Britania e Madhe aprovon vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë AstraZeneca.
Shefi ekzekutiv i AstraZenekës, Pascal Soriot tha për gazetën “Sunday Times” se kompania e ka “zbuluar formulën fituese që e rrit efektshmërinë pas dy dozave deri afër nivelit që kanë treguar vaksinat e tjera”.
Ai shtoi se ai beson se vaksina e kompanisë së tij do të jetë gjithashtu efektive kundër variantit të ri të virusit, i cili është më ngjitës dhe po shkakton shqetësim në të gjithë botën.
Vaksina e kompanisë AstraZeneca bëhet vaksina e pestë që do të përdoret në luftën kundër koronavirusit.
Testet e hershme treguan se vaksina ishte 70 përqind efektive në parandalimin e sëmundjes, krahasuar me nivelin e efektshmërisë prej 95 përqind të raportuar nga Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech.
Rusia dhe Kina gjithashtu kanë vaksinat e tyre.