Tirana nuk po kalon një periudhë të lumtur në edicionin e ri futbollistik, por e mbyll vitin 2020 si skuadra e cila ka bërë më shumë pikë se të gjithë të tjerat në Kategorinë Superiore.
Meritë sidomos e periudhës nën drejtimin e Emanuel Egbo, kur ekipi arriti që të linte pas ndjekësit në garën për titullin e edicionit 2019-2020, pasi aty ka bërë diferencën në 31 ndeshjet e Superiores që janë zhvilluar gjatë 2020.
Në 19 ndeshjet e luajtura nga sezoni i kalyar në periudhën janar-korrik, Tirana ka siguruar 42 pikë në kampionat, që ndihmuan të linte pas të gjitha skuadrat e tjera.
Ndërsa në edicionin aktual, ekipi i drejtuar fillimisht nga Egbo e së fundmi nga Nevil Dede, ka siguruar deri tani 16 pikë nga 12 ndeshjet e luajtura. Kjo e çon në 58 totalin e pikëve të siguruara nga Tirana gjatë vitit kalendarik, duke u renditur në majën e këtij klasifikimi të veçantë.
Pas krahëve të saj është një skuadër surprizë, e cila në fakt që në fillimet e vitit të kaluar kishte shprehur hapur pretendimet se do të luftonte për objektiva madhorë. Laçi është skuadra e cila është në vendin e dytë për pikë të grumbulluara gjatë vitit. Kurbinasit kanë bërë 39 pikë në pjesën e edicionit të kaluar të luajtur në këtë vit dhe 17 në edicionin aktual, duke çuar në 56 pikë totalin e tyre.
Podiumin e plotëson Kukësi, i cili mban vendin e tretë me 52 pikë, pas 35 të siguruara në edicionin e kaluar dhe 17 në këtë aktual.
Më pas vijnë paralelisht me 49 pikë Vllaznia dhe Teuta, të ndjekur nga Skënderbeu me 46, Partizani me 44 dhe Bylisi me 32 pikë në këtë klasifikim virtual të 8 skuadrave që kanë marrë pjesë në të dy edicionet e Kategorisë Superiore. /vipsport.al/