Berndard Berisha arriti të shënojë një gol shumë të bukur ndaj Greqisë, megjithëse Kosova e humbi atë ndeshje me shifrat 2-1. Sulmuesi i Akhmat Grozni në Rusi pas golit bëri një gjest ndaj trajnerit Shaland dhe megjithëse pas ndeshjes kërkoi falje, kjo nuk u prit mirë nga kreu i stolit të Kosovës.
Berisha i është kthyer edhe një herë atij momenti, teksa tregon se pas ndeshjes Shaland i tha se ka luajtur mirë. Ish-sulmuesi i Skënderbeut u aktivizua për herë të parë në një ndeshje zyrtare për Kosovën, që kur në drejtimin e skuadrës është vendosur Shaland, para dy vitesh.
“Së pari ndeshja me Greqinë ishte shumë e vështirë, e kemi përjetuar të gjithë atë humbje. Patëm shumë mungesa dhe shkoi si shkoi, tani e gjithë vëmendja është te ndeshje me Maqedoninë e Veriut. Shpresoj të fokusohemi më shumë dhe të jemi sa më të përgatitur fizikisht. Askush nuk arrin ta kuptojë, nuk ka qenë vetëm për trajnerin, por për të gjithë aty.
Mënyra se si jam trajtuar ka qenë e gjitha. Nuk ka qenë e lehtë për mua që për dy vite se sa i parëndësishëm kam qenë unë. Asnjëherë për dy vjet nuk kam pasur bisedë me trajnerin për ta shprehur paknaqësinë. Momenti i golit ishte vetëm për shkak të paraqitjeve të mia, pasi kam merituar më shumë. Trajneri ka merita të mëdha për arritjet e skuadrës.
Pas ndeshjes trajneri më është drejtuar se kam luajtur mirë, kam bërë gol të mirë, por reagimi nuk ka qenë i duhuri. Prej atëherë askush nuk më ka folur dhe tani jam tek klubi për të dhënë kontributin tim. Ju kam kërkuar falje gjithë shikuesëve për gjestin, pasi kanë mbetur të habitur, sepse të gjithë më njohin ndryshe.
Unë në kohën kur zgjodha Kosovën, kisha mundësi të shkoja edhe me kombëtaren e Shqipërisë. Gjithsesi, kur më ka telefonuar legjenda Fadil Vokrri për të ardhur për Kosovën unë kam pranuar pa hezitim”, përfundoi sulmuesi i talentuar.