Njohja e Maqedonisë, e nxituar apo në kohë: Çfarë më tha Gligorovi për rëndësinë e mbështetjes nga Shqipëria

11 Shtator 2020, 12:07Dossier TEMA
Njohja e Maqedonisë, e nxituar apo në kohë: Çfarë

Leonidha Mertiri

Makthi i Shkupit per njohjen sa me shpejt nga Tirana zyrtare. Si u prodhua lajmi per njohjen e Maqedonise ende pa e njohur. Vendimi per njohjen dhe dilemat e faktorit shqiptar per kete.

Nga Leonidha Mertiri*

10 prill 1993

ASNJË KOMUNIKIM PËR NJOHJEN E MAQEDONISË

Mbrëmë, Presidenti Kiro Gligorov, i porsakthyer nga Nju Jorku, pas mbajtjes së fjalimit të parë në maqedonisht në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dha një pritje me rastin e pranimit të Maqedonisë si anëtare e 181-të e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me emrin “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”. Ishim ftuar dhe ne, tetë diplomatët që përfaqësonim shtetet tona në Shkup. Kiro Gligorov, i qeshur dhe i përzemërt, takonte një për një të pranishmit. Në sallë sundonte një klimë ngazëlluese. Të gjithë dukeshin të lumtur. Përfaqësuesit e VMRO-së nuk kishin ardhur.

Iu afrova Presidentit, duke pritur ta takoja. Më lejoni, i thashë, pas shtrëngimit të duarve, t’u përcjell urimet më të mira të Presidentit Berisha, telegramin e urimit të të cilit unë e kisha dërguar një ditë më parë në kabinetin e tij, sikurse dhe të Ministrit Serreqi për homologun e tij në Ministrinë për Marrëdhëniet me Jashtë. Transmetoju dhe ju, zoti Konsull, tha ai, falënderimet më të mira dhe shtoi: Dorën e ngrohtë të Shqipërisë e kemi ndierë gjatë tërë kësaj kohe të vështirë për Maqedoninë. Ndihem i lumtur, vazhdoi ai, që dhe vizita e Kryetarit tuaj të Parlamentit, siç më informuan, ishte shumë e dobishme dhe se kontakte të tilla në të ardhmen do t’i kemi edhe më të shpeshta.

Sapo u ndava me Presidentin, pak më tutje më pritnin disa prej deputetëve shqiptar: Eshref Aliu, i cili ishte i vetmi deputet shqiptar, që shoqëroi Presidentin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Muhamed Halili, koordinatori i Grupit Parlamentar, Abdurahman Haliti, Sefedin Haruni, ministrat Xhevdet Hajredini dhe Iljaz Sabriu.

Kishte kaluar rreth gjysmë ore, kur më vjen deputeti Ismet Ramadani. Me Ismetin takohem vazhdimisht. Madje, me “Fiqan”, makinën e tij, siç e quaja unë, “të çuditshme”, prodhim i “Zastavës”, që zhurmonte si traktor, kemi shkuar në disa zona jashtë Shkupit, ku jetojnë shqiptarë. Të kërkon Presidenti, më thotë ai. Ç’kishte ndodhur? Dikush kishte dëgjuar në radio lajmin se Shqipëria kishte njohur Maqedoninë dhe sapo ia thanë dhe Presidentit. E takova sërish atë dhe i thashë se nuk kisha ende njoftim dhe po interesohesha menjëherë. Bashkë me shefin e Kabinetit të Presidentit, u ngjitëm një kat më lart në zyrën e tij për t’u lidhur me Tiranën. Askush nuk përgjigjej. Ishte ditë e shtunë dhe vështirë të gjeje dikë në zyrë në atë orë të vonë të mbrëmjes. Madje, nuk përgjigjej askush dhe nga Zyra e Shifrës dhe Faksit të Ministrisë së Jashtme, ku shërbimi ishte 24 orësh. Ndërkohë, më duhej t’u jepja përgjigje dhe gazetarëve maqedonas dhe shqiptarë, që më prisnin në sallë, me antenat ngritur ndaj çdo vendi për njohjet më të freskëta, duke u kërkuar të falur, se nuk kisha asnjë përgjigje nga Tirana dhe se shumë shpejt do t’ua ktheja borxhin me intervistën që prisnin me këtë rast nga unë.

27 prill 1993

NJOHJA E MAQEDONISË,

E NXITUAR APO NË KOHË?

Më 26 prill 1993, përmes një deklarate, Shqipëria, ndër vendet e para, bëri të ditur njohjen nga ana e saj të pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Maqedonisë, vetëm pak ditë pasi ajo ishte njohur nga OKB-ja. Bëhemi kështu, vendi i dytë fqinj që njohim shtetin e pavarur maqedonas. E para është Bullgaria, e cila e njohu atë, por jo kombin dhe gjuhën maqedonase, sepse sllavët e Maqedonisë ajo i konsideron bullgarë dhe gjuhën maqedonase si dialekt të gjuhës së saj.

Vendimi i qeverisë shqiptare është i drejtë. Ai e obligon Maqedoninë, e njohur ndërkombëtarisht dhe sovrane, të ndërtojë një shtet ligjor dhe një shoqëri demokratike, duke u bërë faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Sapo është mësuar kjo, kanë filluar të bien telefonat në përfaqësi. Njerëz të njohur e të panjohur nga radhët e shqiptarëve, midis tyre dhe deputetë, shprehin habinë për këtë njohje, duke e etiketuar atë “të nxituar”. Disa shkojnë dhe më tej, se “vendi amë na tradhtoi”, “Shqipëria na la në baltë”, “Maqedonia na do skllevër të saj”. I mirëkuptoja të gjithë, madje dhe ndonjërin, gjuha e të cilit kalonte çdo cak. Ato u përsëritën dhe në emisionin televiziv në gjuhën shqipe të RTM-së, ku sot pasdite isha i ftuar në studio pas deklaratës së djeshme. Drejtuesi i emisionit, një gazetar i njohur, si ta ndjente veten fajtor, përpiqej të më lehtësonte nga “rrebeshi” i pyetjeve të shikuesve. Megjithatë, ndihesha i qetë.

Ky shqetësim u rrit dhe për faktin që sot disa media të shkruara informonin se, tani dhe Shqipëria do të jetë për pranimin e Maqedonisë në KSBE. Shqiptarët kanë qenë vazhdimisht për t’i vënë kushte asaj për gjithçka, ndaj dhe çdo favorizim nga ana jonë shihet me dyshim, teksa qeveria maqedonase, në vend që të bëjë hapa për njohjen e të drejtave të tyre njerëzore e kombëtare, në disa drejtime, si në fushën e arsimit, ku situata është veçanërisht e mprehtë, por dhe në aspekte të tjera që i kemi përmendur, ecën në të kundërt. Ndaj dhe insistohet nga shqiptarët, që dhe në mbledhjen e këtij muaji të KSBE-së, Shqipëria të votojë kundër anëtarësimit të Maqedonisë në këtë organizëm të rëndësishëm.

28 prill 1993

SHQIPTARËT GJITHMONË FAJTORË…

Premtimet nga pala maqedonase janë bërë gjëja më e zakonshme në bisedimet me të. Dhe jo vetëm kur është fjala për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, si bashkështetas, por edhe për ngjarje të tilla të provokuara nga policia, megjithë “paanësisë” së premtuar, të vënë në ingranazhet e zvarritjes, fajtorët përsëri janë të sigurt: shqiptarët. Ka gjashtë muaj që kërkohet të zbardhet ngjarja e Bit Pazarit e 5 nëntorit të vitit të kaluar, ku në këtë lagje të Shkupit, policia vendase vrau tre shqiptarë dhe një maqedonas. Pas zhurmës së qëllimshme që u bë, Beogradi, i parapriu asaj me etiketimin “trazirë”, “rebelim shqiptar” dhe i shprehu qeverisë së Maqedonisë gatishmërinë për të dhënë ndihmën e vetë, të cilën, realisht, kjo e refuzoi. Dhe ja…pas kaq muajsh, ngjarja e Bit Pazarit ishte sot në rendin e ditës së Kuvendit. Skenari, po ai, me përfundimin: policia në vrasjet e tyre ka vepruar në bazë të kompetencave. Në takimin e Presidentit Berisha me Presidentin Gligorov në Ohër, me rastin e hapjes së pikave të reja kufitare, ndryshe u trajtua ky problem. Tani Kuvendi, “çuditërisht” ka vlerësim tjetër.

Ljubomir Frçkovski

Në këtë seancë të rëndësishme diskutuan vetëm deputetët shqiptar rreth raportit që u dha në emër të qeverisë nga Ministri i Punëve të Brendshme, Ljubomir Frçkovski. Asnjë nga deputetët maqedonas nuk e mori fjalën. Fliste raporti për ta. Në këtë ngjarje, ai përzien dhe shqiptarë të Kosovës. Shqiptarët hodhën poshtë me argumente konkluzionet e qeverisë dhe kërkuan të dalë përgjegjësia e Ministrit të Brendshëm e të bëhen transformime në këtë Ministri. Mosofrimi i të dhënave të sakta, sipas tyre, bëhet, sepse kjo do të ndriçonte të dhëna të tjera, që do ta implikonin vetë qeverinë. Ata kërkuan të miratohet një grup deputetësh, për të përgatitur për këtë qëllim një informacion më të plotë dhe pa paragjykime për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit.

30 prill 1993

TAKIM ME “HELMETËKALTËRIT”

Misioni i UNPROFOR-it, i kësaj force paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, ishte i qartë që me vendosjen e tij vitin e kaluar në Maqedoni: për të qenë i gatshëm përballë Serbisë, në rast cenimi të territorit të republikës fqinjë. Uashingtoni ishte i prerë në qëndrimin e tij. Ai shihte se retë e luftës, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni, dukej se vërtiteshin shumë afër të dy vendeve e që mund të përhapeshin në të gjithë rajonin. Në Serbi vazhdohej të flitej për kufij të rinj. Duhej bërë gjithçka për t’u dalë përpara atyre. Vetëm tre-katër ditë pas zgjedhjeve në Serbi, më 20 dhjetor 1992, duke përfshirë dhe ato për presidentin e vendit, ambasada e SHBA në Beograd përcolli mesazhin e Uashingtonit, që mori emrin “Kërcënimi i Kërshëndellave”, se në rast të një lufte të Serbisë në Kosovë, SHBA do të intervenonte menjëherë. Me propozim të SHBA-së, u ngrit gjithashtu ky Mision i UNPROFOR-it në Maqedoni, me 800 ushtarë skandinavë. Ata janë vendosur në kufirin me Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë. Më tepër si parandalues, sepse nuk disponojnë armatim të rëndë. Vetëm në rast të ndryshimit të mandatit të tyre, këtyre forcave do t’u duheshin, më e pakta, dhe 10. 000 ushtarë të tjerë, pa folur për armatimin e nevojshëm.

Takimi i sotëm me Komandantin e UNPROFOR-it apo “helmetëkaltërve”, gjeneralin danez, Fin Sermark Tomsen, ishte i dëshiruar për të dy. Nuk ishim të qartë, se përse një pjesë e këtyre forcave vazhdonte të qëndronte në kufirin e Maqedonisë me Shqipërinë. Kjo, na habiste, i thashë gjeneralit, sepse dihet që nga Shqipëria askush nuk është ndjerë i rrezikuar. Me Maqedoninë kurrë nuk kemi pasur probleme të tilla. Bashkëpunimi dypalësh është rritur dhe nuk ka asnjë arsye përse ajo të frikësohet nga ne.

Tomsen më dëgjonte më vëmendje. E di, miku im? – tha ai pasi i kisha shprehur shqetësimin, që me të drejtë, ishte i autoriteteve tona. Vendosja në kufirin tuaj është bërë me kërkesë të kësaj qeverie. Po flasim mes miqsh: Maqedonasit nuk frikësohen nga shqiptarët dhe nuk shohin diçka që ta rrezikojë Maqedoninë nga Shqipëria. Pastaj ne jemi vetëm me armë për vetëmbrojtje.

Sipas tij, gjendja në kufirin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë është shumë e qetë dhe se forcat kufitare shqiptare janë korrekte. Ndryshe, tha ai, është gjendja në kufirin e Maqedonisë me Serbinë. Gjatë dy javëve të fundit ka pasur lëvizje të Armatës serbe. Sa për Kosovën, duhet të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen atje, sepse i trembem faktit që, një shpërthim i mundshëm, do të ishte luftë rajonale.

Ai kërkoi nga unë ta informoj vazhdimisht për gjendjen në Kosovë, pasi nga sa vura re, nuk kishte për të informacion të hollësishëm. I premtova se do ta informoja për çështje të rëndësishme, me që Qendra e Informacionit të LDK-së më dërgon rregullisht, çdo ditë, raporte të gjendjes në vend. Informacione me vlerë marr dhe nga Këshillat për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, sidomos kur nuk munden të lidhen më Shqipërinë, si nga ai i Gjakovës, me kryetar Dr. Besnik Bardhi, nga Prizreni etj, që lidhen me aksionet e serbëve në Kosovë, por dhe në kufirin me Shqipërinë.

Gjenerali Tomsen e donte këtë takim edhe për t’i transmetuar nga ana ime Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, dëshirën e tij për një takim sa më të shpejtë me ta.

Në pasdite informacionin ia nisa Ministrisë së Jashtme, ndërsa kërkesën e gjeneralit, për dijeni, edhe Ministrisë së Mbrojtjes.

*Një diplomat i Tiranës në Shkup: (Në fillimet e shtetit të pavarur të Maqedonisë së Veriut) (3)

2 komente në “Njohja e Maqedonisë, e nxituar apo në kohë: Çfarë më tha Gligorovi për rëndësinë e mbështetjes nga Shqipëria”

  1. Sefedini says:

    Falenderime gazeta per botimin e pjesve te librit te diplomatit dhe publicistit te njohur Mertiri. Ne Maqedoni edhe sot flasin me nderim dhe respekt per te.

  2. Bekim says:

    Kronologjia e ngjarjeve, besnikeria e detajeve, pasazhi nga nje moment ne tjetrin e ben shume interesant dhe terheqes librin , komunikimi te sjell situata qe kerkon te dish po me tej cpo ndodh, e mban te ngerthyer lexuesin vertet bukur urime Loni je nje bashkebisedues fantastik dhe libri i tere shuan gjithe kuriozitetin
    te fala nga Canada , Bekimi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje