjo kastë politike, pa dallim, ku nëpërmjet pazareve me kontratat janë bërë bashkëpronar me konçesionarin.

Ka zëra se në çdo konçesion, pas tyre ka njerëz me pushtet dhe politikan të niveleve të larta që vjedhin këto pasuri bashkë me konçesionarin dhe drejtësia nuk vepron. Kjo duhet të jetë arsyeja që pagat e punonjësve mbahen, qëllimisht, në nivele të ulta, që mos të preket fitimi i konçesionarit dhe kastës së hajdutëve.

Qeveria duhet të analizojë pa humbur kohë kontratat, planin e investimeve, mosrealizimet, abuzimet, manipulimet, shkeljet, etj., për çdo konçesion. Ato janë me bollëk dhe me siguri të gjitha të çojnë tek ndëshkimi i konçesionarëve, me zgjidhje kontrate, heqje liçence dhe rishtetëzim të pasurisë publike, ndërsa për organet e reja të drejtësisë sugjerojë se “në detet e naftës tonë ka plotë peshkatar”, politikan hajdut që fshihen pas konçesioneve, ndryshe gjërat nuk shkojnë kurrë në normalitet.

*Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike

Specialist dhe ish-shef i kabinetit të vendburimeve në Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier

4 komente në “Konçesionet që shkatërrojnë çdo ditë pasuritë natyrore hidrokarbure dhe falimentimi i heshtur i Bankers Petroleum”

  1. Lead says:

    Inxhinieri Jorgji Karaja i ka thene keto shpjegime rreth 15 vite me pare ne nje artikull te botuar por asnjehere nuk jane mare parasysh dhe asgje nuk ka ndryshuar.

  2. Kim été says:

    Pati shum kandidat serioz për shitjen e Albpetrolit ne kohen e Berishes, por budallai përkrahu shmangjen nga falimentimi te kesaj kompanie duke demtuar ekonomin me afro 500 milion USD.

  3. Olimpia says:

    Jam dakord me inxhinierin e nderuar
    Por per tu kthyer drejte rruges se drejte te zhvillimit te te gjithe industrise perfshi edhe ate te naftes kerkohet nje ndryshim themelor mbi rolin e shtetit ne ekonomi Teoria hiperliberale ku cdo gje ne prodhim i lihet privatit shkaterroi komplet ekonomine shqiptare dhe perzuri gati gjysmen e fuqise punetore dhe te specialisteve nga vendi
    Ne se PS kerkon akoma votat e popullit te majte duhet te beje nje kthese rrenjesore drejt politikave te majta rindustrializim rishperndarje te drejte te te ardhurave punesim te rinise rroga minimale qe garantojne minimumin jetik
    Nuk ka rendesi me apo Ramen problemi eshte ekonomia Kush eshte ne gjendje te realizoje nje program zhvillimi ekonomik pozitiv meriton drejtimin e se majtes Te tjerat jane fjale pa vlere

  4. Frenky says:

    … une jesh mesuar te veja atje…
    dhe rakia behet dhe nga rrushi, thote Cufi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje