Shërimi nga Covid-19, sa një dozë vaksine

12 Shkurt 2021, 18:36Bota TEMA

Në Francë, ata që e kanë kaluar Covid-19 do të vaksinohen me një dozë të vetme. Autoriteti francez i Shëndetit Publik njoftoi sot se ata që e kanë kaluar Covid-19 zhvillojnë një përgjigje imune të ngjashme me atë që të jep një dozë vaksine, dhe se një dozë e vetme pas infeksionit mund të jetë e mjaftueshme, raporton France 24.

“Një dozë e vetme e vaksinës do t’i “kujtojë” sistemit të tyre imunitar se si të luftojnë Covid-19”, thuhet në njoftim.

Koha e rekomanduar për vaksinimin me vetëm një dozë është tre deri gjashtë muaj pas infektimit.

Franca është i vetmi vend që e ndërmerr një nismë të tillë deri tani.

Edhe pse e ka nisur fushatën e vaksinimit prej mëse tre javësh, vendi është ende në hapat e parë.

Deri të enjten, mbi 2.1 milionë njerëz kishin marrë të paktën një dozë vaksine, ndërsa pothuajse 535 800 i kishin marrë të dyja.

Të paktën 3.4 milionë njerëz janë infektuar me Covid-19 në Francë, sipas statistikave zyrtare.

Dy studime të fundit në SHBA sugjerojnë që një dozë e vetme vaksine mund të funksionojë në individë që janë shëruar tashmë nga Covid-19.

Sipas studimeve, imuniteti tek individët që kanë kaluar Covid-19 dhe më pas kanë marrë një dozë të vetme vaksine “është i barabartë ose madje e tejkalon” atë të njerëzve që nuk kanë pasur Covid-19, por kanë marrë dy doza vaksine.

“Johnson & Johnson”po zhvillon një vaksinë me një dozë të vetme, por ende nuk ka marrë autorizimin për përdorim emergjent nga rregullatorët e BE dhe SHBA.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje