Pacientët shqiptarë me COVID-19 hasin vështirësi me rimbursimet

7 Prill 2021, 17:22Sociale TEMA

Ministrja e shëndetësisë e Shqipërisë ka thënë se të gjithë pacientët me COVID-19 që trajtohen në shtëpi do të rimbursohen për ilaçet që blejnë gjatë trajtimit të tyre, por marrja e parave ndonjëherë ka rezultuar e pamundur.

Nga Fjori Sinoruka

Lumturi Shatku mezi e nxjerr muajin me pensionin e saj, por kur atë e zuri koronavirusi muajin e kaluar, lufta e saj për mbijetesë financiare u bë edhe më e vështirë.

70-vjeçarja, e cila kaloi 35 vjet duke punuar si inxhiniere, tha se ajo shpenzoi rreth 500 euro për ilaçe ndërsa vuante nga koronavirusi, por shpresat e saj për të marrë rimbursimin e premtuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama janë zhdukur .

Në nëntor të vitit të kaluar, Ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirlliu, tha se të gjithë pacientët me COVID-19 që trajtohen në shtëpi do të mbështeten financiarisht.

“Qeveria shqiptare ka vendosur të rimbursojë të gjithë pacientët me COVID-19 që marrin trajtim mjekësor në shtëpi. Të gjithë qytetarët, ata që kanë sigurime shëndetësore dhe ata që nuk janë të siguruar, do të përfitojnë nga ky vendim”, premtoi Manastirliu.

Megjithatë Shatku tha për BIRN se ajo u bë e pakualifikueshme për rimbursim sese nuk iu dha një kos që është i nevojshmë për të aplikuar përmes portalit qeveritar e-Albania.

“Nuk aplikova për rimbursim sepse mjeku i familjes duhet të më kishte dhënë një kod, sipas ligjit. Nuk mora një recetë apo kod”, tha ajo.

“Ka shumë njerëz si unë, por lavdi Zotit që kisha simptoma të lehta”, shtoi ajo.

Të sëmurët e tjerë shqiptarë me koronavirus gjithashtu ankohen se nuk kanë marrë rimbursim.

Një 30-vjeçar nga qyteti jugor i Vlorës, duke folur në kushte anonimiteti, i tha BIRN se ai dhe dy anëtarët e tjerë të familjes së tij nuk mund të bënin kërkesë për t’u rimbursuar sepse mjeku i tyre u përshkroi ilaçe që nuk ishin në listën e miratuar për rimbursim.

“Kam kërkuar rimbursim, por pa sukses”, tha ai.

Kompensimi “nuk përputhet me kostot”

Një studim nga Together for Life, një OJQ shqiptare që përqendrohet kryesisht në çështjet shëndetësore, tha se kostot që një person ose një familje duhet të paguajë janë shumë më të larta sesa rimbursimi që ajo familje apo person mund të marrë nga qeveria.

Deri më tani, 126,531 njerëz në Shqipëri kanë rezultuar pozitivë për COVID-19, 2,265 kanë humbur jetën dhe 93,842 janë shëruar.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili është përgjegjës për rimbursimin, tha për BIRN më 26 mars se deri më tani janë rimbursuar shpenzimet e 6,563 personave.

Sipas skemës, nëse një mjek familjeje vendos që një pacient ka simptoma “të lehta” COVID-19, ata mund të rimbursohen deri në 1,650 lekë (13 euro). Nëse mjeku vendos që një pacient ka simptoma “mesatare”, ata mund të rimbursohen deri në 19,900 lekë (161 euro). Mjeku është përgjegjës për bërjen e aplikimit për rimbursim përmes portalit e-Albania.

Por sipas studimit nga Together for Life, kompensimi i ofruar nuk përputhet me kostot reale.

“Trajtimi në shtëpi, blerja e ilaçeve dhe çdo nevojë tjetër (pajisje për matjen e nivelit të oksigjenit, terapi me oksigjen) u kushton familjeve shqiptare pothuajse të ardhurat e një muaji vetëm për një javë për një pacient, duke i vënë ato në vështirësi serioze financiare”, thotë studimi.

Bazuar në llogaritjet e paraqitura në studim, kostoja e trajtimit për COVID-19 në fazën fillestare, para se të shfaqen simptoma serioze, është deri në 3,000 lekë (24 euro), ndërsa pas shfaqjes së simptomave serioze, kostoja mund të shkojë deri në 43,000 lekë (348 euro).

“Por çmimi i ilaçeve dhe ekzaminimeve nuk janë kostoja e vetme që duhet të paguajnë pacientët me COVID që trajtohen në shtëpi. Një pacient me COVID-19 i cili ka gjithashtu nevojë të bëjë injeksione, duhet të mbulojë gjithashtu koston e shërbimit në shtëpi nga një infermiere, e cila në Tiranë kushton deri në 10,000 lekë (81 euro) në ditë”, thotë studimi.

Skema e rimbursimit gjithashtu nuk mbulon kostot e testeve laboratorike dhe skanerave për diagnostikimin dhe monitorimin e progresit klinik të pacientit, të cilat sipas studimit kushtojnë deri në 332 euro në total.

“Ky vendim nga qeveria, megjithëse u përpoq ta lehtësonte këtë barrë, në të vërtetë nuk i plotëson nevojat reale të familjeve shqiptare”, tha për BIRN Denisa Canameti nga Together for Life.

Canameti pohoi gjithashtu se “shumë pak qytetarë” kanë përfituar nga skema dhe sugjeroi që publiku nuk ishte informuar si duhet për atë që ata mund të pretendojnë, si dhe kur.

Ajo tha se “ka pasur raste kur pacientët shkojnë të kërkojnë rimbursim pasi kanë kaluar sëmundjen”, kur ata nuk kanë më të drejtë të aplikojnë.

Zyra e Avokatit të Popullit gjithashtu ka vërejtur se numri i pacientëve që kanë përfituar nga skema e rimbursimit është shumë e ulët krahasuar me numrin e përgjithshëm të njerëzve që janë infektuar.

“Në një rekomandim drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, Zyra e Avokatit të Popullit ka kërkuar masa të menjëhershme për të zgjeruar paketën e barnave për trajtimin e njerëzve të diagnostikuar me COVID-19 të cilët trajtohen në shtëpi, duke përfshirë testet laboratorike dhe ekzaminimet imazherike për diagnostikim dhe monitorim të progresi klinik të pacientit”, thuhej në një deklaratë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje