Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Tiranës Shkëlqim Muça kritikoi ekipin bardheblu pas barazimit 1-1 me Kastriotin. Në emisionin “Rubrika Sportive” të “RTSH Sport”, specialisti i futbollit u shpreh se te kampionët e Shqipërisë po aktivizohen në këto momente lojtarë që nuk kanë dhënë asgjë për ekipin.
Nga ana tjetër, ai shtoi se sulmuesi Grent Halili nuk ka cilësi për të qenë titullar.
“Tirana e nisi mirë takimi , por ekipi luhatet shumë, bën lojë me shumë gabime. Nuk kishte asgjë më shumë se Kastiroti, çdo gjë ishte e barabartë në fushë. Kastrioti ishte më i ekuilibruar dhe më shumë personalitet, diti të reagojë edhe pasi pësoi golin. Tirana ka shumë probleme. Ka probleme te loja dhe te lojtarët që aktivizohen.
Ata që luajnë nuk kanë gjendje, luajnë disa lojtarë që nuk japin asgjë. Pavarësisht se i është dhënë mundësia Halilit të luajë se mungon Kale, ka tre ndeshje që zëvendësohet për lojë jo të mirë. Ai mundohet, por nuk ka cilësi.
Një sulmues nuk fal kur del para portës, ka probleme me këta lloj lojtarësh. Trajneri duhet të shohë dhe të hedhë në fushë futbollistët që janë në momentin e mirë dhe që kanë besimin e gjendjen e duhurfizike,nuk është problem për emra. Plus ndonjë tjetër që nuk po e përmend”, deklaroi Muça.(Panorama Sport)