Nga Howard W.French , World Politics Riview
Herën e fundit që ekonomia globale pësoi një tronditje të fortë, në vjeshtën e vitit 2008 në pragun e një krize bankare në SHBA, ishte Kina ajo që diktoi ritmin, si në izolimin e vetvetes nga pjesa më e madhe e dëmit, ashtu edhe në gjenerimin e mjaftueshëm të kërkesës së re në ekonominë e saj, për të parandaluar një rënie shumë më të keqe sesa e pësoi nga recesioni pjesa më e madhe të botës.
Edhe tani, vite më vonë, shkalla e reagimit të Kinës në atë kohë është kuptuar shumë pak. Siç e thekson historiani i ekonomisë Adam Tooze në librin e tij të vitit 2019 “Kolapsi:Si ndryshoi bota në një dekadë nga kriza financiare”, shteti kinez dha afro 1.2 trilionë dollarë ndihma midis viteve 2010-2012 në vetëm një provincë me përmasa modeste, atë të Hubeit, me një popullsi prej 57 milion njerëzish, sigurisht modeste sipas standardeve të Kinës.
“Marrë në një vlerë nominale, kjo do të thoshte se një provincë e vetme kineze me një popullsi sa ajo e Britanisë dhe me një PBB sa ajo e Greqisë, po përfshihej në një program investimi më të madh sesa çdo stimul fiskal i zbatuar ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara”- shkruan Tooze.
Programi kinez i investimeve emergjente, akordoi shuma të jashtëzakonshme në një plan kombëtar të infrastrukturës, duke e zgjeruar rrjetin e saj hekurudhor me shpejtësi të lartë, duke shtuar gjatësinë e rrugëve të shtruara me asfalt dhe aeroportet e reja.
Por kjo nuk është e gjitha. Jashtë Kinës është shumë më pak e njohur mënyra se si përfitoi Pekini nga ajo krizë për të investuar tek njerëzit e tij, pra tek mirëqenia e publikut, duke synuar veçanërisht grupe me të ardhura më të ulëta dhe ata që jetonin në varfëri ekstreme.
Sipas Tooze, Kina ndërtoi gjithashtu 2.000 spitale të reja rajonalë dhe 5.000 qendra shëndetësore, ndërsa e shtriu mbulimin e sigurimeve shëndetësore kombëtare nga 30 për qind në 90 për qind të popullsisë rurale, duke ndërtuar një numër mbresëlënës banesash të reja me kosto të ulët, duke u dhënë gjithashtu para kesh njerëzve të zakonshëm.
Përfundimet në të cilat mbërrin Tooze në lidhje me motivet që nxitën veprimet e Kinës në atë kohë, janë po aq të rëndësishme për strategjinë e rimëkëmbjes post-pandemike të presidentit amerikan Joe Biden.
“Duke pasur parasysh përfundimet gjeopolitike që janë të prirura të nxirren nga “parakalimi”që Kina po i bën Shtetet e Bashkuara, vlen të përmendet se mobilizimi i vitit 2008, nuk ishte pjesë e ndonjë masterplani.
Ajo ishte një përgjigje hiperaktive ndaj një emergjence të paparashikuar që e goditi Kinën nga jashtë. Ndikimi dramatik i atij stimuli financiar pati pasoja politike, gjeopolitike dhe ekonomike”- shkruan Tooze.
Për të qenë më të qartë se çfarë do të thotë kjo, pak para krizës së vitit 2008, PBB-ja e Kinës ishte afërsisht 1/3 e asaj të Shteteve të Bashkuara apo Bashkimit Evropian, e matur kjo me kurset e këmbimit në treg. Katër vjet më vonë, ajo ishte sa gjysma e madhësisë së ekonomisë së BE-së, dhe pak më pak se ajo amerikane.
Problemi është se për të konkurruar në ekonominë globale, askush nuk ka luksin që të flejë mbi gjethet e tij të dafinave. Dhe më mirë sesa çdo ekonomi tjetër e madhe në historinë e fundit, Kina ka dëshmuar përfitimet që kanë sjellë investimet mbi njerëzit e saj.
Pavarësisht nëse politikanët amerikanë e pranojnë apo jo, vetë Kina ka treguar mënyrën
më të mirë për të konkurruar me të. Nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se e gjithë politika ekonomike e Pekinit është pa të meta.
Por suksesi i asaj ka të bëjë me faktin se e ka kuptuar shumë mirë se konkurrenca globale në ditët e sotme, është mbi të gjitha një garë e fokusuar tek burimet njerëzore. Dhe të bësh mirë në këtë lloj gare kërkon investime të vazhdueshme në përditësimin e sistemit arsimor, aftësive dhe kushteve themelore të jetesës së popullsisë së gjerë, pa lejuar që pothuajse e gjithë pasuria e re të përqendrohet në duart e disave.
Ky në fakt është edhe drejtimi i përgjithshëm i paketës së re të Joe Biden prej 1.9 trilionë dollarësh në kuadër të krizës së shkaktuar nga Covid-19, i quajtur Plani Amerikan i Shpëtimit, si dhe pjesa tjetër e programit të tij për zhvillimin ekonomik.
Natyrisht, kjo përfshin edhe ambicien e Biden për të rregulluar infrastrukturën e lënë pas dore ndër dekada të Amerikës, së bashku me vënien e një theksi të fortë mbi atë që ai e quan “barazi”, gjë që do të thotë të bësh më shumë për të ndihmuar popullatat që historikisht janë diskriminuar ose u janë mohuar shanset për të ecur përpara.
Kjo e sotmja shënon herën e parë që nga vitet 1960 kur ulja e varfërisë ka qenë një theks i madh i politikës amerikane. Siç e kanë thënë shumë analistë ditët e fundit, ajo çka po ndodh tani ndihet si shfrenimi përfundimtar i vonuar i Reganizmit në Shtetet e Bashkuara.
Por në vend që të mendojmë për këtë në një mënyrë anakronike, është më e dobishme ta rregullojmë këtë në aspektin e konkurrencës në botën e së ardhmes së afërt. Dhe Martin Sandbu bëri pikërisht këtë në një artikull në “Financial Times”.
Paketa stimuluese e Biden, thotë ai “mund të mos jetë e dukshme nga hapësira, por sigurisht që është i përmasave planetare”, më shumë sesa 2-fishimi i parashikimit të rritjes ekonomike të SHBA-së përmes vitit 2021 në 6.5 për qind, sipas OECD, dhe vendosja e vendit në trajektoren për t’u rikthyer 3-4 vjet me herët në potencialin e saj të rritjes para-pandemike. Këtë javë, Goldman Sachs ishte akoma më i guximshëm, duke parashikuar rritje prej 8 për qind në ekonominë amerikane.
“Kjo justifikon supozimin gjeostrategjik që mbështet qëndrimin e administratës së Biden: rikuperimi i lidershipit të SHBA-së në botë, varet nga rindërtimi i forcës së saj të brendshme ekonomike”- thekson Sandu.
Por ajo që ai nuk e theksoi, është e një rëndësie themelore:se si e gjitha kjo po bëhet duke investuar tek popullata. Megjithatë, leksioni më i gjerë për administratën Biden është edhe më i rëndësishëm. Ashtu siç Kina nuk iu përgjigj krizës së vitit 2008 me një masterplan për dominimin global, por përkundrazi ndoqi përmbushjen e disa prej nevojave të saj më themelore, edhe SHBA duhet që të mësojë të konkurrojë me Kinën duke gjetur më shumë synime dhe përmbushje tek virtyti.
Kjo ide erdhi akoma më e qartë ditët e fundit, kur mediat raportuan se Uashingtoni po bashkohej me Indinë, Japoninë dhe Australinë për të rivalizuar me Kinën në sigurimin e vaksinave anti-Covid për gjithë Azinë .Ky mesazh duket si i panevojshëm dhe kundër-produktiv.
Mjafton që SHBA të bëjë gjënë e duhur duke promovuar shëndetin global në mesin e një krize si kjo. Në termat e fuqisë së butë, në zemër është virtyti i përpjekjeve të tilla ai që i forcon më shumë marrëdhëniet. Në çdo rivalitet të fuqisë së madhe, do të ketë gjithmonë vende ku kërkohet një reagim i drejtpërdrejtë.
Por synimi për të fituar pikë në kurriz të Kinës, duke e etiketuar atë si rivalen e errët në furnizimin e të mirave jetike publike, në këtë rast të vaksinave që janë thelbësore për t’i dhënë fund pandemisë, vetëm sa i saboton përpjekjet e Uashingtonit.
Kudo që ka mundësi, brenda dhe jashtë vendit, SHBA-të duhet të angazhohet për të zhvilluar refleksin e udhëheqjes në emër të së mirës publike. Në fakt, ajo duhet që ta duartrokasë publikisht Kinën kur e bën vetë këtë gjë.
Në këtë mënyrë, mund të zbulojë sesi fitohen më shumë miq dhe se si të ndikojë tek shumë njerëz në mënyra pozitive dhe të qëndrueshme. Por ndërkohë në lojën e gjatë të konkurrencës globale, ajo do të bëjë më shpesh atë që duhet bërë. /Përktheu: Alket Goce-abc