Po kalonte pleqërinë në SHBA, 94-vjeçari ish-roje i një kampi nazist do të deportohet në Gjermani

23 Nëntor 2020, 21:55Bota TEMA

Bënte një jetë normale, në Tenesi të Shteteve të Bashkuara, por në të kaluarën kishte shërbyer si roje e një kampi përqendrimi nazist. Tani, 94-vjeçari do të duhet të përballet me drejtësinë në Gjermani, pasi një gjykatë apeli refuzoi kërkesën e tij për ndalimin e deportimit.

“Vullneti i Karl Berger për të punuar si roje në një kamp nazist nuk mund të fshihet dhe nuk do të injorohet”, tha ndihmësprokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Brian C. Rabbitt. Berger punoi në një kamp përqendrimi në Mepen, Gjermani në dimrin e vitit 1945.

“Ai ka qenë pjesë aktive e një prej kapitujve më të errët të historisë njerëzore. U përpoq që ta linte pas të kaluarën duke u shpërngulur në SHBA, por falë përkushtimit të personave në Departamentin e Drejtësisë dhe të Sigurisë Kombëtare, e vërteta doli në shesh”, tha nëndrejtori i Agjencisë së Doganave dhe Emigracionit, Louis A. Rodi III.

Berger, tashmë i ve, mbërriti në SHBA në vitin 1959 bashkë me gruan dhe vajzën.

Ai deklaroi për “Washington Post”: “Pas 75 vitesh kjo është qesharake.

Nuk e besoj dot. Nuk mund të kuptoj sesi ndodhi në një vend si ky. Unë isha 19 vjeç, më detyruan të shkoja atje”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje