Kosova duhet çliruar nga papërgjegjshmëria!

10 Shkurt 2021, 15:11Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Ka një zell të ngutur pushteti për zgjedhjet e fundjavës në Kosovë. Madje, ato po quhen njëherazi referendum, sepse VV-ja mëton të marrë mbi 60 deputetë që do t’i mundësojë të mos futet në koalicion me askënd dhe të imponojë krejtësisht reformat e veta. Albin Kurti ka premtuar se:” Nuk do të qeverisim për të sunduar e as për t’u pasuruar. Edhe Osmani edhe unë do të mbetemi klasë e mesme. Për t’u pasuruar është biznesi”. Më pas ka thënë se nuk do ndalen para kriminelëve, se do ndihmojnë fermerët dhe… çiftet e reja. Zotime të bukura dhe të shumëpritura për Kosovën, që është këputur në mes nga premtimet e vazhdueshme të zgjedhjeve, por pa logjikën shoqëruese të efikasitetit në buxhet.

“Kemi mbështetur masivisht bizneset, e dimë çfarë duan, i mbajnë mend politikat fiskale të Qeverisë Mustafa, tash e mbajnë mend pakon e rimëkëmbjes. Nuk i kemi orientimet e kuqe por civilizuese, ta ruajmë rendin demokratik në Kosovë”, thotë kryeministri në detyrë Hoti, që mbron ngjyrat e zbehta të LDK-së. Vetëm se njerëzit nuk mund të harrojnë se më 2014, kryetari i tij Isa Mustafa e braktisi koalicionin VLAN, për t’u bashkuar me armikun më të madh elektoral PDK-në. Madje, i dha edhe një dorë me zgjedhjen e Thaçit dhe që andej vetëm ka prodhuar pasiguri në politikën e Kosovës, që gjithsesi u kurua pakëz me Hotin teknokrat.

Vetëm se në Kosovë nuk të thonë dot sesi do ta rehatojnë atë mori me zëvendësministra, ministra e zëvendëskryeministra, e lloj-lloj koordinatorësh, që duhen për balanca politike. Plot 877 mijë € kushtonin pagat e mbi 50 zëvendësministrave të emëruar prej konjukturave në një vit, impakti i të cilave për Kosovën është fare i pallogaritshëm. Po ashtu nuk do të thonë sesi do ta menaxhojnë situatën e pandemisë, rezultatet e të cilës do të këqyret pas 14 Shkurtit. Tek e fundit, hipokrizi më të madhe se dalja nëpër tubime me qindra e mijëra militantëve, nuk e di a ka. Dhe, përderisa fushata e vaksinimit nuk ka filluar dhe nuk ka ende një datë apo një parashikim të saktë, është shqetësuese kur mendon se premtimi i luftimit të pandemisë me vaksinimin (politikanët kosovarë e teprojnë edhe këtu kur e çojnë në masën e 50-60-70% e deri 100%), e kur të gjithë e shohin se Kosova dhe Shqipëria Amë pandemia po ua dredh gjunjët dhe se nuk kanë data e afate të precizuara vaksinimi, është një përrallë e bukur, ashtu si premtimet e sotme.

Respekti ndaj masave të Covid-it mund të dukej si serioziteti i parë i programeve të së ardhmes, por me këtë dështuan partitë e Kosovës, ashtu si me shumë gjasë sërish do dështojnë me premtimet e larmishme, që po ua shpalosin sërish qytetarëve nëpër Kosovë. Kjo e fundit nuk ka nevojë për asgjë, thjesht të çlirohet nga papërgjegjshmëria.

1 komente në “Kosova duhet çliruar nga papërgjegjshmëria!”

  1. Tr says:

    POPULLI I KOSOVES , PASI I KA SPROVUAR DISA HERE PDK, LDK DHE ESHTE ZHGENJYER VAZHDIMISHT, NUK KA ASNJE ALTERNATIV TJETER, PERVEC VJOSA OSMANIT DHE ALBIN KURTIT. LE TI JAPIN NJE SHANC PER TI PROVUAR, NDOSHTA QEVERISIN SHUME ME MIRE. NE QOFTESE DHE KETO DO TE FILLOJNE TE BEHEN HAJNA, POPULLI PERSERI NUK DO TI JAPI VOTEN. POPULLI I KOSOVES ESHTE ME VIGJILENT SE SA POPULLI I SHQIPERISE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje