Dosja “Bajri” shfryhet në dënime minimale për organizim bastesh

23 Dhjetor 2020, 19:47Kronika TEMA

Gjykata e Shkodrës shpalli fajtorë dhe dënoi për krime të vogla 9 të arrestuarit fillimisht si anëtarë të një organizate kriminale të akuzuar për vrasje dhe trafiqe, akuza që u shfrynë në “Organizim të llotarive të palejuara në bashkëpunim”.

Nga Anila Dushi

Të arrestuar në dy operacione të njoftuara me bujë në vjeshtë të vitit 2018, anëtarë të të ashtuquajturit “Grupi Bajri” u dënuan  nga Gjykata e Shkodrës të hënën, ndërsa u gjetën fajtorë kryesisht për “Organizim të llotarive të palejuara në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Gjykata po ashtu vendosi përgjithësisht se anëtarët e grupit Bajri e kanë shlyer dënimet që variuan nga disa muaj në maksimumi 2 vjet e 6 muaj, me kohën që kanë qëndruar në paraburgim. Në qeli me dënime të papërfunduara mbetën vetëm Safet Bajri dhe Ilir Rustemi. Bajri po vuan dënimin me 9 vite burg të dhënë nga autoritet Belge për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni”. Ndërsa Ilir Rustemi pasi është i dënuar me 5 vite e 6 muaj burg në Itali.

Ndërkohë për të ashtuquajturin drejtues i grupit Behar Bajri vazhdojnë hetimet në gjendje të lirë për akuzën e vrasjes së të fejuarës së tij, Fabiola Bajri në 20 qershor të 2002. Ai është lënë i lirë deri në mbyllje të hetimeve.

Gjykata vendosi dënimin e Behar Rustemi (Bajri, Brajoviq) për “Organizimi i llotarive të palejuara në bashkëpunim” me 3 muaj burg. Dënimin e Safet Rustemit për “Paracaktim të rezultateve në garat sportive” dhe “armë mbajtje pa leje” dhe “Organizimi të llotarive sportive në bashkëpunim”  dhe dënimin e tij me përfundimsht me 2 vite e 6 muaj burgim. Ilir Rustemi u dënua për mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burg.

Astmer Bilalit, i akuzuar për “Përcaktimi të rezultateve sportive” dhe “Ndërtim të paligjshëm” u dënua me 3 vite burgim. Ismet Idrizi, për armëmbajtje pa leje u dënua me 2 vite e 6 muaj burgim. Emrah Plaku, po ashtu u dënua për armëmbajtje pa leje me 2 vite burg. Sirjan Alija, i akuzuar për “organizimin e llotarive sportive” dhe u dënua me 2 muaj burgim.

Ardit Smajli, u dënua me 8 muaj liri me kusht, po për “Organizimimi i llotarive sportive”. Samet Halluni gjithashtu u dënua për këtë vepër penale me 2 muaj burgim.

Operacioni i arrestimit të tyre u konsiderua si një nga më të rëndësishmit në vitin 2018, ndërsa erdhi pas një serie vrasjesh në Shkodër. Grupi dyshohej si i përfshirë në vrasjet, ndërsa shpesh të afërm të tyre ishin viktima të hakmarrjes nga rivalët. Operacioni ndaj tyre u zhvillua në Tiranë, Shkodër dhe Roterdam të Holandës. 11 persona u arrestuan të akuzuar si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me qendër në lagjen Dobraç të Shkodrës.

Operacioni u trumbetua si një goditje e suksesshme kundër krimit të organizuar nga Shqipëri nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

“Janë kryer dhjetra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktive në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv,” thanë ata në një konferencë të përbashkët për shtyp. Pas arrestimit të Safet Bajrit në Tiranë, Behar Bajrit në Holandë dhe Enver Bajrit në Spanjë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti një mori akuzash; mes të cilave përfshirje në gjobëvënie, lotari të paligjshme e trukim ndeshjesh si dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm mbi administratën shtetërore, krime që sipas saj u kryen në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Por dy vjet nga operacioni, dosja u trasferua nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, drejt prokurorisë së Shkodrës me akuza të rrudhura dhe shumicën e të pandehurve në liri. Dokumentet gjyqësore të siguruara nga BIRN, në një shkrim të qershorit 2020, treguan se rekordet kriminale në Europë dhe në Shqipëri të të akuzuarve u konsideruan të pamjaftueshme nga SPAK  – e cila pushoi akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.

Vendimarrja e SPAK, siç gjeti BIRN,  u bazua te kriteri numerik formal i bashkëpunimit mes tre anëtarësh- i përcaktuar në Kodin Penal si kusht për ekzistencën e grupit të strukturuar kriminal. SPAK argumenton se në të gjitha episodet [me përjashtim të trukimit të ndeshjeve] vërtetohej bashkëpunim vetëm mes dy anëtarësh.

3 komente në “Dosja “Bajri” shfryhet në dënime minimale për organizim bastesh”

  1. Termet termet... says:

    Po vijne zgjedhjet. I duhen Rames keta.

  2. Lushnjari says:

    Aktualisht grupi kriminal me i rrezikshem ne veri. Ka vetem nje arsye per ti liruar; lidhja e ngushte me PS dhe deputetin Harusha. Larg cdo lloj emocioni politik, lirimi i tyre eshte nje ogur i zi per Shkodren dhe zgjedhjet ne veri. Te pakten edhe 5-6 vrasje ne 2021 jane te paraprogramuara. Sa keq me vjen per ate qytet!

  3. spartak says:

    Jo për këta , por edhe për ma rjepacukun , akuzat fillojnë e zbuten , dobësohen , shfryhen ose bien fare , normal veç me PARE dhe asgjë tjetër . Po ka dhe anën tjetër kjo medalje, KERCENIMIN , sepse, ai që ka paren , s’ka luajt menç me ndejtë gjithë jetën në burg , prandaj ka për borxh me te heq qafe çdo prokuror e pjestar të familjes së tij .
    Si është ajo shprehja : ” Ndodhin , pa tregohen ” . Me porosi nga burgjet janë kërcënuar e vra edhe në Shqipëri me dhjetra , e deri komisarë e kryekomisarë policie , shefa , e avokatë .
    Llogjika dhe arithmetika është dhe bëhet e thjeshtë . A ma mirë me qefin tek koka , apo ma mirë me bo dhe ca pare , e me i pas miq e mbrojtës kriminelat . Se mos ka shtet me e mbrojt e me i dalë zot jetës dhe pa prekshmërisë së prokurorëve e familjeve të tyre .
    S’ka asgjë për t’u çuditur e habitur .
    T’na rrojë Partia desh me thënë .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje