Sa të bukura fotot tuaja me shokët në kafe!

8 Dhjetor 2020, 14:09Blog TEMA

Nga Alba Malltezi

Janë të bukura fotot tuaja në rrjetet sociale. Katër apo pesë shokë a shoqe të ulur bashkë në kafe, afër e afër, pa maska, të buzëqeshur, të lumtur, të kënaqur.

Lum ju që keni njëri-tjetrin e pa njëri-tjetrin nuk bëni dot. Vetëm se Covid ende ekziston dhe njerëzit ikin përditë nga kjo jetë.

Dikush arrin të shërohet, dikush ka të ardhura të mjaftueshme për t’u kuruar e shpëtuar në klinikat më të mira në Europë, dikush bën apel për të mbledhur fonde, dikush… nuk arrin të shpëtojë edhe nga mjekët më të specializuar, edhe pse familja e dëshpëruar mblodhi mijëra e mijëra euro për të dashurin e zemrës.

Sa antipatike unë që po jua them, që jua kujtoj. E pse e bëj këtë?

Ç’më duhet t’u jap mend të tjerëve për jetën e tyre! Fituam këtë liri e demokraci vetëm të jemi të lirë të bëjmë atë që dëshirojmë.

Po ju tregoj një histori të vogël në mes të qindrave që mund të njihni e mund të keni dëgjuar. Martohej vajza e filanes në një qytet të vogël të Shqipërisë së mesme. “Do të bëj një dasmë të vogël”, tha.

“Një vajzë kam e nuk mund të martohet kështu pa një festë”. U habitën në fis, por nuk ja prishën. Si mund t’i thuash jo filanes, cilado qoftë, kur marton vajzën e vetme!

U mblodh rrethi më i ngushtë dhe festoi, ja ashtu si në këto tavolinat që ju publikoni në rrjetet sociale. Nga ajo festë u infektuan mbi 10 vetë, përfshi edhe e zonja e familjes, por nuk vdiq ajo.

U përkeqësua dhe në pak ditë vdiq një nga të afërmit, një nga më të mirët që një fis e një shoqëri kishte njohur. Fjalë ëmbël e i dashur, në moshën më të bukur.

Sapo kishte nisur të shijonte bashkë me të shoqen pensionin. Fëmijët janë rritur, janë të zotë të vetes.

U sëmur edhe bashkëshortja nga ajo dasëm, por shpëtoi, shpëtoi e dënuar të jetojë me dhimbjen e largimit të parakohshëm të bashkëshortit dhe me brengën e përjetshme të asaj dasme që i dënoi.

Eshtë e vështirë t’i thuash Jo një miku, kolegu, të afërmi për një kafe? Ka me qindra që e bëjnë.

Që prej marsit të këtij viti të mbushur me Covid dhe vdekje kanë krijuar qefmbetje e përpiqen të respektojnë distancën dhe kontaktet shumë të ngushta me të tjerët.

Eshtë shumë e vështirë që atë kafe, atë drekë e darkë ta bëjnë në shtëpi dhe vetëm me të shtëpisë?

Për disa duket se po. Nuk është shtëpia apo familja, për disa, ndoshta vendi më i qetë, shplodhës dhe argëtues, por duhet edhe pak kohë dhe e gjitha do të kalojë.

Nuk janë interesantë, rebelë rregullash ata që sot sfidojnë masat antikovid, por ata që me sakrificë, durim e dhimbje, i respektojnë.

3 komente në “Sa të bukura fotot tuaja me shokët në kafe!”

  1. ⚖️⚖️⚖️⚖️⚖️⚖️⚖️⚖️⚖️⚖️ says:

    Kjo ndodh, kur shteti është i dobët .
    Kjo nuk është liri-demokraci .
    Kjo qê ndodh është të dëmtosh ,të infektish, të vrasësh tjetrin sepse ti s’do të zbatish rregullat që janë për të gjithë.
    S’të intereson se mund të infektohesh, do të vuash, do të vrasëdh veten ?!?!?
    SHKO BËJE ,QERROHU NGA KJO BOTË POR MOS VRIT TË TJERËT .

  2. Bujku says:

    Nuk e kane nga miqesia jo, e kane nga injoranca dhe se nuk rine dot ne shtepi me bashkeshortin a bashkeshorten. Nuk perballen me pergjegjesite e jetes dhe rine si parazite kafeve dhe redtoranteve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje