Lamallari viziton policët e plagosur në spital: Molotovarët e djeshëm janë ata që hedhin gurët e sotëm ndaj efektivëve

2 Korrik 2026, 13:00Kronika TEMA
Lamallari viziton policët e plagosur në spital: Molotovarët e

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, vizituan në Spitalin e Traumës dhe në QSUT, 3 punonjësit e Policisë së Shtetit të mbetur të plagosur gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë. Pas interesimit për gjendjen shëndetësore të efektivëve dhe takimit me stafin mjekësor, ministri Lamallari dënoi me forcë aktet e dhunës të ushtruara ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.

“Ndodhem në Spitalin e Traumës, ku vizitova bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dy punonjës të policisë, të cilët janë dëmtuar nga hedhja e gurëve në drejtim të tyre. Ndonëse dëmtimet janë në kokë, në pjesën frontale, ndërhyrja e menjëhershme e ekipit mjekësor për të bërë ekzaminimet përkatëse dhe ndërhyrjet me qepje, dua të siguroj së pari familjarët, se gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar. Nga ana tjetër, kam edhe një mesazh për të gjithë ata vandalë, të cilët guxojnë të hedhin gurë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit: Janë identifikuar, do të shoqërohen dhe do të vihen para drejtësisë! Do të marrin përgjigjen më shembullore, që parashikon ligji për ta! Kjo nuk ka të bëjë fare me protestën dhe me shprehjen demokratike të mendimit ndryshe, ky është thjesht një akt kriminal”, tha ministri Lamallari.

Në një postim në rrjetet sociale, ai e cilësoi sulmin ndaj punonjësve të Policisë si sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues.

“Askush nuk ka të drejtë të abuzojë në emër të së drejtës kushtetuese për tubim dhe manifestim paqësor dhe ta shndërrojë atë në dhunë flagrante me gurë të hedhur ndaj punonjësve të Policisë. Secili prej tyre që sot ngriti dorën ndaj punonjësve të ligjit do të ketë të njëjtin fat si frymëzuesit e tyre me molotovë dje dhe që sot fshehën duart duke mos ardhur në Parlament. Shoqërimi i tyre nga Policia e Shtetit është vetëm hapi i parë në rrugën pa kthim që ata kanë zgjedhur në përballjen me drejtësinë dhe forcën shembullore të ligjit. Shpreh mbështetjen e plotë për çdo punonjës të Policisë së Shtetit që, me profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje, vijon të përmbushë misionin e tij në mbrojtje të qytetarëve dhe të ligjit”, nënvizoi ministri.

1 Komente

  1. U
    Uu

    Ne Londer ne nje rast te tille personi u denua 9 vite burge.... Zbatoni ligjin

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje