Në orën 20:45 Shqipëria zbret në fushën e lojës për të hapur siparin e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve. Përballë është Bjellorusia, e cila luan në shtëpi, megjithëse do të jetë një ndeshje pa tifozë. Janë zbardhur edhe formacionet zyrtare të kësaj ndeshje, ku nuk ka asnjë surprizë nga ajo çka ishte raportuar nga mëngjesi i sotëm në medie në lidhje me 11-shen, që do zbriste në fushë.
Luhet me skemën klasike të Rejas, 3-5-2. Në portë është ylli i Lacios, Tomas Strakosha, ndërsa para tij është Gjimshiti, Dermaku dhe Veseli. Në mesfushë luajnë Hysaj, Abrashi, Bare, Gjasula dhe Trashi, i cili këtë ndeshje do të luajë si i majtë dhe në sulm është dyshja Manaj-Cikalleshi.
Formacion i imponuar për Rejën, që vjen në këtë ndeshje me shumë mungesa, ku vihet re ajo e Kumbullës, Ismajlit apo Ramadanit. Ndërkohë nga stoli e nisin Roshi e Sadiku, që pritet të marrin minuta në këtë ndeshje. Gjithashtu Balaj e Çekiçi janë dy lojtarë, që mund t’i hyjnë shumë në punë trajnerit Reja.
Shqipëria: Strakosha, Veseli, Gjimshiti, Dermaku, Hysaj, Gjasula, Bare, Abrashi, Trashi, Cikalleshi, Manaj.
Bjellorusia: Gutor, Zolotov, Martinoviç, Naumov, Bordaçev, Nekhjajçik, Iablonski, Seliava, Staseviç, Dragun, Lisakoviç.