Pavarësisht se pacientët që shërohen nga koronavirusi dhe krijojnë antitrupa ndaj sëmundjes COVID-19, që e shkakton ky virus, ata mund të mos jenë imunë nga një infektim i dytë.
Në një studim të publikuar në revistën mjekësore “Lancet” në muajin tetor, thuhet se janë dokumentuar pesë raste në botë, që tregojnë se pacientët që janë shëruar nga koronavirusi i ri, janë infektuar sërish.
Shkencëtarët tani po përpiqen të kuptojnë se çfarë do të thotë kjo për shanset që njerëzit të fitojnë imunitet ndaj COVID-19.
Studimi i publikuar në “Lancet” konfirmon se një person mund të infektohet me koronavirus dy herë, brenda një kohe të shkurtër. Studimi po ashtu gjeti se simptomat e sëmundjes mund të ishin dukshëm më të këqija gjatë infektimit të dytë.
Autori kryesor i studimit, Mark Pandori, nga Laboratori i Shëndetit Publik Shtetëror i Nevadës në Universitetin e Nevadës, rekomandoi që edhe njerëzit që ishin infektuar të vazhdonin me distancimin fizik, të bartin maska dhe të lanin duart shpesh.
“Ka ende shumë të panjohura rreth infektimeve me SARS-CoV-2 (v.j. emri shkencor i koronavirusit të ri) dhe përgjigjjes së sistemit imunitar, por gjetjet tona sinjalizojnë se infektimi i parë me koronavirus jo domosdoshmërisht mbron nga një infektim tjetër në të ardhmen”, tha Pandori, transmeton DW.
Deri më tani, përveç një rasti në Nevada edhe katër raste të tjera të ri-infektimit janë dokumentuar në botë: në Belgjikë, Holandë, Hong Kong dhe Ekuador. Vetëm pacienti në Ekuador ka pasur simptoma më serioze gjatë infektimit të dytë.
Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka konfirmuar se kanë të dhëna se disa persona janë ri-infektuar me koronavirus.
“Shkencëtarët po punojnë për të kuptuar rolin e sistemit imunitar gjatë infektimit të parë dhe të dytë”, thuhet në një raport të OBSH-së.
OBSH-ja thotë se shumë studime janë duke u bërë për të kuptuar se si funksionojnë antitrupat pasi një person infektohet me koronavirus. Kjo organizatë thekson se shumica e njerëzve prodhojnë antitrupa kur infektohen me koronavirusin e ri, por “megjithatë, niveli i këtyre antitrupave mund të variojë nga personat që kanë pasur simptoma të rënda të sëmundjes (ata kanë nivele më të larta të antitrupave) dhe atyre që kanë pasur simptoma më të buta ose që kanë qenë asimptomatik (që kanë nivel më të ulët të antitrupave).