“Ti Fadil, ke abuzuar me korrektesën e shokut Manush dhe të gjitha kompetencat e Komitetit Partisë…”/ Takimi i panjohur i Enverit dhe Kapos me Paçramin në 30 mars ‘73

28 Mars 2021, 09:12Politika TEMA

Memorie.al publikon një dokumenta arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), që i përket 30 marsit të vitit 1973, ku ndodhet process-verbali i takimit të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos, me Fadil Paçramin, që asokohe ishte në funksionin e sekretarit të Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës (që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën), takim i cili bëhej me kërkesën e vetë Paçramit, pas akuzave të ashpra që kishte hedhur ndaj tij ‘udhëheqësi kryesor i Partisë’, në fjalën e mbajtur më 15 dhe 16 mars të atij viti në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku ai për herë të parë kritikoi Festivalin e 11 të Këngës në Radio-Televizion, duke hedhur akuza të rënda ndaj Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit, si: “fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë, që me veprimet e tyre kishin lejuar dhe përhapur një fryme liberale në art e kulturë”!

Nga Dashnor Kaloçi

“Le të flasim hapur, ti, Fadil, ke vënë në institucione të ndryshme kulturore të kryeqytetit një sërë kuadrosh, të cilët mbajnë qëndrime përbuzëse dhe mospërfillëse ndaj rregullave e disiplinës së Partisë, ndaj forumeve dhe autoritetit të saj. Unë flas mbi bazën e të dhënave të nxjerra nga ato që ke thënë vetë, ti i ke marrë në mbrojtje këta njerëz. Nuk je ti që u ke thënë shokëve të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës: “Çfarë doni ju që shkoni për kontroll në Kinostudio ose në Teatrin e Operës dhe të Baletit? Përse përziheni ju në këto çështje”?! Ti the se këto nuk janë vijë në punën tënde, por pika-pika bëhet vija. Pikërisht këto qëndrime që mban ti, paraqesin rrezikshmëri. Në qoftë se ti i rrumbullakos kështu çështjet, në qoftë se nuk i shpjegon drejt e sinqerisht ato, por flet me ton akademik edhe para meje, që Partia më ka ngarkuar me detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të saj, sigurisht e ke të vështirë të korrigjohesh. Ti e heq veten teoricien dhe mendon se mund të flasësh teorikisht, po mos i rrumbullakos gjërat. Më kanë thënë, gjithashtu, se ti në një mbledhje paske hedhur idera “të mëdha”, në të cilat bie në sy një lëmsh i madh ideologjik”. Kështu i’u drejtua mes të tjerash Enver Hoxha sekretarit të Komitetit të Partisë së Tiranës, Fadil Paçrami, gjatë një takimi me të në datën 30 mars të vitit 1973, ku ishte prezent dhe sekretari I Komitetit Qëndror të PPSH-së Hysni Kapo, (që në rrugë partie mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’), takim i cili ishte kërkuar nga vetë Paçrami, pas fjalës së Enver Hoxhës mbajtur në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor në datën 7 janar të atij viti, vetëm pak ditë pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion si dhe fjalës së mbajtur më 15 dhe 16 mars të po atij viti në mbledhjen e aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, (me temë: “Lufta ndaj qëndrimeve liberale në art e kulturë dhe ndikimi i tyre në jetën e vendit”), ku Enver Hoxha për herë të parë kritikoi Festivalin e 11 -të dhe hodhi akuza të ashpra ndaj Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, duke i bërë ata fajtorë dhe përgjegjës kryesorë për atë festival, etj. Lidhur me këto e të tjera, na njeh ky dokument arkivor ku ndodhet proces-verbali i takimit të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos me Fadil Paçramin të mbajtur më datën 30 mars të vitit 1973, të cilin Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë.

Proçes-verbali i bisedës së Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos me Fadil Paçramin, në 30 mars 1973

SHOKU HYSNI KAPO: Shoku Ramiz Alia foli në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, në muajin korrik, duke bërë atë punë që duhet ta kishe bërë ti. Po ti, që udhëhiqje punën kulturore dhe artistike në Tiranë çfarë bëre?

FADIL PAÇRAMI: Unë kam menduar ta ndihmoj deri në fund Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, megjithëse kjo nuk është puna ime.

SHOKU ENVER HOXHA: Përse nuk është puna jote?

FADIL PAÇRAMI: Sepse nuk e drejtoj unë punën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve.

SHOKU ENVER HOXHA: Kush të ka penguar ta drejtosh?

SHOKU HYSNI KAPO: Ti Fadil, si sekretar i Komitetit të Partisë të Rrethit të Tiranës, mendoj se duhet të ndikoje që organizata-bazë e Partisë të luante një rol më të madh në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve.

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo është një nga çështjet kryesore. Organizata e Partisë atje ka një rol të madh. Ju keni përgjegjësi për punën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, të Radio-Televizionit etj., sepse organizatat-bazë të Partisë, që drejtohen nga Komiteti i Partisë, e kanë për detyrë të udhëheqin tërë aktivitetin e këtyre institucioneve. Mirëpo Todi Lubonja, e ka eliminuar fare punën e organizatës-bazë të Partisë në Radio-Televizion, kështu ka bërë edhe Koço Vasili në Teatrin e Operës dhe të Baletit. Si thoni ju nuk duhet t’i shikojë Komiteti i Partisë këto shfaqje të rrezikshme? Vetë komunistët e këtyre organizatave janë ngritur e kanë thënë: Asnjeri nuk na ka pyetur ne për mbarëvajtjen e punës! Po Todi Lubonja, përse e solli Mihallaq Luarasin nga Korça në Tiranë dhe e vuri në punë në Radio-Televizion, pa ditur fare organizata-bazë e Partisë? E di që ju keni përgjegjësi për shokun Klimi, i cili u trajtua shumë keq dhe, për këtë shkak, kaloi një krizë të rëndë në zemër? Me çfarë të drejte u rrëzua vendimi i arsyeshëm i organizatës-bazë për shokun Klimi?

SHOKU HYSNI KAPO: Çështja e shokut Klimi u shtrua në muajin prill të vitit të kaluar dhe u vendos që të transferohej në Ndërmarrjen e Botimit të Librit Politik. Ky veprim ishte jashtë rregullave të Partisë. Kur u shtrua çështja në organizatën-bazë, komunistët bënë autokritikë për gabimin e bërë. Edhe sekretari i organizatës, i cili veproi siç i kishte thënë Todi Lubonja, bëri autokritikë dhe organizata vendosi të mos e aprovonte vendimin e transferimit të tij. Fadili, siç e ka zakon, nuk u flet komunistëve si shokë, por me arrogancë, gjë për të cilën është kritikuar. Ai u bën pyetje të tilla komunistëve të vjetër: Kush je ti?! — Unë jam komunist, — i është përgjigjur njëri, dhe e ka pyetur Fadilin: — Po ti kush je? Të tilla qëndrime mban Fadili dhe, kur i vihen në dukje, nuk pranon asgjë.

SHOKU ENVER HOXHA: Duke mos pranuar gabimet, tregon se je mendjemadh. Arroganca është mendjemadhësi. Mendjemadhësia është një ves i rrezikshëm me pasoja të rënda, sidomos për punën e komunistëve dhe të kuadrove.

SHOKU HYSNI KAPO: Unë, shoku Enver, mendoja se Fadili do të fliste ndryshe para jush. Kur erdhi tek unë, foli 15 minuta, kishte po këtë defter dhe po këto faqe që lexon këtu, lexonte edhe atje. Këto fjalë që tha këtu, m’i tha edhe mua në takimin që pata me të, prandaj e këshillova, duke i thënë: “Përpiqu ta kuptosh drejt fjalën e shokut Enver. Në plenum të thellohesh e të bësh autokritikë”, por Fadili edhe në plenumin e Komitetit të Partisë të Rrethit të Tiranës, tha të njëjtat gjëra. Atje i bënë 15 a 20 pyetje dhe mund të them se, plenumi nuk u kënaq nga përgjigjet e tij. Nga diskutimet që u bënë, Fadili dëgjoi shumë gjëra për liberalizmin e tij, për politikën e gabuar me kuadrin, për zbatimin jo në frymën e duhur të normave të Partisë, për arrogancën e tij, etj. Ky më në fund, tha: “Do t’i kem parasysh këto kritika që m’u bënë dhe do të thellohem në to”. Pastaj u ngrita e fola edhe unë.

SHOKU ENVER HOXHA: I pranove këto kritika në plenum?

FADIL PAÇRAMI: Unë thashë se këto kritika do të më ndihmojnë, se midis tyre ka gjëra që do t’i pranoj, po ka edhe të tjera që nuk do t’i pranoj. Këtu te ju erdha për të biseduar lidhur me kritikën që më bëtë në mbledhjen e komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ti mund të kesh ardhur për kritikën që të bëra unë, por duhet ta dish se ajo kritikë është e mbështetur në fakte të nxjerra nga veprimtaria jote, ndryshe unë nuk kishte arsye përse të të kritikoja. Kritika ime në adresën tënde mund të jetë e fortë, po ajo është e bazuar në shumë gabime e të meta që të kanë dalë në organizatat-bazë të Partisë, që të janë drejtuar nga shumë shokë. Më pas mund të dalin edhe gabime e të meta të tjera, por nga të gjithë ata që do të diskutojnë, do të ketë prej tyre që nuk do të bëjnë fjalë vetëm për ty, pse do të flasin edhe për veten e tyre. Për këto arsye ne vendosëm të mos e kufizojmë diskutimin vetëm në fushën e letërsisë dhe të arteve, por ta shtrijmë atë në të gjitha fushat e aktivitetit të Partisë. Këto probleme dhe shfaqje janë shumë serioze, prandaj në qoftë se nuk shikohen me kujdesin më të madh, atëherë gabimi do të bëhet më i rëndë. Nga qëndrimi që mban secili në këtë situatë shikohet nëse është apo nuk është me Partinë. Liberalizmi ka depërtuar në disa drejtime dhe është bërë jashtëzakonisht i rrezikshëm, prandaj shfaqjet e kësaj natyre duhet t’i zhdukim. Nga shfaqjet e liberalizmit, ç’është e vërteta u rëndua një çikë Partia, por zemra e saj është e gjerë dhe puna që bën ajo ka synime të gjithanshme. Në qoftë se në këtë luftë do të mbahen pozita të tilla si: “Thashë kështu e jo ashtu”, atëherë vendi ynë dhe socializmi do të jenë në situata të vështira. Ndaj bartësve më të theksuar të këtyre shfaqjeve Partia do të marrë edhe masa si, bie fjala, Todi Lubonja mund të dërgohet me ndonjë punë në një rreth tjetër, por çështja është që këto të meta të zhduken në masë nga ndërgjegjja e atyre njerëzve që i kanë. Me qëndrime të padrejta, që mohojnë gjendjen e vërtetë të gjërave, nuk ndreqen dobësitë. Unë dëshiroj që ty të të ndreqim në rrugë partie dhe kisha besim se do të thelloheshe më mirë në analizën e punës tënde, por ti akoma nuk e ke bërë këtë, megjithëkëtë, përsëri kam shpresë tek ti, duke të gjykuar si një komunist të vjetër. Gabimet që ke bërë duhet t’i shikosh, t’i analizosh mirë dhe t’i shpjegosh me pjekuri, me rrënjë e jo në mënyrë të përgjithshme e të sipërfaqshme, duke u shkuar gjërave anash dhe duke fshehur këmbët. Po të analizohen përciptas gabimet e tua, nuk do të mbetesh i kënaqur as ti, as Partia. Ti, nga tërë ato që të thuhen, pranon vetëm dy-tri raste, po nuk thellohesh në mënyrë serioze, përse i bëre qoftë edhe ato që vetë i pranon. Ky qëndrim meriton të shikohet me kujdes. Për ty, Fadil, ka pasur ankime, të cilat shokut Manush (Myftiu) i’a ka thënë shoku Hysni, prandaj, kur të tha Manushi, ti duhet të vije e të pyesje: Çfarë ankesash ka ndaj meje? Këtë duhej ta kishe bërë, ashtu siç kërkove për të ardhur tek unë. Menjëherë sa të tha shoku Manush, të vije e të bisedoje këtu, sepse kjo bisedë do të qe një ndihmë e mirë për ty. Ty të pengon gjendja shpirtërore për t’i parë të vërtetat siç janë. Ti ke gjykuar pak a shumë kështu: Me kritikën që më bëhet, nuk jam dakord, unë jam i pastër, prandaj s’ka arsye të vete të pyes se çfarë vërejtjesh kanë shokët për punën time. Po të kenë gjë me mua, atëherë le të më thërresin ata. Që të takohet komunisti me ne, kjo është shumë e mirë, bile kur ai e gjykon me vend, kërkon vetë të piqet me shokët e udhëheqjes së Partisë, lëre pastaj, kur i thonë se të kërkon Enveri apo ndonjë shok tjetër, që ai vjen menjëherë. Ti, edhe sikur të ishe me të vërtetë i bindur se nuk kishe bërë gabime, prapëseprapë nuk duhet të udhëhiqeshe nga ai koncept i gabuar, sipas të cilit ti, “në qoftë se të tjerët kanë qarje për mua, po të duan le të më thërresin”. Ky qëndrim nuk është drejtë. Gabimet që ke bërë nuk janë një, dy apo katër, por më shumë, prandaj i analizo me kujdes në ndërgjegjen tënde. Kritika që të bëra unë në mbledhjen e komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror, nuk mund të thuash se ishte e papritur, mbasi më parë ke pasur sinjalizime dhe këshillime, por i ke nënvlerësuar, sepse në të gjitha bisedat që ke bërë me shokun Ramiz e me shokun Hysni, sipas mendimit tim, ke mbajtur qëndrim prej mendjemadhi. Ke pasur ti shfaqje të mendjemadhësisë në marrëdhëniet e punës me shokun Manush?

FADIL PAÇRAMI: Unë mendoj se jo.

SHOKU ENVER HOXHA: Kurse unë mendoj se po. Shoku Manush është korrekt dhe i afrueshëm me njerëzit, por mirësjelljen e tij ti e ke kuptuar sikur të gjitha kompetencat e Komitetit të Partisë të Tiranës, ai t’i kishte kaluar ty për zbatim. Ti ke abuzuar në korrektesën e tij, duke krijuar mendimin e gabuar sikur vetëm ti ishe kompetent për ato punë, prandaj edhe ke kujtuar se ato që bëje ti ishin të drejta e të padiskutueshme! Mos harro se shumë punë i ke bërë pa Manushin. Kur ai të jepte pesë porosi, ti plotësoje vetëm njërën prej tyre. Kur të thoshte Manushi çfarë bën kështu ky apo ai, ti nuk mbaje qëndrimin e duhur ndaj tyre, por ishe i predispozuar t’i përkrahje dhe t’i mbroje ata. Këta elementë, duke i pasur krahët të ngrohtë nga ana jote, i përsëritnin dhe i shtonin vazhdimisht gabimet. Shoku Ramiz të ka udhëzuar kurdoherë drejt për shumë probleme, edhe për unitetin, por ti kishe hedhur farën e disunitetit e të përçarjes në rrethet letrare. Mendime të ndryshme mund të ketë, se pa mendime dhe kritika nuk mund të ecet. Shoku Ramiz të ka porositur që të luftohen mendimet e gabuara, të lihen mënjanë subjektivizmat e të tjera. Partia në rreth dhe organizatat-bazë të saj duhet të merren vazhdimisht me zbatimin e porosive dhe detyrave që u takojnë.

SHOKU HYSNI KAPO: Ti u kritikove në plenumin e Komitetit të Partisë të Rrethit se nuk e ke ndjekur rolin e organizatave-bazë të Partisë dhe nuk je vënë në krye të kësaj çështjeje. Unë nuk e di se me çfarë përshtypjesh dole ti nga plenumi, por mendoj se punimet e tij janë zhvilluar me të vërtetë në frymë partie, aty ka pasur kritika të rrepta, por ato kanë qenë të drejta dhe shoqërore, pa synime të këqija ambicioze. Nuk është e drejtë të thuash: “Nuk kam çfarë të bëj unë për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, pasi nuk jam drejtues i saj”, sepse ti e di që, si kudo, edhe atje drejton organizata-bazë e Partisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Pse ndodhën këto gabime në organizatën-bazë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve pikërisht në të njëjtën kohë që vërtetohen edhe lëshimet e tua edhe të Ibrahim Uruçit? Kemi të drejtë ta bëjmë këtë pyetje? Duhet të njohim përse u bënë këto gabime, ndryshe, siç thashë, nuk kemi si t’i korrigjojmë. Skema që ke përgatitur ti për analizën e gabimeve është shumë e thatë. Ti nuk pranon gabimet e rënda dhe nuk përcakton shkaqet e tyre. Mua, personalisht, nuk më jepet asgjë me këtë skemë që paraqet ti, prandaj, kur të diskutohen këto probleme në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë, të këshilloj t’u bësh një analizë të thellë e të drejtë. Ti ke punuar vetë në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe duhet t’i kuptosh mirë këto që po të këshillojmë. Me qëndrimin tënd autokritik shpresojmë që në Plenum ti do të ndihmosh veten dhe do të bindësh shokët se i ke kuptuar gabimet, ndryshe ata do të të bëjnë pyetje. Po përse të detyrohen ata të të pyesin kur do të jetë më mirë që ti t’i thuash të tëra vetë. Me kaq takimin e mbyllim.

13 komente në ““Ti Fadil, ke abuzuar me korrektesën e shokut Manush dhe të gjitha kompetencat e Komitetit Partisë…”/ Takimi i panjohur i Enverit dhe Kapos me Paçramin në 30 mars ‘73”

  1. Tirana says:

    Ai shoku, i kishte bolet kuadrat, burave qe e dridhnin bythen i kastronte. Shikoni tosin, thot dy fjal ne emision dhe ja mbath ne itali. Me vjen keq per budinen, po mos ishte prishur teatri ai do ta do bente edhe aleksander moisiun ti binte ne gjunje, tani budines edhe profesor gjeka ja mori nga duart recitimin.

    1. Na myten says:

      Ku po e sheh ti qe Paçrami ka dredhur bythën? Asgje nuk i pranon Enverit dhe Hysniut dhe ata kane hallin e te madh se pse ai s’ia vinte veshin vlonjatit tjeter Manush Myftiu. Eshte mese e qarte qe Fadil Paçrami s’ia pirdhte fare nje personi si Manushi. Iu nenshtrua fatit te paracaktuar.

    2. analisti says:

      Debati mes Fadil Pacramit dhe Enverit konfimon qarte 2 gjera: se pari, erresiren infernale danteske te padijes se Enverit edhe per konceptet me elementare te filozofise politike. Ne nje moment Enveri i thote Fadilit: “Ti nuk mund te jesh edhe ateist edhe liberal”, pra sipas Enverit ateizmi dhe liberalizmi jane gjera totalisht te papajtueshme. Por, ateisti eshte par excellenace edhe liberal, sepse ai qe nuk beson ne Zot dhe per pasoje nuk pranon as nuk u bindet udherimeve te Zotit, nuk ka asnje kufizim ne sjelljen e tij, pervec frikes dhe interesit njerezor, pra eshte “liberal”. Se dyti, friken e Enverit nga pushteti i te diturit si Fadili. Eshte nje moment tjeter ne debat, kur Enveri i thote Fadilit: “Po flet me ton dhe terminologji akademike”, dhe se “ne duhet te flasim per faktet”. Enveri i pafte per ta perballuar Fadilin ne ide dhe argument teorik, i thote te flasim per “faktet”, dmth te flasim per “thashethemet” dhe “spiunlliqet” qe Enverit ia kishin servirur kunder Fadilit servilet dhe injorantet. Enveri injorant ishte, por rrezikun e pushtetit te dijes e dinte, sepse te diturin e vertete nuk mund ta kontrolloje asgje as edhe nje rregjim kriminal sic ishte ai i Enverit. Enveri e dinte se, nese numri i te diturve si Fadili shtoheshin shume ne parti, atehere Enverit do t’i dilte me ne pah injoranca e tij, dhe keshtu nje dite te bukur do tia thonin edhe publikisht se je injorant. Prandaj Enveri mbante rreth vetes injorante dhe servile si Hysniu, Mehmeti, Manushi dhe eleminonte te diturit dhe kurajozet si Fadili. At Zef Plllumi ne nje nga veprat e tij thote: “Ne daten 29 nandor 1944, ata qe dinin shume deri ne ate date, ne ate date nuk dinin kurgja, dhe ata qe nuk dinin kurgja deri ne ate date, ne ate date i dinin te gjitha”.

  2. rexha 10 says:

    MORE KALOC; JAME SHUME KURIOZ TE NA TREGOSHE FJALIMIN E ENVER HOXHES NE MBLEDHJEN E 81 PARTIVE TE MBAJTUR NE MOSKE NE VITIN 1960 PERBALLE NIKITA HURSHOVIT NE LIDJE ME MBROJTJEN E TERRITORIT TE RPSSH TE ASAJE KOHE?????NUKE ESHTE ASPAKE NOSTALGJI ,PORE E DREJTA PER TA INFORMUAR SHQIPTARET.NDERSA NA SHPJEGON PALLAVRAT NDERMJETE KOKAVE TE BYROSE TE ASJE KOHE ,KUSHE E KUSHE TE KETE INFLUENCE ME SHUME NE DREJTIMIN E POPULLIT.TE NJEJTEN GJE BERI EDHE BERISHA ,ME ELEMINIMIN E AZEM HAJDARIT ,PJETER ARBENORIT,QE E QUAJTEN EDHE MANDELA E SHQIPERISE,GRAMOZ PASHKON,DERI TEKE ELEMINIMI I DEPUTETIT TE SHIJAKUT SOKOL OLLDASHIN.ME SALIN NE KRYE PER TE MBROJTUR EKZISTENCE E DREJTIMIT POLITIKE TE POPULLIT ,DESHE E FUTI POPULLIN NE LUFTE CIVILE.APO E HARROVE 96 SE C’FARE NDODHI.APO ME VENDOSJEN E NJE QEVERIE TE STABILITETIT NE VITET 90_91 ME KRYEMINISTER BASHKIM FINON.

  3. Tironci says:

    O gazeta lat historianet pa pun , mos hyni ne domenin e te tjerve , komunizmi dhe koha PPSHs i ka ngelur historianve , mjaft naj tundet perpara syve si gjen me te keqe per te justifikuar shkaterrimin tradhtin vjedhjet degjenerimin dhe çthurjen e kti populli me kta politikan zuzar te dal nga rruga e gjirizi e qe kan qeverisur kto 30 vjet anarshie totale , qe me ndimen e ambasades amerikane kan ngritur shtetin me te shemtuar e te korruptuar te planetit , kur na tundni para syve politikat dhe qeverisjen e PPSHs nuk na friksoni me çfar na kan par syt prej jush vagabondave te politikes 30 vjeçare , por na beni te mendojm qe jemi gabuar qe i kemi shar dhe at koh duhet ta mbajm mend si kohen me te bukur sado qe ishim keq , se paska patur me keq dhe shum me keq. Ne qe dolem kunder sistemit me çfar na kan par syt kto 30 vjet jemi ber ti kerkojm falje atij sistemi qe shkoj , dhe kte naj keni detyruar ju me tradhtit vjedhjet mashtrimet shkaterrimet degjenerimet intrigat dhe chdo lloj monstruoziteti qe nuk i rrok dot mendja njeriut , prandaj mos naj nxirni gjoi per te ber frik Enver Hoxhen se sa her naj nxirni aq her i kerkojm falje qe ju prum ju pushtave zagarve ne pushtet e ne politik.

  4. Brss says:

    Enveri ishte nje halabak e i pashpirt qe vriste pas krahve. Udheheqes qe nuk merrej me hallet e vendit po me llafet e njerit dhe tjetrit. Ndertoi nje shqiperi qe sa u hapen portat, u shkermoq e s’mbeti gje prej saj. Vetem idiotet nuk e kane kuptuar dhe e vlersojne akoma.

  5. Brss , komenti juaj eshte ma se briliant , por une deshiroj te shtoj nje fjale para fjales halabak , besoj se i shkon shume fjala provukues i jashte zakonshem (kujto festivalin ) e pak ma vone ne emer te partise qe ne fakt ishte vetem ai kjofte largu urdheronte arrestime e vrasje te nje pas njishme te ish shokeve te tij pamvaresisht se shume nga ata e paten merituar …. Te vertetat shume here jane te hidhura , suksesi i atij sistemi u pa ne 90en , kalbje totale e shtetit , edhe ma keq e trurit te shume njerezve pershfi fatkeqesisht nje pjese te mire te intelektualve te asaj kohe , ja shiko , sot akoma ka shume tru bunkere edhe pse kane kaluar 30 vjet nga shembja e njerit prej sistemeve ma anti njerezore pse jo te botes , se per ne Europe as qe behet fjale ….Respekt per Brss , e pa diskutim per Temen qe i boton keto kujtime te cilat brezi i sotem e ka te veshtire ti besoi ……

  6. zgalem says:

    Dihet se Fadil Pacrami , kishte kulture dhe edukate , shume me larte se Enveri , Hysniu , Manushi, Ramizi e te tjere shoke te tyre . Nuk mund te duronte me koke te ulet sugjerimet e tyre . Po qe se Enveri , me shoket e tij te ngushte , qe permenda , me siper , do kishte zbritur tek Fadili , dicka do te ishte bere me ndryshe ne ate burg te erret te Enverit me shoke . Enveri e quan Fadilin mendjemadh . Nuk ka pasur dhe as do te lindi nene shqiptare , me mendjelli se Enveri , Hysniu e co . Ajo diktature , qe instaluan Enveri me co , kishte qellimin final , qe ata dhe familjet e tyre te mbanin Shqiperine , nen kerbacin e diktatures dhe te siguronin parajsen , per familet e tyre . Dikush ka thene se shteti pas monizmit ishte me i ndyre . Nuk eshte shteti ,l qe duhet , por nuk krahasohet me diktaturen me shtazarake te botes , ku nje Enver sundoi 50 ,vjet . Pushtetaret e sotem , sado te kene te meta , kane arritur aty me aftesite e tyre , qe shpesh here jane te prashta . Eshte per te falnderuar Kaloci , per keto materiale , qe te gjykoi brezi i ri se cila ishte ajo diktature . Zgalem

  7. Shqiptari says:

    Alabak ishin tradhtaret dhe bashkepuntoret e te huajve qe luftonin kunder vendit tyre , Enveri ju beri njerez se nuk njifnit breket ju gjeti si ne kohen e Skenderbeut kafsh dhe ju beri europian ju morrave te tradhtarve qe nuk meritonit atdhe Enveri e ngriti nga Aja tek zhja kte vend ju beri ju beri njerez u mundua se ju nuk beheni njerz kurr , futi ne bug ata qe shkelen ligjin dhe tradhatrve i dha çfar meritonin , 50 vjet ju morrave ja u futi koken ne byth .

  8. Ska says:

    S’mora vesh ku dhe c’fare ishin ato gabimet e renda te F. Pacramit

    1. Na myten says:

      Se nuk ia pirdhte Manush Myftiut. Ku ishte gabimi. Nese pati ate hov arti midis ’65-’73 ndodhi sepse ishin nje grup qe e lane partine jashte puneve te artit. Por jo se ia kishin partise me te futme. Ishin pak me te lire se c’duhet dhe kjo s’i rrinte mire Enverit dhe Hysniut.

  9. Doli perseri nje tjeter i semure mendore , sigurisht me semundjen e sheqerit , e kam fjalen per Shqipe k…rin . Kam nje pyetje , ne se nuk do te kishim fatin super te keq te drejtohemi nga psikopati si edhe NARCISISTI i Gjirokastres , por do te udhehiqeshim nga nje njeri pro perendimit, a nuk do te ishte te pakten vendi jone si Mali i zi ose Maqedonia , e pse jo edhe shume ma mire . Sinqerisht duket i pabesuar efekti super i madh qe ka pase ai sistem ne trurin tuaj , njeriu i ri i sistemit te kofte largut , jo me kot ju krahasoheni me islamiket fare e keqe komuniste …. Pyetja e fundit , po themi qe i beri ato qe thote Shqipek ..ri , por a duhej qe vendi te rrethohej me tela me gjemba , a duhej qe te pushkatoheshin pothuuajse te gjithe te shkolluarit jashte , a duhej qe te shkaterrohej prona private pra tu rrembehej pasanikeve ,kur ne vendet e civilizuara prona eshte e shejte , a duhej qe shqipetari te burgosej per nji fjale goje , ose po themi arratisej dikush nga parajsa socialeshe , e pastaj denohej edhe femija ne djep normale kjo !!!!!!??????? ka shembuj pa fund por po perseris edhe nje qe me revolton jashte mase e pak kush e permend , ketu e kam fjalen per racizmin e tmerrshem nga diktatura komuniste per fshataret skllever , nejse u zgjata shume , ju kurr nuk mund te ndryshoni tru bunkere …

  10. a says:

    ..ajo qe ndodhi ne fillim te viteve 70, ishte nje skenar, i perdorur me pare ne Kine, ku Mao, ne fillim i inkurajoi te lulezonin, 100 lulet e 100 shkollat, dhe pasi i evidentoi , i masakroi me pas. Enveri, ne bisede me A.Meron, 1972 kerkonte te kompozohesh tek ne muzike si e “Mines dhe Minos (Reitano)…e me pas organizoi plenumin e 4 , me gjithe pasojat qe dime.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje