Pas përfundimit të emisioneve të Vitit të Ri në televizionet tona kombëtare, Bilushi i Metës vendosi të ndajë disa certifikata mirënjohjeje për humorin e Vitit të Ri:
“Në vend të parë “Portokallia”.
Ky emision meriton mirënjohjen e vitit për humor, pasi në shenjë respekti për situatën e rëndë ekonomike dhe politike, nuk na bëri asnjëherë për të qeshur gjatë gjithë natës së Vitit të Ri.
Kjo është një përgjegjshmëri e lartë qytetare dhe një kontribut i madh politik në ditët që jetojmë.
Në një vend ku vdekjet shtohen çdo ditë dhe ku qeveria është e korruptuar, të bësh njerëzit për të qeshur është krim.
“Portokallia” tregoi se e ka pjekurinë dhe nivelin e duhur qytetar për t’iu përgjigjur realitetit.
Në vend të dytë është “Klanifornia”, një emision i cili i është përmbajtur gjatë gjithë kohës që nga fillimi, parimit që aplikoi “Portokallia” këtë vit.
Ky emision do të kishte fituar sivjet vendin e parë, për faktin që nuk të bën për të qeshur në një situatë të rëndë ekonomike, por këtë rregull e prishi drejtuesi i saj Jul Deda, i cili në disa raste i detyroi njerëzit të qeshnin pasi tha “Luli do fitojë”.
Për këtë klasifikohet i dyti, pas “Portokallisë”.
Në vend të tretë TVSH, i cili është kthyer në një muze humori.
D.m.th para se të fillojë emisioni, t’i duhet të qash një herë për gjithë aktorët që kanë vdekur, pastaj do t’i shikosh e të qeshësh.
Fakti që t’i përziejnë emocionet, i ka çuar ata në vend të tretë.
Meqë shumica e aktorëve që bëjnë humor natën e Vitit të Ri në TVSH nuk rrojnë më, shumë nga teleshikuesit më shumë qanin kur i shikonin, se sa qeshnin me skeçet e tyre të vjetër.
Në vend të katërt është Zeni.TV. Ai vërtet nuk kishte emision humori, por emisioni i lajmeve e zëvendësonte këtë mungesë dhe ti mund të qeshje me lajmet e Qim Pekës.
Në vend të pestë është Ora News me refleksionet e Grida Dumes.
Aty të krijohej ideja që ajo do priste damarët dhe të vinte për të qeshur.
TV-të e tjera nuk i klasifikuam për mungesë standardi, në pritje për t’u trajnuar për humor tek Ermali apo Vasil Naçi.”
Shum i bukur shkrimi…