Në Kosovë kanë mbyllur pjesën e parë të sezonit teksa klubet kanë periudhën e pazuës, ndërsa është edhe koha për të bërë bilancet.
Klubet nga Kosova ndryshuan dhe ishin mjaft aktive në merkaton e verës, duke fituar garën për të afruar futbollistët edhe me klubet e Kategorisë Superiore. Kështu, lojtarë si Jashanica, Lilaj, Muça, Çyrbja e të tjerë, preferuan të vazhdonin karrierën atje.
Por, duket se këta lojtarë, por edhe të tjerë që më parë kanë qenë pjesë e Superiores si Greca, nuk kanë arritur të përmbushin pritshmëritë.
Ndaj, Gazeta Olle ka përpiluar formacionin me ata që dështuan në këtë pjesë të parë të sezonit dhe aty janë emrat e Gentian Muçës me Bajram Jashanicën në mbrojtje. Të dy këta futbollistë pritej të ishin liderë respektivisht të Prishtinës dhe Ballkanit, por nuk ka rezultuar kështu teksa ata janë ulur në stol vazhdimisht.
Ndërkohë, në mesfushë gjenden emrat e Sabien Lilaj dhe Arbër Çyrbjes. Për mesfushorin pati interes edhe nga Superiorja, por ai zgjodhi Prishtinën. Ish-futbollisti i kombëtares nuk ka dhënë impaktin e pritshëm, ndërsa jo më mirë ka bërë te Gjilani edhe ish-lojtari i Teutës, Çyrbja.
Sakaq, në sulm gjendet emri i Bedri Grecës i cili në Kosovë nuk luan sezonin e parë, por me Feronikelin nuk ka lënë gjurmë në fushë.