Ndarja nga jeta e ish-basketbollistit Arben Fagu, Rama: Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe pa kursim për sportin, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar!

5 Shkurt 2021, 13:02Sport TEMA

Nga Edi Rama

Me ikjen e Ben Fagut është zbrazur mesi i fushës së kujtimeve të kohës kur ai stërviste dhe drejtonte skuadrën tonë nga stoli, ku kishte zënë vendin e legjendarit të Dinamos e të Kombëtares kuqezi të basketbollit, profesorit Feti Borova.

Beni ishte vëllai i vogël i diktatorit kuqezi të parketit shqiptar, Gim Fagut, i cili e ktheu Partizanin në makinerinë shtypëse të kampionateve shqiptare dhe magjepsi çdo kundërshtar e trainer të huaj, që vinte nga bota tjetër për t’u ndeshur me të kuqtë e Tiranës, në eliminatoret e kupës së kampionëve të Europës.

Hija e Gimit qe shtypëse për këdo që luante në kampionatin e basketbollit, po sidomos për Benin, i cili ishte i dënuar të krahasohej gjithnjë me të vëllain e paarritshëm.

Një dëmtim në gju e shpëtoi në njëfarë mënyre nga presioni i atij krahasimi, duke e nxjerrë nga fusha dhe duke e çuar drejt stolit të trainerit, në anën tjetër të frontit të luftës me tiraninë e Partizanit, në kohën kur fronin e kishte trashëguar nga Gim Fagu, një uzurpator i të katër anëve të fushës, Gaz Çaçi!

Ben Fagu solli tek Dinamo të gjithë fuqinë e ambicies, vullnetit dhe ndershmërisë që i kishte bërë vëllezërit Fagu, djemtë e të mirënjohurit për lartësinë burrërore, Besim Fagu, shembëlltyra të dinjitetit e të respektit në bashkësinë sportive e sportdashëse të Shqipërisë. Beni solli në skuadër entuziazëm dhe dëshirë të madhe për ta përmbysur më në fund diktaturën e Partizanit – çka nuk arritëm ta realizonim edhe pse i shkuam shumë afër.

Stërvitjet u bënë shumë intensive dhe marrëdhëniet në skuadër shumë të mira, falë edhe qasjes së Benit, që nxehej shpesh brenda perimetrit të fushës, po çelej e bëhej një shok i dashur sapo binte bilbili i përfundimit të stërvitjes.

Sot kujtoj me mallëngjim pikërisht të qeshurën e tij prej njeriu tejet të çiltër dhe nuk e besoj dot që Ben Fagu s’është më!

As e imagjinoj asfare hiç dot dhimbjen e Gimit e të krejt asaj familjeje të dinjitetshme e shumë të respektuar për mua, por duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera për mikun e trainerin tim të paharruar, lutem që prehja e tij të jetë e paqtë dhe kujtimi i tij qoftë gjithnjë i paharrueshëm!

Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe e dhe gjithmonë pa kursim për sportin e për shokët, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar!

#TëPAHARRUESHËM?

4 komente në “Ndarja nga jeta e ish-basketbollistit Arben Fagu, Rama: Përqafime Ben dhe faleminderit për çka na dhe pa kursim për sportin, duke mos kërkuar kurrë asgjë përveç respektit plotësisht të merituar!”

  1. Lik says:

    Ngushellime families! E kam njohur nga afer . Ishte model I fisnikerise qytetare!

  2. Roberto says:

    Ben Fagun e kam njohur dikur. Djale flori. Me vjen shume keq qe u nda kaq shpejt nga jeta. Respekte per cdo gje qe i ke dhene basketbollit shqiptar. Ngushellime shume te sinqerta edhe vellait te tij,mikut tim Agim Fagu. Qofte i pa haruar kujtimi per ty. Ngushellime familjes?☹?.

  3. Shaqo says:

    E kush mund te shkruante me mire se kaq per Benin?
    U prehsh ne paqe Ben.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje