Sherret për pasurinë: Truket e burrave për të përjashtuar gratë nga pasuria pas divorceve

19 Mars 2021, 12:04Sociale TEMA

Ndarja e pasurisë bashkëshortore pas divorcit vazhdon të shkaktojë debate, që shkojnë në rastin më të mirë në dyert e gjykatave dhe në rastin më të keq në vetëgjyqësi.

Dokumentari Unpublished në Euronews Albania ndalet te problematikat e ndarjes së pasurisë mes çifitit dhe manovrat që përdorin burrat për të mos i dhënë pasuri bashkëshorteve.

Në 2020 janë zhvilluar në gjykatën e Tiranës gjithsej 14.500 gjyqe civile. Në çdo 40 gjyqe njëri ka qenë për mosmarrëveshje në ndarjen e pasurisë. Sipas ekspertëve problemi më i madh është mungesa e njohurive të qytetarëve për procedurat juridike.

“Nëse bën një analizë dhe vini në zyrën time për të parë 10 klientë që vijnë të ndryshëm dhe kërkojnë një akt noterial në fund të saj vetëm 70% të rasteve mund ta kuptojnë se pse e kanë atë akt noterial nëse ti nuk arrin t’ua shpjegosh dhe efektet juridike negative. Pra ata nënshkruajnë dhe mbeten të nënshtruar ndaj vullnetit që kanë nënshkruar dhe mund të shkojnë nëpër seanca gjyqësore,” – thotë noterja Elona Saliaj.

E drejta e pronës fitohet përmes këtyre procedurave; dhurimeve, trashëgimisë, si dhe blerjes së pronës. Të drejtat e pronësisë fitohen edhe nga martesa. Çdo pasuri e fituar gjatë martesës, nëse nuk është vetjake e njërit prej bashkëshortëve, bëhet pasuri e përbashkët.

Peronazhi ynë një grua e divorcuar rrëfen kalvarin e vuajtjeve, për të marrë pjesën e saj të pasurisë, pas ndarjes me bashkëshortin.

“Konflikti ka lindur mes meje dhe ish-vjehrrit. Unë jam ndarë nga bashkëshorti në vitin 2012 dhe vazhdoj të jetoj në të njëjtën shtëpi ku kam qenë me bashkëshortin. Ish-vjehrri tani ka hapur gjyq për të më nxjerrë nga shtëpija. Hapi gjyq në 2014-ën, ia pezulloi Gjykata Civile, pastaj hapi një tjetër sërish në 2015-ën, sërish Gjykata Civile ia pezulloi. U pezullua sepse në banesën ku jetoj unë edhe djali, është në proces legalizimi,” – rrëfen personazhi ynë që do të mbetet anonime.

Bashkëshortët përdorin truke të ndryshme për të përjashtuar nga pasuria tjetrin.

“Në rastin e ndërtuesve mund të jetë një ndërtuese i cili në shoqërinë e tij ka faktin që ndërton dhe ka shumë apartamente, ndërsa në pronësi të tij personale nuk ka asnjë apartament, por vijon të jetojë me qera. Bashkëshortja e trysura nga fakti se s’ka ku të shkojë edhe kur kanë konflikte jetojnë se bashku. Mospasja e një pasurie e tremb atë për të kërkuar divorcin,” – rrëfen noterja Elona Saliaj.

Shpesh gratë nuk regjistrohen në prona si bashkëpronare. Madje edhe në rastet kur pasuria është vënë nga të dy pas martese, sërish është vetëm burri ai që figuron në regjistrat e pronësisë.

“Probleme të tjera ka me keqpërdorimin e regjistrimit të pronave, të cilat ndodhin me regjistrimin fillestare kur investohen nga çiftet e reja, që e bëjnë në emër të burrit dhe kanë çelur konflikte familjare dhe kërkohet pjesë nga ana e pjesës takuese të pasurisë. Një pjesë nuk i pranon këto probleme dhe shkojnë në gjykata që krijojnë kosto reale dhe artificial, shpenzime etj,”- tregon për Unpublished në Euroneës Albania eksperti i pasurive të paluajtshme Gëzim Kodra.

Gjyqet për pasurinë renditen të dytët, në listën e proceseve që zvarriten me vite të tëra në dyert e gjykatave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje