"I merr vota së djathtës" reagon kreu i BD në Shkodër: Votat e qytetarëve s'jua ka lënë trashëgim baba

8 Prill 2021, 11:59Politika TEMA
"I merr vota së djathtës" reagon kreu i BD në

Kryesuesi i listës së Bindjes Demokratike në Qarkun e Shkodrës, z. Tonin Uldedaj, i është përgjigjur akuzave të kundërshtarëve të tij politik në Shkodër, të cilët akuzojnë Bindjen Demokratike se po merr vota nga elektorati i Partisë Demokratike. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, z. Uldedaj shprehet se vota e qytetarëve nuk është një trashëgimi që lihet nga të parët, por një element likuid që shkon në përgjigje të kërkesave dhe pritshmërive të qytetarëve, dhe ekzistenca e partive si Bindja Demokratike vjen pikërisht si nevojë e një alternative më të përshtatshme për votuesit.

Më poshtë mund të gjeni postimin e plotë të z. Uldedaj

“Në fillim mendoj se duhet me u paraqitë para jush, duke qenë se nuk jam kandidat i stërvitun ndër lista deputetësh dhe partish: Unë jam Tonin Uldedaj, malësor, me origjinë nga Bajza e Kastratit, lindë e rritë në Velipojë, me lidhje të shumta familjare, miqësore e biznesi me Shkodrën.

Në zgjedhjet e 25 prillit kandidoj në listën e Bindjes Demokratike për qarkun e Shkodrës. E kam për herë të parë një sfidë të tillë në nivel kombëtar. Domethanë, edhe pse i di disa gjana për politikën, pasi kam qenë i angazhuar në nivel vendor, po përballem me disa ‘gjetje’ të reja.

Më poshtë më lejoni të parashtroj tre qëndrime që i ndesh në takimet me zgjedhësit. Herë më duken si provokime, herë si reagime të çiltra dhe ndonjëherë thjesht si rënie pre e fushatave të dizinformimit që partitë kryesore bajnë në shpinë të forcave të reja.

Sot dua të flas për të parën, që përmblidhet në frazën “i merr vota të djathtës” (dy të tjerat janë “ndihmon Edi Ramën” dhe “çfarë ofron ti; çfarë do të bësh nëse e merr mandatin?”).

Filli i mendimit që përshkon reagimin ‘i merr vota të djathtës’ mua më duket diktatorial dhe i padrejtë.

Diktatorial sepse e konsideron vullnetin që del nga vota si të dhënë njëherë e përgjithmonë dhe të pandryshueshëm. Të dashur shkodranë dhe bashkatdhetarë: është bash e kundërta. Vullneti i votës nuk është kategorik, por likuid (i lëngshëm, i lëvizshëm). Përndryshe nuk do të kishim zgjedhje për çdo dy vjet, njëherë për pushtetin vendor dhe njëherë për qendrorin. Nëse votat që ka e djathta, dhe ato që ka e majta, do të ishin vota përkatësisht dhe absolutisht të së majtës dhe të së djathtës, ne nuk do kishim nevojë të shkonim në zgjedhje, të bënim fushata që kushtojnë, që e rrisin presionin politik dhe social mbi votuesin etj. Thjesht do të numëronim edhe njëherë votat e 2017 dhe do të vazhdonim kështu siç jemi e këtu ku na kanë pozicionuar zgjedhjet e para katër viteve.

Mrekullia e demokracisë kjo është: mosdija se e kujt është vota, e të majtës apo të djathtës, e PD, PS apo ndonjë force tjetër. Unë dhe Bindja Demokratike nuk jemi krijime artificale, por thirrje të nevojës politike, sociale e kulturore për një alternativë. Ne ekzistojmë pikërisht për faktin se nuk dihet se e kujt është vota. Vota është vendim personal dhe jo një proces kolektiv.

Për të gjitha sa shkrova ma lart më duket e padrejtë t’u injektosh votuesve paragjykimin se aksh kandidat apo parti merr votat e të djathtës apo të të majtës. Secili merr votat e veta dhe ato që nuk mundet të marrë, apo humbet, partia apo kandidati tjetër.

Një nga gjërat që u kërkoj votuesve shkodranë është refuzimi i atyre që u thonë se vota jote është e të majtës apo të djathtës. Jo, vota është e jotja dhe vendos ti se çfarë do të bësh me të.
Ata që mendojnë se vota i shkon automatikisht këtij apo atij krahu, janë bash ata që mendojnë se vota jote për ta është e mirëqenë, se vota jote u takon atyre, se j’ua ka pas lanë baba trashëgim etj.

Pra, janë ata që e shohin votën tande si pronësi, jo si besim, jo si kontratë. Apo siç e kemi ne në veri, jo si besë e dhanun.

Mos u fyeni prej atyre që mendojnë se vota jote nuk kushton asgjë, ose kushton 50 mijë apo 100 mijë lekë!”

4 komente në ““I merr vota së djathtës” reagon kreu i BD në Shkodër: Votat e qytetarëve s’jua ka lënë trashëgim baba”

  1. Këlyshët komunistë të Saliut says:

    Respekte Uldedaj,
    Uroj të fitosh ne Shkoder. Nuk mundet Edi Rama me pupacët e Berishës we akoma kane mentalitet komunisti, por hiqen si te djathte. PD vetem e djathte nuk eshte.
    Sikur te gjithe votuesit e djathte te votojne grupin e djathte te Patozit, Topallit dhe Rudina Hajdarit (Nisma Thurje), me 26 Prill Shqiperia do jete vend me i mirë, sepse do qërohen mbeturinat komuniste qe ka mbledhur rreth vetes Sali Katunari.
    Rama dhe PS as me duhen fare, dhe nuk jam punë me ta sepse kane elektoratin e tyre. Po moren vota, ju lumtë.
    Problemi im eshte me komunistët e Saliut qe uzurpuan PD-ne dhe mbajne Ramën ne pushtet, sepse trembin popullin si gogol anti-demokratik, bashke me aleatet e tyre te qelbur LSI-ne e Kryemadhit dhe Metës.
    Pupaci i Berishës dhe Kryemadhi ne qeveri!!?? Pu pu pu pu pu pu, do thoshte si drejtori i Jovan Bregut, ndjesë pastë.

  2. Konjak says:

    Ju , s’eshte se jeni fajtor per terheqjqn e aq votave sa mund te terhiqni , nga te djathta drejt se msjtes ; sepse edhe e majta parti shqiptare eshte , dhe s’ka asnje problem . Votat juve nuk eshte se ju duhen per te qeverisur popullin ; por ju duhen per te qeverisur thesin qe doni ta mbushni me para ndermjet votave . Mirpo kushdo qe mund tju hedhe voten juve , ben keq vet-vetes , me mire dhe me e ndershme eshte qe ato vota –mos ti cojne dem — por tja hedhin PS-es , sepse aty se paku kane vlere . Fisnik eshte cilido qe forcen e tij , s’e perdor kundra shoqerise ku jeton , por e perdor me shumicen , prandaj voten tuaj –kush ka ndermend te votoj parti fantazem — nese sja hedhni PD-se hidhjani PS-se , te pakten te justifikoni perkrahien qe u jep shoqeria .

  3. Tr says:

    PD ESHTE NDARE NE 5 THELA, NATYRISHT QE VOTAT DO TE SHPERNDAHEN NE CDO THELE. PYETJA ESHTE SA PERQIND I MBETET LULI BASHES NGA ATO VOTA???!!! ?

  4. Pokeristi says:

    Z.Uldedaj!Prononcimi juaj tingellon i sinqerte,ipranushem dhe i besushem.Se di ne çfare zone do kandidoni por i gjithe qarku i Shkodres,gjithmone ka qene i veshtire.
    Sot eshte mjaft konvecjonal koncepti i majte a po idjathte,veçanerisht ne Shqiperi,ku praktika e ketyre 30-të viteve “të demogkracise “e denigroji,e degradoji plotesisht kete koncept.Pa medyshje ne Shqiperi eshte me e djathte e majta se e veteshpallura e djathtë.
    Sot dhe kurdohere njeriu duhet te votoje per te miren,per te bukuren,per garancine e asaj qe premtohet dhe sa pritet te realizohet.
    Dhe shpesh njeriu i gjore eshte si ajo gjethja qe e merr era dhe s’di ku e le.
    Ju uroj sukses ne rast se ndiheni vertet i djathte,gjithmone ne koncept jo ne rradhitje fizike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje