Letra e Nexhmije Hoxhës: Na dërgoni të dhëna për Zef Zorbën që ka qenë në burg dhe na njoftoni çfarë njeriu është

4 Shkurt 2021, 18:51Dossier TEMA

Memorie.al publikon disa dokumente arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), që i përkasin vitit 1963, ku ndodhet një korespodencë në mes Drejtorisë së Arsim – Kulturës në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së të drejtuar nga Nexhmije Hoxha dhe Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës, të kryesuar nga Enver Halili, lidhur me anën biografike të regjisorit, shkrimtarit dhe artistit Zef Zorba nga qyteti i Shkodrës, i cili kishte marrë përsipër dhe po shkruante libretin e operas ‘Teuta’, muzika e së cilës po kompozohej nga Nikolla Zoraqi. Kërkesa e Nexhmije Hoxhës për të ditur të dhëna të sakta rreth biografisë së regjisorit e libretistit nga Shkodra, i cili sipas të dhënave që ajo dispononte, kishte qenë në burg, por nuk dihej qëndrimi politik që ai mbante në atë kohë, si dhe përgjigjia negative e Enver Halilit, për Zorbën, i cili “nuk kishte kredi morale në popullin e Shkodrës…”

Nga Dashnor Kaloçi

Dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit është një shkresë zyrtare e vitit 1963, ku Nexhmije Hoxha, në atë kohë Drejtore e Drejtorisë së Arsim Kulturës në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, ia drejton sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës, Enver Halilit, ku i kërkon të dhëna rreth biografisë së Zef Zorbës, që kishte shkruar libretin e Operas “Teuta”, muzikën e së cilës e kishte marrë përsipër dhe po e kompozonte, kompozitori i ri, Nikolla Zoraqi.

Sipas dokumentit në fjalë, Nexhmija Hoxha kishte informacione për Zorbën që ai kishte qenë në burg, por nuk dinte të dhëna të tjera më të hollësishme për të, se për çfarë ishte dënuar, qëndrimi politik që ai mbante në atë kohë, a ishte i kompromentuar, etj., etj. Dhe vërtet, Nexhmije Hoxha “kishte të drejtë”, pasi Zorba, një nga intelektualët më në zë të qytetit të Shkodrës, kishte një biografi disi “të ngatërruar”?!

Zefi kishte lindur në Kotorr të Malit të Zi në një familje shqiptare, kishte ndjekur studimet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore (dega e Studimeve Politike në Padova të Italisë) dhe i kishte ndërprerë ato në vitin 1943, për shkak të Luftës e ishte kthyer në vendlindjen e tij, ku për disa kohë kishte punuar si nëpunës banke. Edhe pse me këtë formim, pas mbarimit të Luftës diku nga viti 1946, ai shërbeu si regjisor pranë Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Shkodrës, ku vuri në skenë disa pjesë dramatike si p.sh.: “Juda Makabe” e Fishtës, “Armiku i popullit” i Ibsenit etj.

Në atë kohë si shumë intelektualë të tjerë nga qyteti i Shkodrës që kishin studiuar në Perëndim, edhe Zorba u arrestua dhe u dënua me burg politik, nga ku lirohet diku nga viti 1951. Pas daljes nga burgu, sa për pasion aq dhe për mbijetesë, Zef Zorba u morr me përkthime, duke shqipëruar disa nga poetët e dramaturgët njohur të letërsisë botërore, si: R. Frost, Xh. Ungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T.S. Eliot, Shou, Pirandelo, Uelld, Martin, apo filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer etj.

Krahas kësaj pune, ai shkroi edhe vetë disa librete, siç ishte “Teuta”, mbretëresha e Ilirëve, e cila pas mundjes nga romakët, ishte tërhequr dhe strehuar pikërisht në Kotorr, në vendlindjen e Zorbës. Ndoshta kjo ka qenë edhe shtysa nga ku ai kishte marrë spunto për të shkruar për mbretëreshën ilire, libret në të cilin ishte mbështetur kompozitori i ri, Zoraqi, për të shkruar operan “Teuta”?!

Por kjo nuk ishte thënë të bëhej, pasi, kërkesës së Nexhmije Hoxhës nga sektori i Arsim – Kulturës në Komitetin Qëndror të PPSH-së, e cila donte të dhëna të hollësishme për anën biografike të Zef Zorbës që ajo kishte informacion se kishte qenë në burg, sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës, Enver Halili, i’u përgjigj negativisht, duke thënë se Zorba nuk kishte garancitë e duhura politike dhe nuk kishte kredi morale në opinionin e popullit të Shkodrës. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë, i cili ashtu si pjesa më e madhe e dokumenteve të publikuara në këtë libër, botohet I plotë dhe pa asnjë ndryshim.

Letra e Nexhmije Hoxhës për Komitetin e Partisë së Shkodrës

KOMITETI QENDROR I PARTISE

PUNES SE SHQIPERISE

Drejtoria e Arsim-Kulturës                   

Dt. 14.8.63

 Nr.1848                  

KOMITETIT TE PARTISE SE RRETHIT

SHKODËR

Kompozitori i ri Nikolla Zoraqi është në fillim të punës për të kompozuar një opera mbi “Teutën”. Libretën e saj e ka shkruar Zef Zorba banues në Shkodër. Jemi informuar se ky person ka qënë në burg, por nuk dimë hollësira të mëtejshme. Prandaj na njoftoni me shkrim brënda datës 30 Gusht, se çfarë njeriu është, për çfarë ka hyrë në burg, si punon dhe si qëndron tani politikisht, sa është i kompromentuar dhe çfarë ka në opinionin publik të Shkodrës.

Gjithashtu na njoftoni mendimin tuaj nëse jeni dakord apo jo mbi libretin e Zef Zorbës të kompozohet opera.

DREJTORE E DREJTORISË TË ARËSIM-KULTURËS

Nexhmije Hoxha

Letra e Enver Halilit nga Shkodra për Nexhmije Hoxhën

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI PARTISË RRETHIT

SHKODËR

Nr. 755

LËNDA: Mbi Zef Zorbën

KOMITETIT QËNDROR TË P.P.SHQIPËRISË

“Drejtorisë Arsim-Kulturës”

TIRANË

 Lidhur me tuajën Nr. 1848 datë 14/8/1963

Zef Zorba ka mbaruar shkollën e françeskanëve në Shkodër. Ka qenë nënpunës pranë legatës italiane në Shkodër, në kohën kur ishte Meloni, një spiun i regjur italian. Mbas lirimit, Zefi është dënuar me 5 vjet burg për veprimtari armiqësore kundër Pushtetit Popullor. Sot mban qëndrim të keq. Punon si shef llogarie në Nish ‘Prodhime të Ndryshme’, duke qenë nën kontroll të vazhdueshëm. Zefi nuk ka ndonjë kredi morale në opinionin publik të Shkodrës, pse dhe nga ato (me përjashtim të miqve të tij) njihet si element i keq politikisht. Mendimi i jonë është që mbi libretin e këtij personi, pavarësisht nga përmbajtja dhe forma e tij, të mos kompozohet opera.

Sekretari  

(Enver Halili)

Ky shkrim është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, i gazetarit Dashnor Kaloçi, që pritet të dalë së shpejti.

1 komente në “Letra e Nexhmije Hoxhës: Na dërgoni të dhëna për Zef Zorbën që ka qenë në burg dhe na njoftoni çfarë njeriu është”

  1. Studenti says:

    Talebanet ndyresira po kur flasin per lufte qe paskan bere hatane .100 here me mire gjermani se keta ndyresira qe vrane dhe prene per nje varg e per nje vjershe intelektuale dhe specialiste vetem se mendonin ndryshe .iku nje pushtues dhe erdhi nje me i ndyre talebokomunizmi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje