Donald Trump: Vdekjet nga Covid në SHBA, të rreme. Reagon dr. Fauci

4 Janar 2021, 10:19Bota TEMA

Presidenti i SHBA Donald Trump tha të dielën se numri i infeksioneve COVID-19 dhe vdekjeve nga sëmundja në Shtetet e Bashkuara ishte “i tepruar”, një ditë pasi vendi regjistroi një numër rekord ditor të infeksioneve të reja dhe vdekjeve mbi 350,000.

“Numri i rasteve të infeksionit dhe vdekjeve nga virusi kinez në Shtetet e Bashkuara është shumë i ekzagjeruar për shkak të metodës qesharake të përcaktimit (Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve) krahasuar me vendet e tjera, shumë prej të cilave raportojnë, me qëllim, shumë pasaktësisht dhe më pak (nga numri aktual)”, shkroi Trump në Twitter, duke i quajtur “lajme të rreme” raportet e numrit të infektuar dhe të vdekur.

Ekspertët e shëndetësisë hodhën poshtë shpejt pretendimin e Trump.

“Vdekjet janë vdekje të vërteta. E tëra çfarë ju duhet të bëni është të shkoni në vijën e parë të frontit, të shkoni në spitale … është e vërtetë, nuk është e rreme,” i tha televizionit ABC News Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive të vendit.

Shefi i Shërbimit të Shëndetit Publik Jerome Adams tha për CNN se “nuk ka asnjë arsye për të dyshuar” në numrin e vdekjeve nga COVID në Shtetet e Bashkuara.

Numri i të vdekurve në SHBA, sipas Universitetit Johns Hopkins, ka tejkaluar 350,000 dhe 20,4 milion njerëz janë infektuar me virusin që nga përhapja e tij, shumë më tepër se në çdo vend tjetër. Një rekord i ri ditor për numrin e të infektuarve, 299,087, u vendos në SHBA të shtunën, sipas universitetit.

Fushata e vaksinimit në SHBA po zhvillohet më ngadalë sesa parashikonin zyrtarët. Qeveria federale nuk ka mundur të arrijë qëllimin e saj për të vaksinuar 20 milion njerëz deri në fund të vitit 2020. Fauci tha se ritmi i vaksinimit do të rritet dhe së shpejti do të arrijë 1milion injeksione në ditë.

1 komente në “Donald Trump: Vdekjet nga Covid në SHBA, të rreme. Reagon dr. Fauci”

  1. rroku says:

    Ky eshte manadh komplet….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje