Të pathënat e pallatit me kuba: Në raft të librave kërkojmë… ikonat e kulturës

14 Tetor 2020, 11:13Kulturë TEMA

Partitura është më e fortë se një portret. Kështu mendon artisti i muralit që ka veshur duke e shndërruar pallatin më të famshëm në kryeqytet, së pari prej arkitektit që vepra e guximshme kubiste i kushtoi 10 vite burg dhe se aty ka jetuar shkrimtari më i famshëm ndërkombëtarisht i letrave shqipe.

Prej tri javësh fasada e përhimët ku shkruhej me germa të mëdha emri i Kadaresë, kur banesa e shkrimtarit u shndërrua në muze, i ka lënë vendin një muraleje, në formën e një rafti gjigant librash, realizuar nga artisti i grafitit Franko Dine.

Vepra të Kadaresë, por edhe autorë që kanë lënë shenjë tek njeriu i letrave që jetoi dhe shkroi ndoshta pjesën më të madhe të romaneve brenda shtëpisë-studio –ku arkitekti Maks Velo guxoi t’ia plotësonte dëshirën mikut duke sajuar një oxhak aty brenda –,një maçok qimekuq që fle mes librash dhe diku më lart dy portrete; ai i Ismail Kadaresë dhe i Dritëro Agollit.

Fasada e pallatit siç ishte
Të dy shkrimtarët veç miqësisë dhe Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve ishin edhe fqinj, njëri një kat më lart e tjetri më poshtë. Ndërsa Kadare e la apartamentin në rrugën e Dibrës, apo siç e njihnin ata që jetuan atëkohë në Tiranë si “Brodway” në fillim të viteve ’90, duke u zhvendosur në Paris, Agolli jetoi deri ditën e fundit të jetës. Ndërsa apartamenti i Kadaresë kishte nisur konceptimin si muze, bashkëshortja e Agollit, Sadija thoshte në të gjallë të saj se kjo nuk bëhej. Kishte brenda atyre mureve shumë kujtime, që nuk donte t’i humbiste duke u larguar nga ajo banesë. Shkrimtari ishte i njohur për mikpritjen e tij, ku në shtëpi ftonte miq, kolegë e gazetarë.

Detaje nga murali “Biblioteka”
Dy vjet pas Dritëroit, Sadija mbylli sytë dhe familjarët hodhën një hap për të pranuar idenë e kryebashkiakut Veliaj që edhe shtëpia Agolli të shndërrohet në muze.Në të njëjtin pallat me shkrimtarët jetoi edhe kompozitori i shquar i muzikës shqipe, Feim Ibrahimi, dikur drejtor i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit që me Kadarenë nuk ndante vetëm fqinjësinë në pallatin “me kube”, por edhe vendlindjen. Të dy të lindur në qytetin e gurtë, në Gjirokastër, kompozitori më 1935-n dhe shkrimtari një vit më vonë, më 1936-n.

Dritëro dhe Sadije Agolli
“Ismaili shkonte në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve përditë, dhe aty Feimi ka qenë sekretar për muzikën, ndërsa Dritëroi kryetar dhe kontaktet e tyre ishin më të shpeshta”, do të rrëfente Helena Kadare, ndërsa vizitonte shtëpinë e saj të dikurshme, sot muze, konceptuar nga arkitektja italiane Elisabeta Terragni.

Bashkëshortet gjithaq ishin mikesha me njëra-tjetrën. “Me gruan e Dritëroit kemi qenë bashkë në një shkollë, kemi fjetur në një konvikt, pra, kemi pasur një miqësi rinie shumë të hershme. Ndërsa, me bashkëshorten e Feim Ibrahimit, Verën, kemi punuar bashkë në një shtëpi botuese, në një redaksi”, vijonte Helena.

Çifti Kadare me kryebashkiakun Veliaj dhe arkitekten Terragni në muzeun Kadare
Pasi vizituam shtëpinë-studio Kadare, në ditët e para pas përurimit në hyrje të pallatit bashkë me koleget u takuam me zonjën Vera Ibrahimi, të venë e kompozitorit që ende banon aty, duke ruajtur të gjalla kujtimet dhe objektet e punës së të shoqit, i ndarë nga jeta më 1997-n. Ibrahimi shkroi muzikë duke prekur thuajse të gjithë zhanret nga ajo instrumentale tek ajo e filmave, muzikë dhome, koncerte për instrumente solo dhe orkestër, simfoni, balete dhe vepra vokale. Dialogo për violonçel dhe piano, si dhe romanca E la tua veste è bianca (sipas një poeme të S. Quasimodo-s) për soprano, violonçel dhe piano.Në derën e zonjës Ibrahimi do të trokiste artisti i ri i muraleve, Franko Dine, duke u kërkuar një partiturë të kompozitorit, të cilën më pas e pikturoi në fasadën e pallatit.

Feim, Vera dhe Etrita Ibrahimi në shtëpinë e tyre
“I dashur Babi, Hera e parë që po të shkruaj një letër, nga Toka ne Qiell, për të të dhënë një lajm…! Sot, më në fund hoqën skelat e pallatit, nga ana e kundërt e shkalles sonë…! Para disa ditësh zbulova se aty po bënin një murale me formë biblioteke, me portretet e xhaxhi Dritëroit, të Ismailit dhe me librat e tyre. Kur piktori, një djalë fare i ri, na trokiti në derë për të kërkuar një partiture me firmën tënde, ia dhamë sepse nuk kuptuam çfarë donte të bënte realisht dhe menduam se do të ishte bukur te ishte shkrimi yt aty, bashke me portretin tënd natyrisht…!

Feim Ibrahimi në piano, më të shoqen Vera dhe të bijën, Etrita
Por, ja që zbulova qe portreti nuk ishte (fleta e partiturës është krejt e vogël) dhe në fakt kur e shikoj këtë murale, që duket si një pikture e realizmit socialist, them shyqyr që nuk je…!”, shkruante pianistja Etrita Ibrahimi, e bija e kompozitorit në profilin e saj të Facebook-ut, e indinjuar që në fasadën e pallatit ku jetuan dhe punuar tre burra të mëdhenj të artit dhe kulturës shqiptare, një prej tyre ishte shpërfillur.Pianistja shkruante më tej se kryebashkiaku Veliaj e kishte kërkuar edhe shtëpinë e Feim Ibrahimit për ta shndërruar bashkë me dy apartamentet e tjerë, në muze.

Detaje nga murali, partitura e Feim Ibrahimit dhe kopertina me portretin e Maks Velos
“Thjesht dua që të dish se ti nuk je aty, jo sepse nuk ta dinë vlerën apo pse nuk e meriton, por sepse unë, vajza jote, ashtu sikurse edhe ti nuk e bëre kurrë, nuk hesht dot përpara korrupsionit, meskinitetit, injorancës, zhvatjes së Tiranës dhe shumë shpesh flas kundër veprimeve të pabesa që po i bëhen këtij kryeqyteti, nga ana e disa elementeve që njohin vetëm një Zot: Paranë…dhe nuk duan t’ia dinë për asgjë tjetër! Arsyeja tjetër për të cilën ti nuk je aty, është se nuk e ke pasur kurrë teserën e partisë së famshme dhe nuk mund të bësh pjesë në një murale të tillë…! As unë nuk jam e radhëve te tyre, sepse po të shkoja nëpër fushata, si shumë të tjerë, të siguroj që portreti yt, sot do të ishte aty patjetër!”, vijonte Etrita Ibrahimi, duke përfunduar në atë letër drejtuar të atit, se figura e tij nuk kishte nevojë për një portret në mur.

“Biblioteka është krijuar për dy shkrimtarët më të njohur shqiptarë, që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në letërsinë shqipe”, rrëfen Franko Dine, duke zbuluar se ideja e muralit ka qenë e tij, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, pasi prej disa kohësh artisti është pjesë e Dekorit të Tiranës dhe ka realizuar një sërë grafiti dhe murale në fasadat e pallateve të kryeqytetit.

Murali në fasadën e pallatit “me kube”, në rrugën e Dibrës.
“Sa u përket komenteve që ngjan si pikturë e Realizmit Socialit, më duket jo e drejtë”, shprehet i keqardhur Franko, megjithëse shton se i priste këto debate.

“Feim Ibrahimi është njeri që ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare”, thotë artisti i ri, duke gjykuar se partitura e kompozitorit flet më shumë sesa do të fliste portreti i tij.

Pak më poshtë, në raftet e Bibliotekës-murale që nderon dy figurat e letrave shqipe duket edhe portreti i arkitektit Maks Velo si kopertinë e një libri, i ndarë nga jeta në maj të këtij viti e që i kishte ca rezerva për mënyrën sesi po restaurohej fasada e pallatit, pjesa e pasme e të cilit kishte nisur të shformohej nga shtesat me apo pa leje pas viteve ’90.

Dikur arkitekti Artan Shkreli e cilësonte pallatin “me kube” të Velos si “disidencë të mbrujtur në tulla”. Ndërsa Maks Velo u dënua me 10 vite burg për modernizmin e tij si në arkitekturë ashtu edhe në pikturë, Kadare në apartamentin e projektuar nga ai bashkë me oxhakun e fshehtë në të kthinën që shërbeu si studioja e shkrimtarit, mundi të shpëtonte një pikturë të tij ndërsa thuajse të gjitha u dogjën në kaldajën e gjykatës së Tiranës.

Por në Bibliotekën-pallat ku jetuan dhe punuan dy shkrimtarë – njëri syresh me famë botërore dhe pretendues për Nobelin e Letërsisë dhe tjetri liriku i dashur i poezisë që derdhte në vargje përvojën lokale, mungon kompozitori i njohur, i cilësuar si ai që guxoi të thyente tabutë e realizmit socialist në muzikë.

Shtëpia e shkrimtarit Dritëro Agolli
Siç shkruante Dritëroi në poezinë ndoshta më të famshme të tij:

Por kur të jesh mërzitur shumë

Në raft të librave kërkomë

Aty do jem i fshehur unë

Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë…

Ndoshta partitura flet vërtet shumë, por në një mural që flet me imazhin dhe vjen si homazh për banorët e shquar të atij pallati, po aq të famshëm, portreti i Feim Ibrahimit do ta bënte më të plotë atë bibliotekë…/S.B(gazetaSI)

4 komente në “Të pathënat e pallatit me kuba: Në raft të librave kërkojmë… ikonat e kulturës”

  1. emri s'ka rendesi says:

    Bukur…

  2. Vicidoli says:

    Pse jeni kaq xhelos Feim Ibrahimi ishte nje muzikant i mire por jo permasave te te shume te tjerve qe ka pasur Shqiperia por jo se jo te permasave te Kadarese e Agollit se ne ate pallat kane jetua edhe tjer por une te keshilloj te kerkosh ndihmen e likes qe ti jap nje dekorat

    1. Piktori says:

      Qenke me te vertete vicidolas

  3. sadna babul ka bidai says:

    shkrimtaret e vertet jane letrar te shkrum me vlersu ikonat e te gjithve te shkrimtarise se menushme dije respekti i te lexuarve jane me te vertet per tjy vlersu cdo shkrimtar nxjerr vlera te mahnitshme tema shokus te ndryshme leximi plus gjuheve te ndryshme feve kuptimi dhe cdo gje qe hapsinori degjimi del dhe kuptim plote thena .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje