Rindërtohen dy shtëpi të shembura nga tërmeti i 26 Nëntorit në Kashar, Veliaj: Çdo njeri përfiton bonusin e qirasë derisa të marrë çelësin e shtëpisë në dorë

24 Shtator 2020, 14:33Sociale TEMA

Familjet e Selman Alukut dhe Myrteza Hykës në Kashar, po e presin me padurim shtëpinë e tyre të re. Punëtorëve që po ua rindërtojnë banesën nga e para, u rrinë çdo ditë te koka, plot kërshëri. Të dyja shtëpitë janë thuajse në përfundim dhe shumë shpejt Selmani dhe Myrtezai do të marrin çelësat në dorë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i kënaqur për ritmin me të cilin po ecën puna për rindërtimin e shtëpive të rrënuara nga tërmeti i fuqishëm. “Shtëpitë do të jenë disa herë më të mira se ajo që kishin dhe me shumë gjasë do rrojë më gjatë se shtëpia e vjetër. E vlerësoj jashtë mase, ju jam mirënjohës! E di që ka çuna që i zë kur prekin lopatën me dorë dhe mendojnë se çdo gjë bëhet në kafe, por puna nuk është turp. Kur të kthejmë kokën pas, do themi se ishim pjesë e skuadrës që u ndërtoi shtëpitë njerëzve, që iu gjend pranë në ditën e fatkeqësisë, që i dha dum një fatkeqësie që ndodh rrallë”, tha ai.

Zonja e shtëpisë, nënë Sudja, falenderoi për mbështetjen e pakursyer të bashkisë dhe qeverisë, nga çasti kur ndodhi tragjedia e deri me ngritjen e shtëpisë së re. “Kur pashë fadromën mora frymë tamam, aty e besova dhe tani ndihem e plotësuar. E mbajtën fjalën, si kryetari, si deputetja”, tha ajo, e cila iu bëri thirrje të gjithë atyre që kanë pësuar të njëjtën fatkeqësi të mos bien pre e mashtrimeve.

Veliaj shtoi se qytetarët janë mirënjohës dhe e vlerësojnë punën e madhe që po bëhet me rindërtimin, por sipas tij, ka edhe prej atyre që po përdoren nga opozita. “Ka disa njerëz që e thonë fjalën e keqe për punë partie. Por, di t’ju them se nuk kemi lënë askënd pa bonus qiraje, pa strehim, edhe në Kombinat. Sigurisht, për pallatet procedura është pak më e ndërlikuar dhe e gjatë, por them se 99% e njerëzve janë të drejtë, solidarë dhe mbështetës. Ekziston një 1% që thotë ‘kap ça të kapësh’ e ‘derisa i kapa 10 muaj qira, po më vijnë edhe këta të partisë, do kap ndonjë gjë për ata’. Por, mos bëni aleancë me hilen! Dikush që i ka marrë lekët në Kombinat nuk mund të thotë ‘kap ça të kapësh’, se ky mentalitet e ka degjeneruar Tiranën. Tirana që kishim para pak vitesh ishte ‘kap ça të kapësh’. Kap edhe gjumin, kap edhe gjërat e tjera! I siguroj qytetarët se do e marrin bonusin e qirasë deri në ditën që do marrin çelësin e shtëpisë së re në dorë”, shpjegoi ai.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku theksoi se, ashtu siç asnjë familje e dëmtuar nuk do të mbetet pa shtëpi, nuk do të tolerohen abuzimet me bonuset e qirave. “Spekulimet nuk do t’i lejojmë sepse njerëzit me të drejtë thonë: ‘Bonusi i qirasë merret nga taksat e mia. Pse njëri që del me një ish-deputet ose ish-politikan në televizor duhet të marrë dy-tre herë nga lekët e mia’? Me qenë të drejtë edhe para shtetit, edhe para ligjit, edhe para Zotit, edhe para njerëzve, ne ruajmë çdo dokument. Çdo njeri do marrë qiranë derisa të marrë çelësin. Kur të marrë çelësin e shtëpisë, do i ndërpritet qiraja, që të kemi mundësi të bëjmë edhe punë të tjera”, tha Veliaj, i cili shtoi se, javën tjetër, në Këshillin Bashkiak miratohet edhe loti i mbetur i shtëpive, që Viti i Ri t’i gjejë familjet në shtëpitë e tyre.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti tha se me projektin e Rindërtimit i është dhënë zgjidhje të gjithë banorëve të Kasharit, që humbën shtëpitë e tyre nga tërmeti. “Me kalimin në Këshillin Bashkiak të 250 shtëpive të tjera, i japim zgjidhje të gjithë banorëve të Kasharit. Jam shumë e lumtur se, ndryshe nga ajo çfarë ka ndodhur ndër vite dhe ndryshe nga opozita që përdor gjuhën e baltës dhe të urrejtjes, ne kemi zgjedhur gjuhën e punës”, deklaroi ajo.

Tipologjitë e shtëpive që po ndërtohen ofrojnë kushte shumë të mira jetese për banorët, ndërkohë që sigurojnë jetëgjatësi të ndërtesës dhe mundësi mirëmbajtje me kosto të ulët.

1 komente në “Rindërtohen dy shtëpi të shembura nga tërmeti i 26 Nëntorit në Kashar, Veliaj: Çdo njeri përfiton bonusin e qirasë derisa të marrë çelësin e shtëpisë në dorë”

  1. Qinan Pikturxhiu says:

    Haa.
    E hatashme kjo fotografija me lopat dhe dor n qaf.
    M kujto ato pikturat e realizmit socjalist me draper e çekan n njeren dor kazmen n tjetren pushken.
    E kan lezetin e tyne dhe kto.po çedo.
    I mungo shkelqimi borgjez nobel.
    Kto duken si t lyme me ndryshk e balt dhe ca proletar lekurrudhos perreth.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje