Bilushi i Metës kundër programit të Lulit për tabletat

4 Shkurt 2021, 20:18Antena TEMA

Pas zhurmës që bëri Luli me propozimin, që çdo i ri të ketë një tablet dhe internet në shtëpi, Bilushi i Metës bëri një distancim nga programi i Lulit.

Në një konferencë për shtyp, Bilushi tha:

“Të dashur miq!

Dje në prezantimin e programit, Luli ka pasur disa lajthitje, që ne besojmë se janë të stafit të tij, ose e ka lexuar gabim në prompter.

Së pari, premtimi që çdo njeri të ketë internet në shtëpi nuk është më premtim, se këtu kanë internet në telefon dhe gabelët.

Dhe jo një, por disa në një çadër.

Kështu që kjo ishte një lajthitje.

E dyta, kjo ideja që duhet të kenë fëmijët tablet të siguruar nga shteti, është po ashtu një premtim idiot, se varet sa fëmije janë në shtëpi e do zihen, se njëri do Ipad, njëri Samsung, dhe do krijohen ndarje brenda familjes.

Fakti që vetë Luli vajzës së tij nuk i ka blerë tablet, por i lexon një libër me arusha, tregon se ai nuk mund të bëjë për botën atë që nuk bën për fëmijën e vet.

Dhe mirë ka bërë që si ka blerë tablet, se ajo ka telefonin.

Ne si LSI kemi programin tonë të Jalës në këtë pike.

Ne shpërndajmë aty telefona për gjithë të rinjtë, dhe ata janë dhe kompjuter, dhe tablet, dhe internet, pra janë tre në një.

Kjo është më praktike dhe këtë e zbatojmë dhe në fushatë elektorale.

Nëse do të angazhosh të rinjtë, bliju nga një telefon dhe vazhdo fushatën. Të tjerat janë kot.

Nëse Luli mendon se do angazhojë të rinjtë në fushatë duke u blerë libra me arushë dhe t’u premtojë se do t’iu gjejë internet, do na shkatërrojë fushatën, se do na tallin të rinjtë.

Ndaj LSI distancohet nga kjo pjesë e programit dhe kërkon që të hiqet kjo pjesë dhe nga programi i PD-së.

Zbatimin e kësaj pjese kur të vijmë në pushtet ta marrë LSI, se duket që Luli nuk merr vesh nga teknika e telefonave”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje