Editori i Gazetës “Drita”, Veli Hashorva, korrospondenti i raportimeve të drejtë për së drejta nga fronti i Luftës së Vlorës

26 Shkurt 2021, 16:41Kulturë TEMA

Nga Dr Dorian Koçi

Gazetaria shqiptare ka kaluar përmes sfidave të ndryshme që nga themelimi i saj në shtypin e Rilindjes Kombëtare. Një nga veçoritë e etërve themelues të saj është se atyre u është dashur që përveçse intelektualë të mirëfilltë që ushtronin profesionin e gazetarisë disa prej tyre, u është dashur të jenë dhe aktivistë të çështjes kombëtare dhe pjesëmarrës në çetat e armatosura në konfliktet për sigurimin e pavarësisë dhe tërësisë territoriale. Shëmbulli kryesor që na vjen ndër mend është Mihal Grameno, bashkëluftëtari i Çerçiz Topullit dhe një nga editorët e disa gazetave në gjuhën shqipe në vitet e mëparshme. Mihal Grameno në kujtimet e veta të botuara në shtypin shqiptar por   dhe në librat e më vonshëm na jep detaje të gjalla të Luftës së Mashkullorës, por gazetari i parë shqiptar korrospodent në luftë rezulton të jetë editori i gazetës “Drita” të Gjirokastrës,  (doli në Gjirokastër në 27 mars 1920-1924), Veli Hashorva (1892-1975).

Veli Hashorva ishte përfaqësues i një familje të vjetër gjirokastrite të parët e të cilit kishin administruar financat e Vilajetit të Janinës . Veprimtarinë patriotike ai e kish  filluar në qytetin e lindjes, në Gjirokastër si anëtar i klubit «Drita» të themeluar atje më 1908. Më 1911 ai shkoi në Stamboll për studimet e larta për Shkenca Politike dhe u kthye në Shqipëri më 1912. Veli Hashorva sëbashku me studentë të tjerë shqiptarë përfshi dhe mikun e tij Ali Këlcyrën  i ndërpreu studimet e larta si rezultat i shpërthimit të Luftërave Ballkanike. Si veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, u ndoq dhe u persekutua nga forcat greke kur ato pushtuan Gjirokastrën, më 1913. Për t’u shpëtuar ndjekjeve të mëtejshme, në maj 1915 mërgoi në SHBA, ku punoi pranë Federatës «Vatra».  Më 1916 botoi në Nju-Jork gazetën «Vjosa» me frymë politike kombëtare. Në datën 3 qershor 1917 ai zgjidhet delegat për Kuvendin e Vatrës që organizoi fushatën për mbledhjen e një shume prej 40.000 dollarësh(750,289 dollarë me kursin e sotëm) për të bërë të mundur që Kolonia e Amerikës të dërgonte dy përfqësues në Konferencën e Paqes, z Mehmet Konica  dhe z Turtulli.Në janar të vitit 1920 Veli Hashorva mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si një nga përfaqësuesit e Gjirokastrës. Populli i Gjirokastrës i përcolli me entuziasëm përfaqësuesit e tij në Kongresin e Lushnjës.Më 8 janar 1920 , kur nga Gjirokastra u nisën për në kongres delegatët Veli Hashorva e Kiço Koçi , në një miting , populli thërriste : « Në Lushnjë , në Lushnjë » , « Jemi me Lushnjën ! »  Mbajtja e Kongresit të Lushnjes ndeshi në kundërshtimin e qeveritarëve të Durrësit dhe të pushtuesve italianë, por më në fund ai arriti të mbahej duke marrë vendime shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Vendimet e tij ngjallën jehonë të madhe në qarqet patriotike shqiptare dhe u pershendetën ngado. Aty u arrit një bashkim politik i një aleance të  të gjitha shtresave e grupimeve politike, e cila i dha shpejt frytet e saj.

Përvoja e tij si gazetar në SH.B.A si editor i gazetës “Vjosa” dhe kontribues në gazetën “Dielli” si dhe qëllimet e rithemelimit të shtetit kombëtar shqiptar qëu shpalosën në Kongresin e Lushnjës e nxitën për të themeluar gazetën “Drita” në Gjirokastër. Numri i parë i saj doli në në datën 27 mars 1920 dy muaj pas Kongresit të Lushnjës dhe në ditën e konstituimit të këshillit të lartë me 37 anëtarë që konsiderohet si parlamenti i parë shqiptar. Sipas kujtimeve te Veli Hashorvës, emrin “Drita” të gazetës ja ka propozuar Petro Poga, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë e Vlorës dhe një nga drejtuesit e Gazetës “Drita” në gjuhën shqipe në Stamboll në 1884 .Numri i parë i gazetës u bë fshehtazi për t’ia bërë surprizë popullit. Ceremonia e vogël e çeljes së gazetës u bë në oborrin e shkollës fillore “Drita”, ku ishin thirrur një grup qytetarësh, midis tyre edhe disa gra, kryetari i bashkisë, prefekti dhe zv.prefekti i qytetit etj. Këtu drejtori përgjegjës i gazetës, Veli Hashorva mbajti një fjalim modest ku u shpreh: “Zotërinj, jam i lumtur pa masë që kam nderin të flas në qytetin tim që jam lindur dhe rritur, për herë të parë përpara një shumice patriotësh, të cilët janë edhe njerëzit më të zgjedhur të Gjirokastrës. Po ajo që më lumturon më tepër është rasti gazmor që shkaktoi këtë mbledhje, i cili do të mbetet i çmuar në historinë e qytetit tonë dhe në jetën time personale”.

Një nga rezultatet e para të  Kongresit të Lushnjës ishte organizimi dhe mbështetja e Luftës së Vlorës që garantoi tërësinë territoriale të Shqipërisë të njohur ndërkombëtarisht në 1913.Për këtë arsye ishte krijuar që në 1919 Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” si reaksion ndaj qeverisë së Durrësit që me sjelljen e saj fataliste ndaj rreziqeve të copëtimit po pengonte fillimin e një lëvizje të armatosur për zgjidhur problemin e territoreve shqiptare që ishin ende nën pushtimin italian dhe francez. Përfaqësues të kësaj rryme mendimi në qarqet patriotike shqiptare ishin Turhan pashë Përmeti, kryeministri i qeverisë së Durrësit, Mustafa Kruja ministër e Myfit Bej Libohova ministër pa portofol që kishte një ndikim të madh në Libohovë e Gjirokastër.  Ali Këlcyra në kujtimet e tij shkruan se në dhjetor 1919, Myfid Libohova që u kthye nga Parizi e Roma(…) mbajti një fjalim në Vlorë e sidomos në Gjirokastër përpara parisë së vendit dhe tregoi se ishte pothuaj e pamundur shpëtimi i indipedencës e sidomos tërësisë tokësore të Shqipërisë. Si gogol tregonte natyrisht pushtimin grek që tmerronte gjithë popullin patriot. Me të tilla fjalime Myfidi me shokë(…) donin të bindnin popullin e e vetmja shpresë shpëtimi ishte  ishte kërkuarja e Protektoriatit italian. Nacionalizmi shqiptar e sidomos “Mbrojtja Kombëtare” ishin rreptësisht kundër kësaj propagande.

Kundërshtimi i këtyre mendimeve fataliste dhe  përgatitja  e mbështetja për të organizuar Luftën e Vlorës  do të gjente hapësisë të gjerë në faqet e Gazetës “Drita”. Në një nga artikujt e gazetës “Drita”, shkruhej se: …. Vlora është tona, është e Shqipërisë, dhe as kurrë s’do pranojmë çdo zgjedhje apo marrëveshje që mund të bëhet për të…. Fuqitë e mëdha mund t’ia falin Italisë Vlorën me sa hinterland që të duan. Po shqipëtari nuk do të bindet, është për ne e shtrejtë dhe e shenjtë ….”. Veli Hashorva merr pjesë në Luftën e Vlorës si vullnetar e korrospodent gazetar i luftës. Ai raporton në faqet e gazetës drejtë për së drejtë nga fronti i luftës: Të gjitha vendet përveçse Llogarasë ranë nën sulmet e shkëlqyera të shqiptarëve.    Ai është një nga anëtarët e komisionit të Gjirokastrës që shpallin fitoren e Luftës së Vlorës dhe organizojnë ceremoninë e rastit. Në shpallje shkruhet se qytetarë, Vlora e shenjtë , e cila mban ekuilibrin e jetës dhe atdheut , u çlirua nga gjaku i çmuar dhe heroizma e racës, e cila lavdëron sot flamurin e triumfit të lartë. Nga një letërkëmbim i gazetarit dhe kronikanit i gazetës „Drita“të Gjirokastrës për Vlorën, Gani Iljaz Abazi, me arsimtarin patriot Thoma Papapanon, më 23 gusht 1924 mësojmë vendet në të cilat ka marrë pjesë në luftime gazetari Veli Hashorva: „ I shtrënjti Basho Thoma ! Po të dërgoj abetaret dhe këndimet  që më dha z. Ibrahim Shyti. Kujtimet për ty dhe kohët që ishit në Vlorë, i kemi të gjalla e shpesh fjalosemi me miqtë tanë, z. Peço e z. Ibrahim, që të çojnë të fala nga zemra. Shkuan dy mote e nuk kam haber nga miku im i luftës së Vlorës, z. Asim Mero, që jeshmë në ballinat e luftës me z. Veli (Hashorva) në Bestrovë, Llakatund  Sherishtë e Qafa e Ullinjve. Nuk e di si e ka plagën, kur u lavos (plagos) në ballinën e Bestrovës. Toponimet e mësipërme janë vene në të cilat u zhvilluan luftime për marrjen e rrethinave të Vlorës në datën 5 qershor. Duket se editori patriot i Gazetës “Drita” Veli Hashorva ka lëvizur sa andej këndej në frontin e luftës për të parë nga afër zhvillimet e luftimeve.

Shtypi shqiptar ka etërit e vet themelues ndaj të cilëve shoqatat e gazetarëve që japin çmime do të duhen ti vlerësojnë dhe ti përkujtojnë personalitetet kulturore  që kanë themeluar gazetarinë shqiptare. Respektimi i traditës kulturore është një hallkë e rëndësishme e kulturës shtetformuese dhe shembulli më i mirë mund të jepet kur në pidestalet bosh, zënë vend personalitetet kulturore.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje