Kryetari i kuq i kryeqytetit alpin të kapitalizmit

4 Dhjetor 2020, 16:20Bota TEMA

Nga Enver Robelli

Pothuaj prej se është kurdisur dynjaja, në Davos gjërat janë të qarta: ende pa filluar dimri, në këtë qytet alpin zviceran bie borë. Pastaj, në fund të janarit, mbahet Forumi Ekonomik Botëror (WEF), panairi i madh i krerëve dhe kapitenëve të kapitalizmit botëror, plus i politikanëve që besojnë në kapitalizëm (të shfrenuar).

Pothuaj prej se është kurdisur dynjaja, në Davos ka qenë e qartë se kush duhet të jetë kryetar i qytetit: deri të dielën që shkoi ka qenë përherë një anëtar i FDP-së, partisë liberale, e cila përfaqëson kryesisht interesat e klasës kapitaliste zvicerane. Nga e diela një erë e re fryn edhe në Davos: një politikan i majtë, një i kuq, një socialdemokrat, është zgjedhur kryetar i kryeqytetit alpin të kapitalizmit.

Kryetari i ri quhet Philipp Wilhelm, anëtar i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës, 32-vjeçar, arkitekt. Ai ka filluar të interesohet për politikën si gjimnazist. Atëbotë e kundërshtonte Forumin Ekonomik Botëror, një tubim i mbyllur i elitave kapitaliste që diskutojnë për problemet e botës pa legjitimitet demokratik, siç beson(te) ai.

Por Philipp Wilhelm nuk është naiv. Ai dëshiron që Forumi Ekonomik Botëror të mbahet edhe më tutje në Davos, por duke ofruar hapësirë për të diskutuar për hallet e njerëzve të thjeshtë. Në janar 2021 WEF do të mbahet në Singapor, sepse në Davos këtë nuk e lejon situata pandemike në Zvicër.

Por kryetari i kuq i Davosit shpreson se në vitin 2022 Forumi Ekonomik Botëror të mbahet sërish në Davos. Davosi gjendet në 1560 metra lartësi mbidetare, është qyteti më i lartë në Europë në kuptimin topografik. Në Davos jetojnë 11 mijë banorë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje