Gjithë kuajt që tërheqin karrocën drejt pushtetit

31 Janar 2021, 19:08Blog TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Vetëm pak më shumë se 80 ditë më pas, në mbrëmjen e të dielës do të ketë një ide pak a shumë të qartë se çfarë qeverisjeje do të ketë Shqipëria për katër vjetët e ardhshëm.

Kush do të jetë kryeministri, cilët do të jenë fituesit, cilët humbësit dhe përgjithësisht, do të kuptohet se cili do të jetë në vija të përgjithshme fati i çdo shqiptari; ngjyra e qeverisjes ndikon për mirë apo për keq në fatin e çdo individi në Shqipëri, qoftë ky lojtar në fushë, qoftë bari në mal, qoftë i varfër që ëndërron pasurinë dhe qoftë i pasur që ka harruar kohën e varfërisë së frikshme të diktaturës nën begatitë e papritur të pluralizmit.

Nëse Edi Rama rikonfirmohet për herë të tretë, nuk do të ketë shumë histori sepse është një histori që edhe në të ardhmen, do të ndodhë njëlloj si në të shkuarën. Përballë tij, njëlloj siç ka bërë dhe ai vetë në të shkuarën, opozita do të thotë që zgjedhjet janë grabitur. Sepse çdo opozitë në Shqipëri ka pasur vetëm dy alternativa në zgjedhje: ose fitore, ose në të kundërt, përbetIm se zgjedhjet janë të deformuara.

Dhe vetë Basha do të dëshmojë aftësinë e pabesueshme për të fituar mbi veten, të cilën ai e mund vazhdimisht! Në rast të kundërt, humbja e Ramës do të bëhet shumë shpejt histori sepse për fituesin tradicionalisht është më e udhës festa për të nesërmen në pushtet sesa qortimi i pushtetit të djeshëm. Dhe edhe njëherë si përherë, do të verifikohet se sa më shumë ndryshon, aq më shumë vazhdon të jetë e njëjta gjë.

Deri në mbrëmjen e të dielës në 25 prill, ka ende një përjetësi për t’u konsumuar. Deri atëherë vetëm ndonjë e papritur e madhe mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve që parashihet të ndodhin sa kohë janë të njëjtit personazhe në garë.

Maxhoranca dhe opozita po rikualifikojnë pothuaj të njëjtit emra me të cilët kanë ushtruar qeverisjen dhe opozitarizmin. Ato do të ndeshen përgjithësisht me të njëjtin fjalor, Rama duke pretenduar se i ka dhënë vendit qeverisjen më të mirë të tre dekadave pluralizëm dhe Basha duke e konsideruar të njëjtën gjë si humnerën më të thellë të së njëjtës periudhë. Sherri do të vazhdojë pak për shifrat, pak më shumë për opinionet dhe shumë më shumë për njerëzit që do të flasin për shifra e opinione.

Opozita do të vuajë mungesën në pushtetin lokal, kurse qeverisja do të shfrytëzojë si avantazh çdo dhuratë paraelektorale që i ka dhënë kundërshtari në këto katër vjet, marrëzitë e të cilit kanë qenë aleati strategjik i Ramës në kohën kur koha punonte kundër tij.

Në Tiranë dhe Durrës, dy qarqet më të mëdha që do të kushtëzojnë rezultatin zgjedhor, maxhoranca vjen me një gardh të ngjedhur që nis me kryeministrin Rama, kryetarin e bashkisë Veliaj, ministrat Spiropali e Ahmetaj dhe me menaxherin e talentuar Çela në Durrës. Kurse opozita deri më tani ka konfirmuar vetëm Edi Palokën si drejtues qarku në Durrës dhe ka lënë ende në pikëpyetjeTiranën, duke i dhënë kundërshtarit një tjetër avantazh në kohë, njëlloj si në Vlorë me Leskajn, Elbasan me Bardhin, në Korçë, Fier e gjetkë, ku drejtuesit e saj politikë janë konfirmuar me vonesë. Dhe mbi të gjitha, janë pothuaj në tërësi ose figura të nivelit të tretë të trashëguara nga mandati i dytë i Doktorit, ose prurje të vetë Bashës.

Fushata është si tërheqja e një karrojë të rëndë: zakonisht ajo merr ritmin e kalit më të shpejtë. Ajo do të ndjekë vrapin e Ramës që duket ende i pa nginjur nga pushteti dhe të Bashës që duket sikur nuk e ka me ngut vrapin drejt pushtetit.

Fatkeqësisht, më pas në qeverisje, gjërat përmbysen dhe shoqëria shqiptare lëviz përpara me ritmin e kuajve më të ngadaltë të karrocës. Ata që janë një shumicë që të dëshpëron dhe që ndodhen në mënyrë kapilare e vertikale në çdo qelizë të shoqerisë shqiptare. Eshtë marrëzi e pastër që të ngulmosh për rezultat të ndryshëm duke përdorur të njëjtët njerëz, mjetë e mekanizma.

Në rast dështimi ky nuk është faji i njerëzve, mjeteve dhe mekanizmave të zgjedhur, por është mëkati i atyre që i kanë zgjedhur ato. Nesër, varësisht rezultatit, kjo aksiomë do të verifikohet edhe njëherë në Shqipëri si kudo gjetkë. Atëherë do të rishfaqen sërish trimat e epilogut të betejave, të urtët që do të flasin mbasi ka mbaruar kuvendi, do të rikthehen dashnorët mbasi janë konsumuar tradhëtitë dhe do të gëzojnë horrat e zakontë që nuk mungojnë kurrë. Ata e dinë se koha e tyre ende nuk ka mbaruar!

5 komente në “Gjithë kuajt që tërheqin karrocën drejt pushtetit”

  1. Lan XHABIJA says:

    Si gjithmomë nga Lenc Vangjeli, kemi një shkrim inteligjent, thumbues, kritik, ironizues e shpotitës, tallës me të dy kahjet e politikës, dhe mbi të gjitha, parashikues.
    Të lumtë.

  2. Shenjestra says:

    Opozita,nuk e fiton dot pushtetin,nuk do marin kurre votat qe i duhen se jane njerez te keqinj.Ata e din humbjen dhe do te shikoni se sa gjera te çuditshem do beje Pd-ke dhe LSI.Ata kane pergatitur plane djallezore qe zgjedhejt e 25 Prillit te deshtojne.Ata kane skenare te zeza,dhe video te markes BABALE,qe kane shpres t’a vene ne pozita te veshtira Edi Ramen deri ne ekzekutim apo eleminim fizik.Prandaj nuk kini pare gje akoma nga Saliu,Meta,Basha dhe Fallxxhorja.Opozita nuk do shkoi ne Zgjedhje.

  3. Baze says:

    Skishe ca shkruaje ti dhe the po pjerth njeher?

  4. Olimpia says:

    O Lorenc ,na qorruat me keto sofizma letrare….pa kuptim .Ben ironi,je cinik por je asgjeja.Te gjithe ju kritiket 360 grande ,qe nuk dalloni dot se ku eshte perparimi dhe ku mesjeta ,beni nje parti politike dhe perplasuni ne luften elektorale.Sepse tendenca per ti bere te gjithe balte eshte teoria serbogreke te ciles ju i shkonin prapa ,ose me qellim,si dyshja Cani + Curri ose si idiote koshiente si ti ,Andoni ,Lubonja….etj.Nuk eshte i barabarte Berisha dhe lolua i tij Basha dhe Don Meta qe kane shkaterruar tre here Shqiperine ne 92….94,….ne 97…98…., ne 2011 …..dhe se fundi ne grushtin e shtetit te deshtuar fale SHBA te 2019 …..perballe Nanos qe ringriti shtetin dhe Rames qe megjith difektet e tij karakteriale ,e futi vendin ne epoken normale.
    Natyrisht koha ecen,PS duhet te gjeje nje te majte ne vend te liberalit Rama ,por PD ose duhet te shkrimet dhe te krijohet nje e djathte tjetermoderne ,ose duhet te demaskoje Berishen dhe berishizmin si fatkeqesi kombetare dhe te nxjerre nje grup drejtuesish komplet te ri.Sa perLSI pas pak nuk do ta degjosh me .Te tjeret ,qe sapo kane dale ,le te provojne forcat ,dhe ketu futu edhe ti Lorenc bashke me llafazanesh e pafund te medias.

  5. Lorenzo, Lenco, Lenza=fill peshkimi, po ç’e ke kete gjuhe, o t’u mbyllte? As mish e as peshk. Cikla peshtyme e jargavitje te peshtira, qe nuk thone asnje gje per t’u mbajtur shenim e per t’u bere pasuri intelektuale e atij qe te leçit. Kam pritur shume nga takemi yt (ku futen mbiemra si ai Minxhozit, Vasjarit e ca te tjere mesfushore), por sinqerisht jam zhgenjyer e po zhgenjehem dite per per dite, sa here qe ju lexoj (si ne kete rast) a ju degjoj kur hyni ne debate televizive e beni shume zhurme per hiçgje. I bini matarase, i zhyeni e laterzhyeni te gjithe ata qe zini ne goje, i beni fajtore per gjithçka, nuk u evidentoni asnje cilesi te mire, asnje arritje (qe nganjehere e sheh edhe bufi, veç ju analistet e medhenj nuk e shihni dot), asnje baze qe mund te sherbeje si pikenisje per te shkuar perpara. Po pse ore nuk i therrisni te shkretes mendje per te ndare te miren nga e keqja dhe t’i thoni bukes buke e veres vere, t’u tregoni njerzve qe presin nga ju ç’te marrin e ç’te lene, por vetem u ngaterroni kartat ne tavoline dhe e beni djallin e zi perhere fitues te lojes. Dyshoj se ju i doni te miren atyre te cileve u drejtoheni per t’u dhene mend. E beni pa dashje apo se i permbaheni ndonje pakti me djallin? Kete po perpiqem te ndaj une ne kategorine tuaj (te qerratenjve), sepse nuk ju shoh as si te manget, as si te shitur, si ca te tjere katran me boje qe duken me nje te hedhur te veshtrimit, sipuna e atij fshatit qe s’do kallauz…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje