Teutës i mjafton goli i Bregut, vazhdon kriza e Vllaznisë. Laçi mposht Kukësin

3 Mars 2021, 18:26Sport TEMA

Teuta i ka dhënë një tjetër goditje shumë të rëndë shpresave të Vllaznisë se mund të fitojë titullin kampion në këtë edicion, pasi mundi sot me shifrat 1-0 shkodranët në “Niko Dovana” dhe praktikisht ka zhdukur diferencën që ata kishin krijuar në kryesimin e kampionatit.

Ekipi i Brdariç ka vazhduar serinë e ndeshjeve pa fitore duke e çuar në 7 dhe tashmë është e qartë se vetëm ndonjë mrekulli mund t’i mbajë shumë gjatë në kryesim.

Në ndeshjen e sotme, diferencën e ka bërë një gol i shkëlqyer i Dejvi Bregut në pjesën e parë me një gjuajtje që u ndal në rrjetën e portës së Zogoviç pas një pjese të parë ku Teuta u shfaq më konkrete e kërkoi më shumë golin. Ndërkohë, në pjesën e dytë Vllaznia u zgjua disi dhe Brdariç provoi në çdo mënyrë që të ndryshonte rrjedhën e sfidës, por nuk kishte në fund as fatin me vete, pasi Hoxhaj goditi traversën e portës së Frashërit me një goditje dënimi, duke mos iu gëzuar dot një goli që do t’i jepte frymëmarrje ekipit ndërsa një gjuajtje e Cise përfundoi jashtë ngjitur me shtyllën.

Kështu, Vllaznia tani ka vetëm 1 pikë avantazh ndaj Teutës e Laçit që janë ndjekësit më të afërt e 2 ndaj Partizanit të vendit të katërt, në një kampionat që është hapur plotësisht.

Laçi vazhdon ecurinë fantastike në kampionat dhe është ngjitur në vend të dytë. Bardhezinjtë e Duros mposhtën 1-2 Kukësin në “Elbasan Arena”, duke siguruar fitoren e gjashtë në shtatë takimet e fundit. Emiliano Musta gjeti rrjetën në minutën e katërt dhe kaloi shumë shpejt miqtë në avantazh.

Eurogol i afrikanit Eze, i cili dërgoi topin në trekëndëshin e Sherrit. Ekipi i Duros reagoi shpejt dhe u rikthye në avantazh në minutën e 74-t. Redon Xhixha u frenua në mënyrë të parregullt nga Eze dhe kryesori akordi një penallti të diskutueshme.

Regi Lushkja nuk gaboi nga pika e bardhë, gol që i dhuroi tre pikë fantastike ekipit kurbinas. Suksesi i sotëm e ka ngjitur Laçin në vend të dytë me 40 pikë, një më pak se Vllaznia kryesuese, dhe po aq sa numëron edhe Teuta.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje