SKANDALET: Nga ndalimi i kandidaturave si Igli Tare tek heqja e votes për klubet e Kategorisë së Dytë, si po përgatit Armand Duka manipulimin për zgjedhjet e ardhshme

18 Dhjetor 2020, 14:21Sport TEMA

Ndryshimi i statutit të FSHF-së me modifikime të rëndësishme në pikat e saj sa u përket kandidaturave për pioziconet drejtuese si presidenti apo anëtari i Komitetit Ekzekutiv, penalizon ndjeshëm pjesëmarrjen në garë të disa prej ikonave të futbollit të vendit tonë të cilët kanë ushtruar dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre të përditshëm sportiv jashtë territorit të Shqipëtisë.

Me ndryshimin e ri në statut, Duka ia bën të pamundur një emri si Igli Tare që të garojë për president apo për anëtar të Komitetit Ekzekutiv, duke i dhënë fund “makthit” më të madh të tij.

Emri i Tares qarkullon prej vitesh në ambientet futbollistike dhe para çdo lloj Asambleje Zgjedhoire, ai ka qenë shpesh shqetësimi më i madh i kreut të institucionit të futbollit, duke pasur parasysh se aftësitë drejtuese të ish-sulmuesit të Kombëtares janë të njohura botërisht.

Për të garantuar që nuk do të ketë Taren përballë as në të ardhmen, Duka ka vendosur që të bëjë një modifikim të statutit të FSHF, duke ndryshuar një pike të tij. Kështu, nga “Të jetë shtetas shqiptar dhe të banojë në Shqipëri”, pika e statutit është bërë “Të jetë shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Shqipëri”.

Në këtë mënyrë, një emër si Tare, i cili ushtron detyrën e tij në Itali dhe ka atje banesën e përhershme, do ta kishte të pamundur të garonte për një nga postet drejtuese në FSHF, edhe pse aktualisht është nja nga personat më kualifikuar për ta bërë një gjë të tillë. Gjithçka për të garantuar që Duka të vazhdojë të qëndrojë i palëkundur në kolltukun e pushtetit, mundësisht pa garë.

Ndryshimet e statutit, Duka injoroi udhëzimin kryesor të FIFA-s dhe UEFA-s

Federata Shqiptare e Futbollit, që nga 1 janari do të ketë Statutin e ri të saj, pasi atëherë hyn në fuqi dokumenti që miratohet me votë elektronike në Asamblenë e Jashtëzakonshme. Një ndryshim që presidenti i FSHF-së kërkoi të kryhej me çdo kusht për të parapërgatitur terrenin për Asambletë Zgjedhiore të viteve në vijim. Një ndryshim që FSHF e ka trumbetuar si sugjerim të UEFA-s e FIFA dhe i studiuar nga ekspertët e këtyre insittucioneve, por ku mungon ai që duhej të ishte ndryshimi thelbësor.

Ndryshimet autoktratike që zhdukin demokracinë në piramidën e futbollit në vendin tonë, nuk janë sugjerime të UEFA-s dhe FIFA-s. Edhe pse këta dy institucione kanë problemet e tyre të dukshme në aspektin e demokracisë, duke qenë të akuzuara shpesh për përqendrimin e pushtetit në duart e presidentëve autokratë, ata kanë bërë një hap që të paktën të kufizojnë këtë pushet në shtrirje kohore.

Në vitet 2016 dhe 2017, të dy organizatat vendosën të kufizojnë numrin e mandatëve në organet drejtuese, duke i zbritur në tre të tilla me nga 4 vite, Që nga viti 2017, si UEFA, ashtu edhe FIFA, u kanë dërguar të gjithë vendeve anëtare të tyre një listë me sugjerimë për ndryshime në Statute dhe pika e parë është ajo e kufizimit të mandateve duek iu afruar atyre të organizatave ndërkombëtar. Një sugjerim që Duka, edhe pse vetë anëtar i Ekzekutivit të UEFA-s që firmos këto shkresa, e ka injoruar plotësisht, pasi qartëisht as nuk ka ndër mend që të heqë dorë nga kolltuku i tij.

Njëkohësiht, Kufizimet e karakterit poltik si ato që do të miratojë FSHF, nuk gjenden në asnjë prej rregulloreve të FIFA-s dhe UEFA.s, në organet më të larta të të cilave gjenden përfaqësues të politikës. Për shembull, në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, ku bën pejsë edhe vetë Duka, gjenden Naser Al Khelaifi i cili vazhdimisht ka poste ministrore në Katar, si dhe Andri Pavelko, ish-deputet në Ukrainë.

FSHF u heq votën klubeve të Kategorisë së Dytë, ia dorëzon Shoqatave Rajonale që kontrollon

FSHF ka gjetur një mënyrë më të për të përdorur Shoqatat Rajonale që kontrollon, duke bërë funksionin e tyre më efikas gjatë Asambleve Zgjedhore për të garantuar rizgjedhjen e krerëve aktuale të saj. Me lëvizjen e fundit në ndryshimin e statutit, kreu i FSHF, Armand Duka, ka centralizuar edhe më shumë votën duke ua hequr atë klubeve që janë anëtare prej vitesh.

Sipas staturit të ri, të drejtën e një vote në Asamble do të kenë të gjithë klubet e futbollit profesionist, që do të thotë ata të Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë. Në rast se një klub përfaqësohet me një skuadër në nivele të ndryshme, ai përsëri do të ketë të drejtën e një vote, pra në rastin aktual Partizani që ka edhe skuadrën B në Kategorinë e Parë, nuk do të gëzojë të drejtën e votës tjetër.

Ndërkohë, me statutin e ri, po aq vota sa ka futbolli profesionist, do të ketë edhe futbolli amator, i cili do të jetë nën kontrollin e plotë të Shoqatave Rajonale. Pra klubet nuk do të kenë më delegatë me të drejtë vote të garantuar nga anëtarësimi i plotë në FSHF, por sipas një përzgjedhje që i bën zyra rajonale të cilës i përkasin. Shoqatat do të jenë ato të cilat në bazë të statistikave që përpilojnë vetë për pjesëmarrjen në kampionate e masizivizimin e futbollit, do të caktojnë se cilët klube do të mund të shkojnë në Asamble me të drejtë vote.

Me pak fjalë, do të ketë centralizim të plotë pushteti dhe kontroll thuajse automatikisht të gjysmës së votave të një Asambleje, pasi Shoqatat Rajonale financohen dhe janë në varësi të plotë të FSHF, siç e njeh vetë ky statut i ridhe sigurisht që është e pamundur që të bëjnë përzgjedhje që bie ndesh me linjën drejtuese të institucionit.

Statuti i ri i FSHF: Liga përsëri pa asnjë fuqi, cilësohet e varur dhe nuk i jepet e drejta televizive

Dy muaj më parë, FSHF fshihej pas Ligës Profesioniste ndërsa organizonte bojkotin e futbollit shqiptar. Por në statutin e ri të FSHF që miratohet sot, organizata e krijuar për të përfaqësuar klubet e elitës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre nuk ekziston, ose më saktësoisht ekziston nën varësinë e plotë të FSHF, siç mund të jetë një ligë rajonale.

E drejta kryesore që kërkon Liga është komercializimi i aktivitetit në të cilin merr pjesë, Kategorinë Superiore, ku fitimet më të mëdha i sjell e drejta televizive. Por FSHF nuk ka ndër mend t’ia dorëzojë ato dhe është siguruar që të vazhdojë të mbajë kontrollin e plotë. Kështu, nëpërmjet neneve 83 dhe 84 të Statutit të ri, FSHF ka garantuar që do të jetë Komitetit Ekzekutiv ai që do të marrë çdo vendim për këto të drejta dhe si do të përdoren e komercializohen ato, duke i hequr mundësinë Ligës që të ketë pavarësi të plotë qoftë edhe mbi shitjen e emrit të kampionatit që kjo e fundit kërkon të bëjë realitet prej kohësh.

Në vetë përkufizimet e termave të përdorur në Statut, FSHF ka treguar se Liga nuk mund të jetë e pavarur prej saj dhe duhet t’i nënshtrohet çdo vendimi ta institucionit të futbollit. “Një organizatë që është në varësi të një federate”, shkruan ajo në përkufizimin e Ligës, duke hedhur vetë poshtë çdo lloj diskutimi për pavarësi të organizatës që drejtohet nga zëvendëspresidenti i FSHF dhe ka për Sekretar të Përgjithshëm një nga të besuarit e presidentit Armand Duka. (Vip Sport)

 

 

1 komente në “SKANDALET: Nga ndalimi i kandidaturave si Igli Tare tek heqja e votes për klubet e Kategorisë së Dytë, si po përgatit Armand Duka manipulimin për zgjedhjet e ardhshme”

  1. Tifoz says:

    Ore a ka turp , a ka moral ky njeri, ka marre peng futbollin shqiptar dhe shteti komplet i pafuqishem. Shtet pa byth qe ka frike Duken pffffff
    Sa per Igli Taren pse jo ? Njihet pervoja e tij madje dhe ne arenen nderkombetare

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje