Ndalen Kukësi dhe Tirana, Vllaznia humbet në Laç. Teuta bën detyrën ndaj Apolonisë

19 Dhjetor 2020, 15:47Sport TEMA

Java e nëntë e Kategorisë Superiore ka dhënë rezultate surprizë, ku që të treja ekipet pretendente nuk kanë arritur dot të fitojnë.

Sfida kryesore mes Laçit dhe Vllaznisë që dhuroi mjaft emocione u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të kurbinasve.

Një fitore e rëndësishme për vendasit që është dhe e para për trajnerin Shpëtim Duro në stolin e Laçit, duke mposhtur kryesuesit e kampionatit Vllazninë, që deri më tani kanë bërë ndeshje mjaft të mira.

Goli i shënuar nga Xhixha në fundin e takimit ishte ai që vendosi fatin e ndeshjes duke i tre pikë të arta Laçit.

Edhe Kastrioti ka arritur që të marrë një fitore shumë të rëndësishme përballë ekipit të vendit të dytë Kukësit.

Ekipi i krutan fitoi me rezultatin minimal 1-0, me autor të golit që në minutën e 17-të Bardhin.

Një hap fals për verilindorët e drejtuar nga Skënder Gega, të cilët ishin favoritët kryesorë për të dal me pikët e plota nga ky duel.

Surprizë ishte dhe ndalesa e Tiranës në transfertë kundër Skënderbeut.

Sfida e zhvilluar në Korçë nuk pati fitues, pasi u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1.

Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit në pjesën e parë më anë të Marës.

Në 45 minutat e pjesës së dytë Tirana arriti të barazojë shifrat me Bathën, por pa arritur dot që të përmbysnin rezultatin, duke dal nga ky takim me vetëm 1 pikë.

Ndërkohë, Teuta bëri detyrën në transfertë kundër Apolonisë duke fituar me rezultatin 0-1.

Lorenco Vila ishte shënuesi i vetëm për bregdetarët që rikthehen tek rezultatet pozitive.

Java e nëntë mbyllet me ndeshjen e fundit që do të luhet në orën 16:45 mes Partizanit dhe Bylisit. (TemA)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje