Nga Hal Brands, Bloomberg
Kina fitoi dhe Amerika humbi gjatë pandemisë. Covid-19 nxori në pah dekadencën e demokracisë amerikane dhe ngritjen e së ashtuquajturës autokracia e mençur. Kjo ishte të paktën narrativa që fitoi terren kur koronavirusi i ri nisi të qarkullojë përreth globit në fillim të vitit 2020.
Por tani pas 1 viti të kaluar nën këtë pandemi, është koha qëta mendojmë këtë çështje.
Sigurisht, Covid-19 i shkaktoi SHBA-së një dëm të tmerrshëm, dhe zbuloi dështimet e saj të dukshme. Për muaj me radhë, Amerika dukej e paralizuar nga një pandemi të cilën rivalja e saj kryesore – Kina – kishte arritur ta vendoste nën kontroll dhe më pas ta shfrytëzonte si një shans ta artë gjeopolitik.
Por krizat e zgjatura në kohë, mund të kenë shumë faza. Tani jemi duke e lënë pas sulmin e pandemisë ku SHBA u duk e pafuqishme, madje mjerane, ndërsa Kina e portretizoi veten si të pamposhtur në sytë e botës. Ne jemi duke hyrë në një moment në të cilin Amerika është gjithnjë e më rezistente në shtëpi, dhe së fundmi po e udhëheq luftën për ta mposhtur Covid-19 në të gjithë botën.
Le të shohim katër çështje kryesore. Së pari, programi i vaksinimit në SHBA-së, është duke dhënë rezultatet e veta. Prodhuesit amerikanë të ilaçeve dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë, të ndihmuar nga operacioni “Warp Speed” i administratës së Donald Trump, zhvilluan vaksina të reja revolucionare në një afat kohor që më parë do të ishte i paimagjinueshëm. Ndonëse në fillim shpërndarja ishte paksa kaotike, tani Shtetet e Bashkuara po vaksinojnë mesatarisht 2.5 milion njerëz në ditë. Për këtë arsye, SHBA do ta arrijë më shpejt se Kina apo ndonjë vend tjetër i madh imunitetin e tufës.
Ndërsa SHBA po del me shpejtësi nga pandemia – dhe recesioni ekonomik që e shoqëron atë – në verën dhe vjeshtën e këtij viti, do të ndodhet në një pozitë të fortë në një botë
ende të shkatërruar nga koronavirusi. Dhe aftësia e jashtëzakonshme e këtij vendi për të përmirësuar veten falë inovacionit teknologjik, duhet të na nxisë të pyesim nëse deklaratat mbi vdekjen e rezistencës amerikane ishin ndoshta të parakohshme.
Së dyti, programi i vaksinave kineze duket disi dinak. Shumë kompani kineze patën një qasje të shpejtë dhe të pistë ndaj vaksinave, duke përdorur teknika relativisht jo të sofistikuara apo në disa raste duke i anashkaluar provat e Fazës III.
Kjo gjë e kombinuar me një incidencë të ulët (por sigurisht jo aq të ulët sa pretendon Pekini) të rasteve të reja me Covid-19 brenda vendit, i dha mundësi Kinën të praktikonte “diplomacinë e vaksinave”, duke i premtuar vendeve të huaja një numër të madh dozash.
E megjithatë, dashamirësia e Pekinit rrallë është ajo që duket në pamje të parë. Efikasiteti aktual i shumë vaksinave kineze është i pasigurt, dhe mund të jetë dukshëm më i ulët sesa pretendohej fillimisht. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, mjekët kanë filluar administrimin në mënyrë selektive të dozave të treta të një vaksine kineze, pasi dy të parat nuk po jepnin përgjigjen imune të dëshiruar.
Derek Scissorsi “American Enterprise Institute”,ka hipotezuar se Kina mund të jetë duke i shpërndarë me shpejtësi vaksinat e saj jashtë vendit, në vend se t’i përdorë ato në shtëpi, për shkak se qeveria nuk është e sigurt se sa mirë funksionojnë ato në të vërtetë.
Në çdo rast, numri i vaksinave që kanë shpërndarë kompanitë kineze në vendet e huaja shpesh, ka qenë shumë i vogël se ai i premtuar. Diplomacia e vaksinave e Pekinit mund të rezultojë të jetë diplomaci si ajo e maskave 2.0 – një fushatë që ofron shpeshherë produkte me cilësi inferiore, siç janë furnizimet mjekësore me defekte që Kina i shiti Spanjës dhe vendeve të tjera pranverën e kaluar.
Së treti, ndërsa Uashingtoni po hyn në lojë, po ndryshon edhe gjeopolitika e diplomacisë së vaksinave. Për pjesën më të madhe të vitit 2020, SHBA ka munguar në të. Por në dhjetor, Kongresi miratoi dhënien e 2 miliardë dollarëve për GAVI-in, aleancës ndërkombëtare të vaksinave.
Administrata e Joe Biden e ka shtuar kontributin e SHBA-së, taksa ka bërë publike një iniciativë përmes së cilës QUAD (Australia, India, Japonia dhe SHBA-ja) do të bashkëpunojnë midis tyre për të prodhuar në Indi 1 miliard doza vaksinash, që do t’u shpërndahen vendeve të Indo-Paqësorit.
Në një shkallë më të vogël, Biden u ka premtuar 4 milion doza vaksinash Meksikës dhe Kanadasë. Deri në fundin e këtij viti, ka të ngjarë që SHBA të mos ketë nevoje ta
trajtojë Covid-19 si një krizë të brendshme akute. Por mund ta trajtojë atë si një sfidë të vazhdueshme globale, e cila kërkon dhe shpërblen traditat më të mira të udhëheqjes së ndriçuar ndërkombëtare amerikane.
Në rast se nisma e fundit e QUAD është ndonjë tregues, ajo mund ta bëjë këtë gjënë mënyra që e forcojnë bashkëpunimin jo-konfrontues midis vendeve, të cilat ndihen të kërcënuara nga rritja e Kinës. Së fundmi, kur historianët ta studiojnë atë çka ndodhi vitin e kaluar, ata do të mrekullohen me suksesin e Kinës në shkatërrimin e mjedisit të favorshëm ndërkombëtar, që i dha asaj mundësi të ngrihej deri më tani, kaq shpejt dhe me kaq pak rezistencë.
Nga vitet 1990 e tutje, Kina përfitoi shumë nga fakti që shumë vende në botë, besuan se ishte në interesin e tyre ta ndihmonin atë të lulëzonte ekonomikisht dhe diplomatikisht. Ky besim ka qenë një nga viktimat e pandemisë.
Përmes papërgjegjshmërisë që e rrezikoi shumë botën në fillim të krizës, si dhe sjelljes së saj gjeopolitike agresive që nga ajo kohë, Pekini ka krijuar antitrupa të fuqishëm kundër rritjes së vet të vazhdueshme. Në më shumë se një duzinë demokracish të mëdha, pikëpamjet negative mbi Kinën janë më të larta sesa në çdo kohë në 2 dekadat e fundit.
Rivaliteti me Kinën është shndërruar një çështje ndërpartiake në SHBA. Pekini ka bërë armik vendin më të fuqishëm në botë. Gjithashtu, ai po inkurajon rrethimin e vet strategjik, pasi vendet nga Britania e Madhe në Indi dhe Japoni, po e vendosin rivalitetin me Kinën në qendër të axhendave të tyre të politikës së jashtme.
Por të mos shkojmë shumë larg me këtë argument. Një vend që ka pësuar 540.000 vdekje (dhe vazhdon akoma) nga Covid-19, vështirë se mund të mburret për një performancë të shkëlqyer. Pandemia ka nxjerrë disa probleme thellësisht shqetësuese në lidhje me polarizimin dhe mosfunksionimin politik në SHBA.
Por nga ana tjetër ajo na tregon se SHBA-ja, si në luftëra globale, ashtu edhe në një pandemi globale, ka qenë tradicionalisht një ekip që bën diferencën në pjesën e dytë të lojës:E fillon ngadalë, dhe më pas dominon përmes një përzierje të zgjuarsisë dhe burimeve shumë të mëdha.
Pandemia dëshmon se kombinimi i inovacionit në sektorin privat dhe politikën qeveritare, mund të prodhojë herë pas here rezultate mbresëlënëse. Ky shembull tregon edhe njëherë se përshtypjet e para shpesh janë mashtruese:Historitë e Luftës së Dytë Botërore të shkruara në shkurtin 1942, nuk do të ishin shumë të favorshme për SHBA-në.
Covid-19 ka ende disa surpriza të këqija përpara, ndoshta në formën e mutacioneve vdekjeprurëse, të rezervuara për Amerikën dhe botën. Por nga tani e tutje, ka më pak të ngjarë që ai të zbulojë dobësitë shkatërruese të SHBA-së,dhe më shumë që të reklamojë pikat e forta ende imponuese të këtij vendi. /Përktheu: Alket Goce-abc