5 gjëra të cilat nuk do i marrim për të mirëqena vitin e ardhshëm

29 Dhjetor 2020, 19:30Bota TEMA

Nga Anna LeMind, Learning Mind

2020 tronditi gjithçka, duke e bërë jetën e përditshme të panjohur dhe planet për të ardhmen të pasigurta. Të gjithë shpresojmë që 2021 të sjellë një ndryshim pozitiv, por e vetmja gjë e sigurt është se askush prej nesh nuk do të marrë si të mirëqena gjëra të caktuara  vitin e ardhshëm.

Diçka mund të themi me shumë siguri, se masat kundër Covid-19 kanë ndryshuar jetën tonë në mënyrë dramatike.

Ne mund të flasim pafund për mënyrat se si pandemia prishi ekuilibrin e jetës sonë, por ka edhe disa mësime jetësore që kemi mësuar prej saj.

Kështu që ne mund ta përdorim këtë krizë globale për t’i dhënë më shumë kuptim jetës tonë dhe për të zhvilluar aftësitë tona për të gjetur lumturinë edhe në gjërat më të thjeshta.

1.Liria

2020-a ka treguar se sa të lirë kanë qenë njerëzit  para se të fillonte pandemia e koronavirusit. Ata kishin mundësi të shumta për punë dhe kohë të lirë. Por siç ndodh gjithnjë në jetë, njerëzit fillojnë ta vlerësojnë diçka vetëm pasi e kanë humbur atë.

Në disa vende të botës, ju nuk mund të dilni lirshëm nga shtëpia juaj pa pasur një arsye të fortë. Edhe për të dalë shëtitje në park, duhet të plotësoni një formular të veçantë, ose ta merrni përmes telefonit të ashtuquajturën leje të lëvizjes.

Edhe nëse  jeni një tip i mbyllur dhe nuk dilni shpesh, ju mungon liria e të pasurit mundësinë për të dalë. Mbi të gjitha, ky është thelbi i lirisë, vetëdija se keni mundësi të ndryshme për të zgjedhur.

2.Familja

Nuk po flasim vetëm për anëtarët e familjes, që shumë prej nesh kanë humbur nga pandemia. Por edhe për ndarjen fizike. Aktualisht nuk kemi asnjë mundësi për të vizituar të afërmit dhe të dashurit tanë që jetojnë në një qytet ose vend tjetër.

Me udhëtimet ajrore që janë kufizuar ose pezulluar, dhe shumë vende në mbarë botën i kanë mbyllur kufijtë e tyre, takimi me prindërit ose vëllezërit e motrat  që jetojnë larg, bëhet një mision gati i pamundur. E kush mund ta imagjinonte që ribashkimi me familjen do të bëhej kaq i vështirë?

3.Udhëtimet

E njëjta gjë vlen edhe për udhëtimet në përgjithësi. Shumë prej njerëzve janë penduar që nuk  kanë udhëtuar duke e shtyrë për “një kohë më të mirë”. Dhe siç ka treguar situata,“kohë më të mira” mund të mos vijnë kurrë.

Sigurisht që nuk duhet të përhapim pesimizëm, pasi të gjithë kanë shpresën që së shpejti do të kenë mundësinë për të udhëtuar.

Por pandemia e vitit 2020, i ka mësuar njerëzimit se nuk duhet që t’i marrin si të mirëqena liritë themelore dhe mundësitë që kanë pasur më parë. Dhe më e rëndësishmja: duhet t’i shfrytëzojnë ato mundësi më shpesh, nëse nuk duan të kenë një jetë të mbushur me pendesa.

4.Stabiliteti

Stabiliteti është ndoshta gjëja më e zakonshme, që të gjithë e marrin si të mirëqenë. Ashtu si shëndeti dhe lumturia, ajo është një gjë që ne i kuptojmë vlerën vetëm kur kur e humbasim. Dhe kjo nuk është e vërtetë vetëm për stabilitetin financiar, por edhe mirëqenien në përgjithësi.

Kur jeta ndjek një kurs të caktuar, të gjithë kanë luksin të bëjnë plane dhe të jenë të sigurt mbi të ardhmen. Tani mendoni pak për njerëzit që përjetuan luftëra.

Ata e jetuan jetën e tyre, ranë në dashuri, krijuan familje, ndoqën ëndrrat e tyre, dhe papritmas nuk mund të bënin më asgjë nga ato.

Imagjinoni sa u mungon stabiliteti që kishin para luftës në vendet e tyre. Sigurisht, ne jemi shumë më me fat se sa ata që u detyruan të përballeshin me pasojat shkatërruese të luftërave. Por besoj që edhe ne sot ndihemi njësoj si ata në situatën aktuale. Secili prej nesh ka ndjerë një dëshirë të thellë për botën para-pandemisë dhe jetën normale.

5.Kontakti njerëzor

Edhe tipat më të vetmuar e kanë të vështirë të qëndrojnë për shumë kohë pa kontakte njerëzore. Tani imagjinoni se sa e vështirë duhet të jetë për ekstrovertët në të gjithë botën që janë të detyruar të jetojnë pa aktivitetet e tyre të rregullta sociale, si mbrëmjet dhe festat.

Distancimi social po përjetohet nga të gjithë si diçka jo-njerëzore, dhe mund të ketë një efekt negativ në shëndetin tonë mendor. Kjo është veçanërisht e vërtetë për fëmijët, psikika e të cilëve është në fazën e zhvillimit.

Shpresojmë që viti i ardhshëm të na japë mundësinë të ribashkohemi me të dashurit tanë, të ndjekim ëndrrat tona dhe të bëjmë plane për të ardhmen. Përktheu Sonila Backa-abc

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje