Është shkarkuar nga detyra drejtori i Burgut të Peqinit, Bukurosh Malluta pas ankesave që të burgosurit kanë shfaqur së fundmi lidhur me keqmenaxhimin e situatës në këtë IEVP.
Raportohet se vendimi për shkarkimin e Mallutës është marrë nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cila herë pas here veç të tjerash ngre grupe vlerësimi në terren për të matur punën që bëhet nga titullarët e Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Shkarkimi vjen në një kohë kur 170 të burgosurit e burgut të Peqinit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre duke kërkuar që dënimet e tyre të përgjysmohen dhe dënimet përjetë të konvertohen në 20 vite.
Për të arritur qëllimin e tyre, të burgosurit i kanë dërguar një letër presidentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama, kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Forcimi i masave të sigurisë në kuadër të luftës ndaj kriminalitetit, janë kundërshtuar gjithmonë nga të burgosurit dhe të afërmit e tyre të cilët herë pas here kanë artikuluar ankesa të shumta duke kërkuar më shumë liri brenda IEVP-ve çka është kundërshtuar nga drejtuesit e burgjeve.