ANALIZA: Duam fjalë jo cicërima

10 Janar 2021, 20:15Bota TEMA

Nga Ardian Vehbiu

Ka ngjallur siklet, mes mendjeve që preokupohen për të drejtat civile, vendimi i Twitter-it për t’ia mbyllur llogarinë presidentit të SHBA, Donald Trump. Me ç’të drejtë?

Twitter-i e përligji masën e vet kaq ekstreme duke shpjeguar se, nëpërmjet gjërave që postonte aty, Trump-i nxiste “dhunën”; ose, më tej, se një masë jo e vogël përdoruesish të atij rrjeti mund t’i interpretonin fjalët e Trump-it si inflamatore.

Njëlloj kanë vepruar edhe rrjete të tjera sociale, si Facebook-u dhe Reddit. Duket se është krijuar një konsensus, në mass mediat sociale, se presidenti Trump mund dhe prandaj edhe duhet censuruar.

Kështu në vështrim të parë, kjo tingëllon e rrezikshme.

Por pastaj të vjen natyrshëm pyetja: ç’dreqin bënte Presidenti i SHBA, Donald Trump, duke postuar “cicërima” pa fund, në një rrjet social?

A është kjo mënyra si duhet të komunikojë Presidenti Trump me publikun e vet? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje, tek e fundit, do ta kornizojë edhe skandalin e tanishëm të censurimit.

Kjo edhe në kontekstin e historisë së marrëdhënieve të Trump-it me mass mediat, të së gjitha llojeve, gjatë këtyre katër vjetëve të Presidencës.

Sërish: ç’punë ka Presidenti Donald Trump-i në Twitter? A nuk ka gjëra më serioze për të bërë, p.sh. të jetë President? A nuk ka një ushtri me sekretarë të shtypit, që të kujdesen për komunikimin e tij publik?

Dhe sidomos: a nuk duhet ta dijë, një njeri me pozitën dhe statusin e tij, që fjala publike e Presidentit ka peshë tjetër nga ajo e një cicëruesi çfarëdo në Twitter, a postuesi çfarëdo në Facebook?

Fjala publike e Presidentit të SHBA, kur ky flet me cilësinë e Presidentit të SHBA, është performative: duke folur, Presidenti ushtron madje riprodhon edhe pushtetin që i jep ligji (kushtetuta).

Këtu nuk po diskutojmë se çfarë i thotë qytetari Donald Trump kamerierit, në një golf resort, kur porosit një gin tonic; komunikimet e tij në rrjetet sociale, që ndiqen nga dhjetëra miliona vetë, janë shprehje e institucionit të Presidentit në funksion e sipër, jo e dëshirave dhe e nevojave të Trumpit individ.

Prandaj pyesim: a mund të jetë dikush President i SHBA-ve brenda platformës sociale të Twitter-it ose të Facebook-ut?

Me gjasë, JO. Por një gjë është e sigurt: këtë duhet ta përcaktojë ligji.

Për të njëjtën arsye siç përcaktohet me ligj që Presidentin e SHBA e zgjedh një kolegj elektoral, jo vota e drejtpërdrejtë e qytetarit; dhe se demokracia në SHBA funksionon vetëm në kontekstin e normave ligjore dhe procedurale që e kufizojnë dhe e plotësojnë.

Gabimi i Trump-it, nëse mund ta quajë kështu, është personalizimi i institucionit – vërtet fjala e Presidentit të SHBA është performative (zë vend dhe kryen funksione që Presidentit i njihen me ligj), por kjo automatikisht duhej t’ia kufizonte lirinë e fjalës njeriut Trump.

Sepse sfida e Presidentit të SHBA nuk është aq liria e fjalës, sa ç’është përdorimi i fjalës me urtësi dhe në pajtim me ligjin (dhe Kushtetutën).

Pastaj, nëse Trump-i dëshiron të përdorë platformën Twitter për të komunikuar, kjo nuk do të ngrinte shumë peshë, në qoftë se fjala e tij kontrollohet nga specialistët përkatës – juristët, ekspertët e marrëdhënieve publike, espertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, antropologët – para se të lëshohet në qarkullim.

Presidenti i SHBA-ve ka nevojë për sekretarët e marrëdhënieve publike njëlloj siç ka nevojë për gjeneralët, që t’ia bëjnë luftërat që shpall; ose për astronautët, që t’i dërgojë në orbitë në emër të shtetit të vet. Liria e tij për të vepruar – e cila përfshin edhe lirinë për të folur në publik – përkon ekzaktësisht me lirinë e institucionit përkatës.

Kontrolli i aparatit ndihmës është, në këtë kontekst, i krahasueshëm me kontrollin e kujdesshëm që ia bëjnë mekanikët, inxhinierët dhe teknikët e tjerë një avioni pasagjerësh, para se ky të ngrihet në fluturim.

Me fjalë të tjera, nëse dikush kërkon ta ushtrojë në maksimum prerogativën e lirisë së fjalës që ia njeh ligji, vështirë se mund ta realizojë këtë duke u bërë President i SHBA-ve.

I njëjti përfundim mund të arrihet edhe duke arsyetuar së prapthi: duke i jetërsuar marrëdhëniet e institucionit të Presidentit të SHBA-ve me mass mediat dhe duke hyrë në konflikt me këto të fundit, Trump-i njëfarësoj ia dorëzoi fjalën e vet publike – si President – një rrjeti social kompani private si Twitter-i, çfarë i dha Trump-it iluzionin, por vetëm iluzionin, se ashtu po mbante kontakt të drejtpërdrejtë me bazën e vet politike.

Kishim një President që hyri në konflikt jo vetëm me mediat, por edhe me establishmentin në Washington DC; dhe që e menaxhoi këtë konflikt shumë keq, sepse në analizë të fundit establishmenti e detyroi të snobonte ndërmjetësimet dhe të gënjehej me idenë se mund të komunikonte drejtpërdrejt me “popullin”.

Nëse efekt i kësaj karikature të komunikimit demokratik ishte edhe përdhosja e tanishme e Kapitolit nga mbështetësit e Trump-it dhe protestuesit e rezultatit të zgjedhjeve, këtë është ende herët ta thuash; pa çka se ai lloj komunikimi, që kish zgjedhur të praktikonte Trump-i, nuk mund të krijojë veçse turma, të cilat pastaj dalin nga kontrolli dhe kanë ritualet e tyre të riprodhimit dhe të zgjerimit.

Fiaskoja e tanishme, edhe e Trump-it edhe e ndalimit të tij, tregoi se rrjetet sociale rrezikojnë të kthehen në karnavale të demokracisë – dhe qytetarët që i përdorin të shndërrohen në turmë.

Dëgjon tani edhe argumentin se një president narcisist me tundime të forta populiste si Trump-i do të gjente, te rrjetet sociale, mjedisin ideal për t’u realizuar si lider, sepse atje mund të mbante kontakt me çdo ndjekës, praktikisht 24 orë në ditë.

Mund të jetë kështu. Por kjo, e para, nuk është demokraci dhe rrjetet sociale nuk mund të funksionojnë si institucione (janë thjesht platforma); dhe, e dyta, edhe sikur kjo mënyrë komunikimi të prodhonte vërtet vlera demokratike, sërish ia vlen të bësh pyetjen “arkeo-marksiste”, se kush i zotëron mjetet e këtij prodhimi.

Dhe ashtu e kupton si ia arritëm kësaj dite kur një person privat si Jack Dorsey, CEO i një platforme të komunikimit elektronik si Twitter-i, mund t’ia mbyllë kanalin e komunikimit Presidentit të SHBA-ve, me një lëvizje të gishtit.

Të kemi parasysh edhe se kompani si Twitter-i, Facebook-u, Google-i dhe Apple-i nuk janë institucione që kanë për mision të mbrojnë vlerat e qytetarisë dhe të demokracisë, por ndërmarrje me qëllim fitimi; të cilat nuk e kanë për gjë ta sakrifikojnë të drejtën e të tretëve për të ushtruar fjalën e lirë, nëse kjo e fundit ua rrezikon fitimet.

Eksperienca e këtyre viteve të fundit, kur censurimi është shndërruar në veprimtari politike madhore, falë lehtësisë me të cilin përhapet negativiteti në rrjetet, tregon se teknologjia, përfshi këtu edhe teknologjinë e komunikimit masiv, është rrezik i shtuar për të drejtat e liritë e individit dhe vetë funksionimin e demokracisë dhe të pluralizmit. Po i afrohemi me të shpejtë momentit kur individi do të përkufizohet, në sytë e shtetit dhe të kompanive që i shesin këtij produkte dhe shërbime, si tërësia e survejimeve që i janë bërë i të dhënave që janë mbledhur për të në rrjedhë të viteve.

Siç e shkrova më lart, rrëshqitja e Presidentit Trump në Twitter dhe duplikimi i tij si prezencë virtuale, u lehtësuan edhe nga personaliteti i tij i veçantë – narcisizmi, vaniteti dhe mosbesimi ndaj institucioneve. Normalisht, një institucion suprem si Presidenca duhej t’i kishte vënë në punë mekanizmat dhe filtrat e nevojshëm, për ta penguar një person narcisist, vanitoz dhe paranojak që të realizohej si i tillë, në ushtrimin e funksioneve të Presidencës.

Që kjo nuk ndodhi, tregon edhe se legjislacioni i sotëm, në vendet demokratike perëndimore, nuk është i përgatitur për t’u bërë ballë sfidave të mëdha, edhe juridike, që vijnë nga teknologjia e rrjeteve sociale.

5 komente në “ANALIZA: Duam fjalë jo cicërima”

  1. demokrati says:

    N je kardinal roman dilemen midis perhapjes masive te katolicizimit dhe besimit te paket e ka shpjeguar me bashkjetesen e gurit dhe ujit ne liqen. Guri rrethohet nga uji, jaget, zhduket nen uje por asnjehere nuk e le ujin te behet pjese e tij. Kete lidhje kane edhe vehbinjte shqiptar me lirine dhe demokracine amerikane. Amendamenti i Pare i Kushtetutes amerikane i jep cdo qytetari amerikan LIrine e te Shprehurit dhe te Mbledhjes, nuk ka interpretim per kete. Eterit themelues mbase nuk e kane ditur qe shteti i qytetareve te lire qe po themelonin do te ndryshonte strukturen racore dhe vehbinjte nga somalia, shqiperia, kina, rusia, do te silnin interpretimin e tyre te lirise se fjales. Ata e kishin lirine e fjalles te pakushtezuar pasi besonin ne pergjegjesine e qytetarit te lire te cilit i premtuan edhe mbajtjen e armes per mbrotjen e lirise personale, shtepise dhe prones. Edhe ne kete pike vehbinjte nuk kane ndjeshmerine e duhur pasi jane pacifiste ne gjeneze. Te thuash qe kompanite teknologjike ajne private dhe mund te censurojne jin ne mesjete shprehjne e lire te Presidentit te Republikes Amerikane pasi fjala e tij mund te nxise individe te papergjeggjeshem per vepra antisociale eshte nje interpretim antidemokratik i lirise se shprehjes. Nen petkun e censures nuk po cesurohen vetem individe por edhe kompani qe jane ne kompetition me censoret e medhenj. Trump u cesurua pasi nje qytetare me ngjyre, me konotacionit te theksuar racial ne diskursin e saj, qe ka qene ish zonje e pare i beri thirrje publike per lincim te Presidentit. Ne radhe cenzoret iu pergjigjen thirrjes se padronit politik duke shkuar shume shume larg edh eme larg se rregjimi i Putinit qe i vret por nuk u mbyll gojen kundershtareve te tij politik. Vehbiu adrian e di cdo te thote Amendamenti 230 qe rregullon aktivitetin e kompanive teknologjike. Ato jane kompani private qe jane te rregulluara me ligj , jo kompani private qe kane karte te bardhe veprimi. Kompanite teknologjike nuk u kursyen en aksionin e ture politik per te emeruar nje fosile politike si biden ne Shtepine e Bardhe, politika shfrytezoi monopolin teknologjik per interes te saj shih efektin domino te censures minuta pasi lejtnantja e mugabes junior urdheroi censurimin e Presidentit legjitim te SHBA. Nga ana e tyre censoret teknologjik nen masken e ruajtes te kontaminimit patriotik te popullit amerikan me n=bekimin e politikes po cimentojne MONOPOLIN e tyre dhe nuk lejojne asnje kompetitor te ofroj sherbime te krahasueshme. Ja pra vehbi i ardhur i kontaminuar me kuptimin enverist te lirise se shprehjes ne token e lirise se pakushtezuar te shprehjes dhe e pergjegjesise individuale per veprime qe bien ndesh me cenimin dhe dhunimit e lirise dhe prones publike dhe personale te qytetareve. Vehbiu shqiptar a ka ndonje ide pse censoret teknologjik nuk ndoluan organizata kriminale si Antifa dhe BLM qe dogjen SHBA, pse jo cortezin e famshem, vehbien e famshme portorikane qe ben lista asgjesimi te kundershtareve politik? Vehbiu shqiptar eshte nje guralec ne detin e lirise amerikane dhe pa rene ne banalitet nensurimi i Presidentit Trump eshte si ndalimi qe idhulli personal profesorit te markizem leninizmit, i bente klerit katolik per te mos infektuar shpirtin e lire te rinise shqiptare. censura juve nuk ju ben reaksion, pasi per ju mund te jete edhe e dobishme por amerikanet e ngriten shtetin e tyre pikerisht mbi Lirine e pakufi te Shprehjes, vehbi i paatdhe.

  2. Kënga popullore says:

    Një shkrim serioz.

  3. ceceni says:

    ly as te ashtu e as te leahon! ore po pse vetem ky vanitozi narcisisti bjond kiahte nje qasje te tille e te tjere lidere jane ahume mw te kujdesshem?! akoma do lene ne dore nje mjet te tille nje psikopati? atij dinin ti hiqnin butonat berthamor ky flwt per twitterin! shume mire ja kane bere! sipas tij nuk kane pergjegjesi publike keto mediume a platforma? si ta linin kete debilin qe ata white trash mob te vazhdonin e te digjnin institucoonet e ky tu thoahte I love u my american patriots! atop tjia bullshit! trump mos ardhte me se e coj ameriken ne byth! trupi i botes! presidwnt biri i botea tere siten nw twitter! ben zgjedhje amerikanet! ata white trash qe dukwahin ai cecenwt tane nje here ne njw kohe!

  4. astrit says:

    Te jesh ne mbrojtje te çensures kunder kujdo e nga kudo eshte tregues se se vlereson lirine. Keta jane njerez qe nuk duan lirine por diktaturen. Ne qe kemi kaluar nga diktatura komuniste ne fillim na mbyllen gojen e pastaj çfar ju donte shpirti i tyre i zi.

  5. Qerim Vidohova says:

    Ju gaboni rëndë zoti Vehbiu që dërgoni ose jepni pëlqimin për botimin e shkrimeve tuaja në këtë gazetë. Është sikur një ushqim të destinuar për lokale klasi, ta dërgosh për tu konsumuar në një menxë kooperative. Sa për të komentuar rreth shkrimit, kjo këtu është e pamundur të bëhet nga njerëz me dy pare mënd në kokë. Sepse, më thuaj, kush është ai që mund të ndihet mirë kur i shajnë nënën, motrën dhe gruan për një mendim ndryshe nga ai i tufës blegtorale të komentuesve të kësaj fletushke? Ndaj, sugjeroj të lejoni komentet tek ‘Pejsazhet’, si rruga më e arsyeshme për të shprehur mendime.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje