Shqipëria pasi e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme fushatën kualifikuese për në Katar 2022 teksa mposhti Andorrën për tre pikët e para, tashmë do të sfidojë në Air Albania, në orën 18:00, favoritët e mëdhenj të grupit, Anglinë.
Kuqezinjët e trajnerit Edi Reja do të provojnë të befasojnë Kejn me shokë, e nëse do ia dilnin të merrnin një pikë, atëherë do të kishte më shumë shpresë për të ardhmen e eliminatoreve.
Gjithsesi, problemet te kombëtarja para ndeshjes me “3 Luanët” nuk mungojnë, duke qenë se Marash Kumbulla e ka të pamundur të jetë në fushë pas problemeve në gju, ndërsa në dyshim është edhe Odise Roshi.
Sa i përket pjesës tjetër të grupit është në gatishmëri, ndërsa pritet që këtë takim ta nisë si titullar edhe Armando Broja, 19-vjeçari që është rritur në tokën britanike dhe që me shpejtësinë e tij mund të zejë në befasi prapavijën angleze.