Pas shpalljes së listave nga dy partitë dhe talljen që Rama bëri me listën e PD-së, Qim Peka bëri një autokritikë, të cilën ja postoi dhe Bilushi i Metës.
Në autokritikë, ai kërkon ndjesë që kishte promovuar Edi Ramën dhe e kishte bërë figurë politike.
Ja teksti i plotë i autokritikës së Qim Pekës:
“Të dashur miq!
Sot ndjehem keq që jam i detyruar të bëj një autokritikë, pas kritikave të mija për Edi Ramën.
Ju e dini përkushtimin tim për PD, por në disa momente në jetë, unë kam pasur dritëhijet e mija.
Një nga këto, është promovimi i Edi Ramës.
Ai njeri ishte një anonym, që nuk e përfillte askush kur erdha unë në Tiranë.
Unë punoja me honorare tek gazeta 55 dhe shikoja që ata shanin vazhdimisht Edi Ramën.
Pyes një herë dikë aty.
-Çfarë pune bën ky Edi Rama?
Më thanë se e ka sjellë Fatos Nano nga Franca, është me thonj të paprerë dhe e kanë çuar në Bashkinë e Tiranës, si biçim kryetari.
Aty vendosa ta promovoj këtë njeri.
-Qenka njeri i thjeshtë si unë, thashë, se dhe unë e kam bezdi prerjen e thonjve, thonjtë e këmbës sidomos.
Shkoja çdo ditë tek Bashkia e Tiranës, po nuk më linte roja të hyja, se kisha dialekt hasian.
Ai e kuptonte kur i thoshja jam Qim Peka, se nuk e thosha dot “ç” atëhere.
Pas shumë përpjekjesh, e pashë njëherë në rrugë, po ishte i rrethuar me roje dhe se takova dot ta promvoja.
Në vitin 2003 doli në fushatë me avokat Ngjelën.
Ky më mbante larg, se thoshte plotëson tre kushte që më dëmton: Je nëndialektor, ke kostum lino, dhe ngatërron ç me q.
Atëhere vendosa dhe më shumë të promovoj Ramën.
Tentova të shkoja disa herë tek shtabi i tij, po nuk më linin.
Kështu, përpjekjet e mija vazhduan pa fund, deri më në fund kur fillova punë tek Nesër TV dhe e ftoi pronari im ndërtues për një intervistë.
Ishte intervista e parë që ai dilte në TV.
Deri më 2005 ai nuk kishte dalë asgjëkundi.
U mahnit nga pyetjet e mija.
Të nesërmen gjithë njerëzit flisnin për mua, por dhe për Edi Ramën.
E vlerësonin për guximin që doli përballë meje.
Dhe ai po merrte nga lavdia ime.
Prej aty, atij i lindi ideja të merrte PS-në pas humbjes së Nanos. Dhe ja ku është sot.
Ja çfarë i kam bërë me atë intervistë PD-së.
Nuk ja fal vetes kurrë këtë.
Tani ka TV-të e vet dhe nuk pyet më për mua, por unë e kam promvuar për herë të parë.”