ANALIZA: Dënimi i Nicholas Sarkozy, një paralajmërim për Donald Trump

3 Mars 2021, 17:02Bota TEMA
ANALIZA: Dënimi i Nicholas Sarkozy, një paralajmërim për

Nga Ishaan Tharoor, The Washington Post

Ish-presidenti ishte një figurë polarizuese, një politikan konfliktual që gëzohej kur u bënte karshillëk rivalëve të tij politik të së majtës. Në shtëpi, ai i demonizoi emigrantët dhe pakicat etnike, teksa i vodhi retorikën ekstremit të djathtë.

Prirja e tij për shkatërrimin e normave demokratike, përfshirë përpjekjet për të politizuar gjyqësorin, nxitën reagimin e ashpër të kritikëve. Jashtë vendit, habiti jo pak me lidhjet e tij të dyshimta me udhëheqësit autoritarë të Lindjes së Mesme. Gruaja e tij joshëse, ishte më e admiruar se ai.

Në fund, publiku u lodh nga veprimet e tij, dhe mbështetja e një baze të motivuar politikisht rezultoi e pamjaftueshme. Ai ishte president vetëm për një mandat, i dëbuar nga pushteti nga një elektorat kombëtar i etur për një rikthim në “normalitet”.

I zhveshur nga mburoja e imunitetit presidencial, Sarkozy më pas e pa veten të zhytur në beteja ligjore të pafundme. Ai shfryu herë pas here zemërimin e tij kundër gjuetisë “groteske” të shtrigave, por nuk mund të parandalonte verdiktin e gjykatës.

Jo, nuk po flasim për ish-presidentin amerikan Donald Trump. Të hënën, një gjykatë franceze shpalli fajtor për korrupsion dhe shitje të ndikimit ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy. Ai u dënua me 3 vjet burg, 2 nga të cilët u pezulluan.

Ai mund ta shmangë ende qelinë e burgut me apelimin e çështjes, por të paktën dëmi ndaj reputacionit të tij ka ndodhur. Sarkozy është presidenti i dytë në historinë moderne të Francës, që është dënuar për korrupsion. Jehonat e asaj që po ndodh me Sarkozy në Francë, duhet të zhurmojnë jo pak në veshët e Donald Trump.

Përkundër dallimeve të konsiderueshme në kontekstin politik ku ata operuan, që të dy ndajnë elementë të një stili të ngjashëm politik. Në kujtimet e tij të botuara vitin e kaluar, ish-presidenti Barack Obama e përshkroi Sarkozy si një narcizist të pandreqshëm.

“Ai i jepte shumë rëndësi vetes, mezi e maskonte këtë ndjesi, donte të ishte gjithnjë në qendër të veprimeve, dhe të merrte merita për çfarëdolloj gjëje që mund të ishte me vlerë”- shkruante Obama. Si Trump dhe Sarkozy, kërkuan besnikëri absolute nga ata që kishin përreth.

Sikurse theksonte në një editorial të sajin dikur“Le Monde”, me Sarkozy ishte ose “besnikëri ose hakmarrje”. Dhe që të dy përdorën një axhendë përçarëse dhe të mbushur plot me zemërim, për të arritur synimet e tyre. “Pas presidencës frenetike të Sarkozy, Franca – ashtu si Amerika tani – ishte si e çoroditur shkroi Cyril Vanier i CNN vitin e kaluar.

Trump u fajësua në mënyrë të paprecedentë 2 herë nga Kongresi për akuza të shumta, përfshirë abuzimin me pushtetit. Sarkozy rrezikon tani të përfundojë pas hekurave për të njëjtën gjë. “Akuzat kundër Sarkozy, që ishte president midis viteve 2007-2012, fokusoheshin  në pyetjen nëse ish-udhëheqësi francez qëndronte pas një marrëveshje me një gjykatës, për të marrë në mënyrë të paligjshme informacion mbi hetimet e lidhura me të, duke përdorur emra të rremë dhe linja telefonike jozyrtare”- shpjegoi kolegu im Rick Noack. “Sipas prokurorisë, Sarkozy dhe avokati i tij i atëhershëm dhe njëherazi miku i tij i vjetër Thierry Herzog, u përpoqën që të korruptonin gjyqtarin Gilbert Azibert, duke i ofruar atij një pozitë të profilit të lartë në këmbim të informacionit. Incidenti ndodhi pasi Sarkozy ishte larguar nga detyra”- thekson ai.

Ndërkohë, Sarkozy përballet me probleme të tjera ligjore, përfshirë pretendimet se ai ka marrë fonde për fushatë nga diktatori i ndjerë libian Moammar Gadhafi në vitin 2007, një hetim mbi shpenzimet e tij të tepruara gjatë tentativës së dështuar për t’u rizgjedhur në vitin2012, dhe një hetim i nisur në janar të këtij viti mbi shitjen e dyshuar të ndikimit, pasi Sarkozy nënshkroi një kontratë fitimprurëse me një kompani ruse të sigurimeve.

Në gjykatë, Sarkozy i hodhi poshtë akuzat e ndryshme kundër tij. “Mos abuzoni me ndikimin tim, të pretenduar ose real. Çfarë të drejte kanë ata që më përbaltin kështu për 6 vjet më radhë? A ka apo jo një shtet të së drejtës në këtë vend?’- deklaroi ish-presidenti në dhjetorin e vitit të shkuar.

Por prokurorët argumentuan se ai më në fund po përballej me pasojat për abuzimin e tij me pushtetin. “Ngjarjet nuk do të kishin ndodhur nëse një ish-president, me profesion avokat, do të kishte pasur parasysh rëndësinë, përgjegjësinë dhe detyrat e postit të tij- tha në fund të procesit prokurori Jean-Luc Blachon, gjykatës në Paris.

Ndërkohë rrethi po ngushtohet edhe ndaj Trump. Ndërsa senatorët republikanë garantuan lirimin e tij të dytë nga akuzat e fajësimit muajin e kaluar, Trump si një qytetar privat përballet ende me një mori çështjesh penale dhe civile, duke përfshirë rolin e tij në sulmin e 6 janarit mbi Capitol Hill, marrëdhëniet e tij të biznesit para presidencës, dhe pretendimet e disa grave se ai i ka ngacmuar seksualisht ato, akuza që Trump i ka mohuar.

Akuzat janë në disa raste shumë më të rënda sesa ato ndaj Sarkozy. Por megjithëse njolla e veprimtarive të paligjshme e sabotoi përpjekjen e Sarkozy për një rikthim në politikë në vitin 2016, Trump duket ende në pozicionin e duhur për të rikandiduar sërish për president në vitin 2024.

Ai mbajti të dielën një fjalim në Konferencën vjetore të Veprimit Politik Konservator, dhe pa asnjë pendesë për atë që ka ndodhur artikuloi ankesat dhe gënjeshtrat e tij mbi zgjedhjet e fundit presidenciale. Në vend se të punojë për të mënjanuar ish-presidentin, pjesa më e madhe e Partisë Republikane duket ende në grackën e tij.

Kjo mund të ndryshojë kur të fillojnë paditë ligjore kundër Trump dhe disa aleatëve të tij

të ngushtë. “Ai duhet të ketë ndonjë pasojë nga këto gënjeshtra që thotë, pasi kur gënjen njerëzit, ata marrin masa dhe kryejnë veprime bazuar në atë që mendojnë se është e vërtetë”- tha komisioneri i qytetit të Filadelfias, Al Schmidt, një republikan që mori kërcënime pas akuzave të rreme për mashtrim në numërimin e votave në këtë qytet. “Për shkak se ajo që ka ndodhur është një gjë e re shumë e rrezikshme, duhet të ketë një llogaridhënie. Nuk mjafton vetëm që të shohim përpara”- theksoi ai. /Përktheu: Alket Goce-abcnews

2 komente në “ANALIZA: Dënimi i Nicholas Sarkozy, një paralajmërim për Donald Trump”

  1. Trotski says:

    Paralajmerimi jo vetem per TRUMP-in ,po dhe per LIKE HAJDUTIN.Hajde ne Tullum Like Floriri.

  2. Kim été says:

    Drejtësia e BE-së ndëshkon shkelësit por në përbërje më fsheh 85 000 euros që prej 23 tetorit 2019.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje