Nga Jonathan Kirshner, Foreign Affairs
Në leksionin e parë në orën e marrëdhënieve ndërkombëtare, studentët paralajmërohen zakonisht mbi pasojat e pamëshirshme që sjell anarkia. Aty u thuhet se politika botërore, është një sistem që ndihmon veten:në mungesë të një autoriteti global për të zbatuar rregullat, nuk ka asnjë garanci që sjellja e të tjerëve të jetë e përmbajtur.
Në këto kushte vendet duhet domosdoshmërisht të bëjnë hamendësime mbi sjelljen e parashikuar të të tjerëve në të ardhmen. Është kjo arsyeja pse Donald Trump u bë anëtar i një klubi shumë të veçantë, atë të presidentëve amerikanë me vetëm një mandat.
Gjithsesi pavarësisht se tani ka përfunduar, presidenca e Trump do të ketë pasoja të qëndrueshme mbi fuqinë dhe ndikimin e SHBA-së në botë. Politika e jashtme e Trump ishte dritëshkurtër, transaksionare, e luhatshme, e pabesueshme, e vrazhdë,e personalizuar dhe shumë jo liberale në retorikë, prirje dhe besim. Disa e duartrokitën atë transformim. Por shumica e ekspertëve, praktikuesve dhe profesionistëve të politikës së jashtme po marrin tani frymë të lehtësuar
Për 75 vjet, supozimi i përgjithshëm ishte që Shtetet e Bashkuara ishin të përkushtuara ndaj marrëdhënieve dhe institucioneve që krijuan, dhe normat e vendosura e diktuan botën në mënyra që i privilegjuan interesat e SHBA-së. Nëse gjithnjë e më shumë perceptohet se ajo duhet t’i shërbejë vetëm vetes, Shtetet e Bashkuara do t`a gjejnë botën një vend më të rrezikshëm dhe më pak mikpritës.
Për shkak të Trump, partnerët e SHBA-së në Azi, Evropë dhe Lindjen e Mesme, do të vënë në pikëpyetje përparësitë e Uashingtonit në skenën botërore. Dhe presidenti Joe Biden dhe ekipi i tij i profesionistëve në diplomaci nuk mund të bëjnë dot asgjë për ta ndaluar atë.
Edhe pse marzhi i fitores në zgjedhjet presidenciale të vitit të shkuar ishte i gjerë (të dy kandidatët ishin të ndarë me 7 milion vota, ose një avantazh 4.5 për qind në votën popullore dhe 74 vota në ato elektorale), ajo nuk ishte një heqje dorë nga Trumpi.
Në vitin 2016, disa analistë argumentuan se zgjedhja e Trump ishte një manipulim. Tek e fundit vareshin vetëm nga rreth 80.000 vota, të shpërndara në 3 shtete të lëkundura. Por zgjedhjet e 2020-ës u rrëzuan fabulën ngushëlluese se zgjedhja e Trump ishte një turp. Trump është SHBA-ja, ose të paktën një pjesë shumë e madhe e saj. Trump ishte protagonist në dhjetëra skandale etike, gabime të jashtëzakonshme procedurale dhe mosrespektime befasuese, shumica e të cilave do t’i kishin dhënë fund karrierës politike të çdo figure tjetër politike kombëtare të gjysmës së shekullit të kaluar.
Por shkelja e normave mezi u perceptua nga shumica e publikut amerikan. Dhe as paaftësia e pastër dhe e tmerrshme e menaxhimit të krizës më të rëndë të shëndetit publik në një shekull nuk e dëboi Trumpin nga skena politike me turp. Përkundrazi, 74 milion njerëz votuan për të -9 milion më shumë se sa në vitin 2016, dhe më shumë vota të hedhura ndonjëherë për një kandidat amerikan për president, me përjashtim të Biden, që mori 81 milion.
Sot qendra e gravitetit politik në Shtetet e Bashkuara është zhvendosur larg nga internacionalizmi i angazhuar që e karakterizoi 75 vitet e mëparshme para Trump, dhe drejt një gjëje më të afërt me izolacionizmin, që ka një traditë të gjatë në historinë e SHBA-së. Edhe me Trumpin jashtë Shtëpisë së Bardhë, Partia Republikane ka të ngjarë të refuzojë të distancohet nga Trumpizmi, duke pasur parasysh se sa shumë zyrtarë të zgjedhur jetojnë me frikën se Trump do t`a shndërrojë mbështetjen që gëzon nga baza, në një armë kundër atyre që e kritikojnë.
Të paktën retorikisht, partia ka të ngjarë të mbetet nativiste dhe nacionaliste në qëndrimin e saj ndaj pjesës tjetër të botës. Politikat e jashtme të Partisë Demokratike, edhe pse mund të jenë më pak keqdashëse, nuk do të ofrojnë shumë siguri. Biden mund të pritet të përmbysë fushën me një ekip mbresëlënës të politikës së jashtme dhe të japë çdo përshtypje siguruese se Shtetet e Bashkuara do të sillen si një fuqi e madhe e përgjegjshme, që është e angazhuar me botën, respekton rregullat dhe ndjek normat. Por mandati i tij është i kufizuar.
Ndërkohë demokratët, të bashkuar deri dej nga tmerri që kishin nga presidenca Trump, sot janë të ndarë për shumë gjëra. Dhe konfliktet brenda Partisë Demokratike do të përkeqësohen nga mosha e madhe e Biden, 78-vjeç.
Meqë vetë presidenti i ri ka lënë të kuptohet në mënyrë të përsëritur, se mund të jetë shumë mirë një presidencë me vetëm 1-mandat, kalimtare, kolegët e tij demokratë do të nisin së shpejti garën e brendshme për t`a pasuar në detyrë.
Disa nga rishikimet e afërta të politikës amerikane, do të jenë pozitive dhe madje të dobishme nga perspektiva e SHBA-së. Për shembull, vendet e Lindjes së Mesme mund të fillojnë ta imagjinojnë jetën e tyre pa angazhime të forta ushtarake të Amerikë në rajon.
Në vitin 1990, ishte e kuptueshme që aleatët e SHBA-së e mirëpritën luftën e udhëhequr nga Uashingtoni për të çliruar Kuvajtin nga pushtimi Irakian.
Sikur ai pushtim të mos ndalej, Iraku do të kontrollonte rezervat e mëdha të naftës në të gjithë rajonin e Gjirit Persik. Por që nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra. Shtetet e Bashkuara janë sot prodhuesja më e madhe e naftës dhe gazit natyror në botë.
Kina është aktualisht tregu më i madh i eksportit për Irakun, Kuvajtin dhe Arabinë Saudite. Nëse dikush do të hartonte nga e para sot politikën e jashtme të SHBA-së, do ta kishte shumë të vështirë të justifikonte një angazhim të sigurisë së SHBA-së në Gjirin Persik.
Dhe në kontrast me rajonin e Gjirit dhe Lindjen e Mesme në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara kanë interesa të jashtëzakonshme gjeostrategjike, politike dhe ekonomike në Evropë dhe Azi. Ajo që ndodh në Evropë dhe Azinë Lindore, që janë ndër qendrat vitale të aktivitetit ekonomik të botës, ka shumë rëndësi për Shtetet e Bashkuara.
Angazhimi i reduktuar dhe angazhimi ndaj partnerëve në këto rajone, do të krijojë mundësi për të tjerët – aktorë që do të jenë indiferentë apo edhe armiqësorë ndaj asaj që dëshirojnë Shtetet e Bashkuara për botën. Këto sfida do ta vështirësojnë punën e administratës së re në SHBA.
Biden me siguri që do të riafirmojë angazhimin e SHBA-së për NATO. Por tani, NATO përballet me kërcënime ekzistenciale nga të dy anët e Atlantikut. Në Evropë, tendencat autoritare në Hungari, Poloni dhe Turqi po rrezikojnë konceptin e aleancës si një komunitet sigurie që ndan të njëjta vlera.
Një NATO që përmban anëtarë autoritarë do të kalbet nga brenda. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, skepticizmi në rritje i internacionalizmit mund të nënkuptojë se vendi nuk ka më asnjë interes për të ndjekur qëllimet e dikurshme. Pra, a do të ruajë Uashingtoni angazhimet e tij ndaj aleancës?
E ardhmja e ndikimit të SHBA-së – në Evropë, Azi dhe kudo tjetër -do të varet shumë nga ajo që Shtetet e Bashkuara thonë se do të bëjnë dhe nëse do të vijojnë me veprime të qëndrueshme. Biden është i aftë të jetë dinamik. Por në një botë anarkike, ndikimi i SHBA-së do të varet të paktën po aq nga diçka tjetër:nga ajo se si shtetet e tjera e matin qëllimin afatgjatë amerikan. Sot,Shtetet e Bashkuara shikohen shumë më ndryshe se dikur.
Këto perceptime të reja dhe konsekuente do të qëndrojnë edhe për disa kohë. Një administratë e dytë Trump do t’i kishte shkaktuar SHBA-së një dëm të pariparueshëm si aktore në politikën botërore. Por edhe me humbjen e Trump, pjesa tjetër e botës nuk mund të injorojë plagët e thella dhe shpërfytyruese që u shkaktoi ky vend. Ato nuk do të shërohen shumë shpejt. /Përktheu: Alket Goce-abcnews
*Marrë me shkurtime Shënim: Jonathan Kirshner, është profesor i shkencave politike dhe i studimeve ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, SHBA.