Hoti: Duhet gjetur forma për tejkalimin e temave të vështira në dialogun me Serbinë

8 Tetor 2020, 12:12Rajoni TEMA

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në rast se nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare, atëherë Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë si dy shtete fqinje “që nuk e njohin njëra-tjetrën”.

Këto komente Hoti i bëri gjatë një konference për media pas takimit në Prishtinë me komisionarin për Fqinjësi dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Megjithatë, Hoti tha se është bërë përparim në dialog dhe se duhet gjetur forma për të tejkaluar temat e vështira për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

“Kemi bërë progres nga korriku e këndej. Me rëndësi të thuhet se ekziston konsensusi i plotë shoqëror në Kosovë për procesin e dialogut dhe sigurisht se ka tema të vështira që duhet të gjejmë formën si t’i tejkalojmë për të arritur marrëveshjen përfundimtare”, tha Hoti.

Edhe zyrtari i lartë i BE-së, Varhelyi vlerësoi se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë përparim. Sipas tij, negociatat shihet se nuk janë të lehta, mirëpo duhet zhvilluar “momentumin që është krijuar”.

“Lajçak ( i dërguar i BE-së për dialogun, Mirosllav) dhe partnerët amerikanë kanë interesim për këtë proces. Në kohën e fundit kemi marrëveshjen në Uashington dhe shumë elemente të së cilës mund t’i gjeni edhe në planin tonë të investimeve”, tha Varhelyi.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që t’i përshpejtojë reformat në mënyrë që investimet e planifikuara nga BE-ja, “të mund të realizohen së bashku me përpjekjet për këto reforma”.

Kryeministri Hoti tha se me komisionarin evropian ka diskutuar për për planin e investimeve dhe rimëkëmbjes ekonomike të BE-së në vlerë totale prej 28 miliardë eurosh, prej te cilave 9 miliardë janë grante për Ballkanin Perëndimor.

“Projektet që ne kemi propozuar përfshijnë autostradën Prishtinë- Merdarë, hekurudhën Prishtinë-Merdarë gazpërçuesin nga Maqedonia e Veriut dhe projekte të tjera”, theksoi Hoti.

Ndërsa, komisionari evropian tha se plani i investimeve ekonomike mund të ndryshojë rrënjësisht peizazhin në rajon brenda katër apo pesë vjetësh.

“Ne presim që ky plan do të rrisë ekonominë e rajonit për 3 deri 5 për qind dhe ky është një kontribut i konsiderueshëm për rimëkëmbejn ekonomike pas pandemisë. Është vendimtare që të kemi një fushë të përbashkët ekonomike në Ballkan, sepse këto investime do të sjellin përfitime vetëm nëse ka bashkëpunim rajonal”, tha ai.

Varhelyi po viziton vendet e Ballkanit Perëndimor për të prezantuar planin e investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor dhe raportet e reja vjetore mbi përparimin në procesin e integrimit evropian.

3 komente në “Hoti: Duhet gjetur forma për tejkalimin e temave të vështira në dialogun me Serbinë”

  1. Gogogo says:

    Investoni dhe zhvilloni ekonomine qe te beheni shtet i forte. Forconi marredheniet me shqiperine, hapni kufinjte drejte jugut. Pastaj vjen respekti te tjerve.

  2. Shpalosësi says:

    Zoteri Hoti nuk ka tema te veshtira!
    Ne daten 10. Qeshor 1999 ne Kumanove Serbia e ka nenshkruar largimin nga Kosova qe e ka mbajtur te pushtuar. Pasurite nentokesore jane vetem te Kosoves. Monumentet fetare te ndertuara nga pushtuesit romako-bizantino- turko-sllav jane gjurme te pushtuesve, por jane te Kosoves. Edhe kisha Aya Sofia e ndertuar ne kohen e Justinianit 532-537 eshte e Turqise. Monumentet fetare romake ne vendet perendimore nuk i takojne Italise apo Vatikanit, por vendeve qe kane qene te pushtuara nga romaket deri ne 476 te eres se re. Prandaj duhet folur qarte. Ju duhet ta aktualizoni kthimin e shqitareve te debuar per ne Turqi nga Toplica dhe nga trevat tjera, nga data 03.03.1878 deri ne 13.06.1878 dhe ne fazat tjera deri ne vitin 1968. Ju duhet gjate takimeve ta aktualizoni kolonizimin e Kosoves. (Dr. Milan Obradovic” Kolonizacija Kosova i agrarna reforma 1918-1941) dhe 1953-1968…

  3. Xheti,KS says:

    Gjeje formen me e votue Ligjin e Rimekebjes qe deshton per te gjashten here se per ato tema nuk te pyesin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje