Rinasi, në kontekstin e menaxhimit të sigurisë (pas ‘lajthitjes’ së ‘të stresuarve kolektivë’)

13 Prill 2021, 18:14Politika TEMA

Nga Kristaq Xharo*

Një ngjarje kritike që mori vëmëndjen e të gjithëve, një dilemë e menaxhimit të sigurisë në rast ‘stresi’. Rinasi nuk është thjesht objekt i rëndësisë së veçantë, por edhe një nga pikat më nevralgjike e komunikimit të vendit me botën, dhe si cdo aeroport pika ku ‘fillon e mbyllet’ zinxhiri i sigurisë së shtetit. Nëse atje në Rinas cenohet qytetari, shteti, por edhe komunikimi me botën, jo vetëm siguria, por edhe shteti vihet përballë provës dhe aftësisë për menaxhimin e situatave kritike të sigurisë. Emergjenca dhe domosdoshmëria për analizë dhe përgjegjësi të plotë, është mënyra e vetme për të reduktuar  premisat e përsëritjes së rreziqeve në të ardhmen aty apo në sektorë të tjerë kritikë.

…………

Rinasi, më sjell në kujtesë një ngjarje të 24 vite më parë. Duke pritur, në orët e vona të Prillit 1997, një nga linjat e  rralla, që nuk i ndërprenë fluturimet,  Austria Airlines, takohem rastësisht me Roland A, oficer policie në Rinas. E kujtoj të veshur me antiplumb e helmetë, që mbante një Mitraloz të Lehtë (ML-56) me shiritin e fishekëve, të gatshëm për zjarr. Rolandi, një skraparlli 24-karatësh, që pak kish ndryshuar, që nga shkolla e famshme ushtarake ‘Skëndërbej’, shërbente në Rinas ku prej disa netësh rresht qëndronte në vendroje, në atë që quhej Kulla e Kontroll- Komandimit.  Breshëritë sporadike të të shtënave gjatë netëve, që  vinin nga jashtë aeroportit,  mbushur edhe me lajme për sulme mbi aeroport  kërkonin përqendrimin maksimal edhe pse në kushtet e skajshme të stresit e lodhjes maksimale. Kishin ditë nën tension dhe pa asnjë kontakt me familjen.

Duke e ditur që 15 km më larg, në Tiranë, gati  gjithë institucionet kishin  rënë, aq sa edhe qeveria e përkohshme nuk po arrinte të gjente ministra,  e ngacmova për vullnetin për detyrën.  Më mbeti në mendje përgjigja  “…në Tiranë mund të bien e ngrihen sisteme e qeveri, por këtu në Rinas, ku është porta e hyrjes dhe largimit, bie vet shteti…”. Ishte plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë, kur ngjitej në Kullën e Kontrollit, pozicioni më dominant i luftimit, ku do të gdhinte së bashku me kolegët,  nën stres edhe netë të tjera.

Nuk paguhej ndryshe nga ushtarakët e tjerë e që kish muaj pa e marrë pagesën me të cilën mbante fëmijët, gruan dhe prindërit. Por, stresi, jo nga pagesa, i vinte nga meraku për shiritat e mitralozit pasi edhe atë natë prisnin sulme të tjera nga të çmendurit…  Dhe Kulla e Kontrollit u ruajt, aeroporti nuk heshti, kur edhe retë e shiut ja kishin lënë vendin reshjeve të plumbave.. Është në nderin e kujtdo,  që hyn e del në atë objekt si punonjës apo si udhëtar të njohë historinë e atij vendi, të Rolandit dhe gjithë shokëve të tij, policë e punonjës të aeroportit.

…………….

Paradoksi ndodh 24 vjet më vonë, kur Kulla e Kontrollit, e gjithë aeroporti do të shurdhohej. Aq sa dallova nga ekranet shumica e të ‘stresuareve kolektive’ ose nuk kishin lindur ose luanin me gëzhoja në vitin e mbrapshtë ’97. Ndaj ose nuk njohin asgjë, ose pak ju intereson historia dhe vlera e atij objekti, aq më pak që  tani, që janë në kulmin e ‘stresit kolektiv’, të shkaktuar nga virusi ‘euro’ me pasojë sindromën e paaftësisë psiqike (jo fizike). Urojmë që simptoma e ‘stresit kolektiv’ të  kontrollorëve të jetë e izoluar, dhe vetëm për ata me paga mbi 4 milion, pasi besoj se nuk ka të tjerë, ndryshe, pasojat do të ishin kritike nëse ky virus prek edhe policët e ushtarakët edhe zjarrfikësve,  bukëpjekësve, punonjësve të ujësjellësit, që për nga rreziku në punë dhe dëmet që mund të sjellin kalojnë shumë herë më shumë se ‘të stresuarit kolektiv’. Larg qoftë nga bluzat e bardha heronjtë unikë në këtë kohë që nën stresin e njerëzve që ju ‘përplasen’ çdo ditë, të veprojnë njëlloj si të rinjtë kontrollorë.

…………..

Në dilemat për analizë. Ndryshe nga ngjarjet e tjera urojmë që ngjarja e Rinasit të mos humbasë në intervalin ‘3 ditor’ e pastaj të harrohet sikur nuk ka ndodhur kurrë. Ajo ka nevojë sa për reagim aq edhe për analizë. 7 prilli ndodhi, Kulla ra, dëmi direkt apo anësor u ndje nga të gjithë. Ngjarje të tilla edhe pse shumë të rralla kanë ndodhur edhe në disa shtete. Modeli i reagimit pothuaj ka qenë i njëjtë. Modeli Regan, spanjoll apo polak i reagimit pak ndryshojnë. Në pamundësi të përkohshme për këtë model alternativë, kërkesa për asistencë vendeve partnere është më se logjike.

Për analogji është në të njëjtën linjë edhe me kërkesën që i drejtuam NATO-s në vitin 2010, kur në mungesë të kapaciteteve ajrore, aleanca ju ka dhënë mision dy shteteve anëtare (Itali dhe Greqi) plus Turqi të vëzhgojnë dhe ruajnë hapësirën tonë ajrore. Në kushtet e menaxhimit të sigurisë predominon siguria e individit, shtetit dhe vetë aleancës. Kontrollorët nga këto vende mund të jenë më se të mirëpritur për aq sa të mundësojnë lidhjen tonë me botën nëpërmjet ajrit dhe për aq kohë sa të përgatiten kapacitete profesionale dhe morale, përfshirë edhe ato alternative.

Një çështje tjetër që afrohet në debate është edhe kategorizimi i ngjarjes ose më thjesht a u cenua siguria kombëtare. Ka tre opinione për pyetjen. Dhe të treja lidhen me ndjesinë ndaj ngjarjes. Së pari, në referencë me konceptin e sigurisë që dominonte deri në fund të Luftës së Ftohtë për të gjithë shtetet pavarësisht nga sistemet apo ombrellat, kur siguria ishte ndjesia për të ruajtur sovranitetin territorial nga një shtet armik. Prekja e kufijve, lufta, përballja dhëmbë më dhëmbë ishin tiparet dominuese të këtij koncepti të sigurisë. Në këtë kontekst, pra në konditat para Luftës së Ftohtë, ngjarja e Rinasit edhe pse e rëndë nuk e rrezikonte sigurinë kombëtare.

Së dyti, koncepti aktual i sigurisë kombëtare, që zuri fill diku pas viteve ’90,  bëri pjesë të vet edhe sigurinë humane dhe tashmë në dokumentet zyrtar të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare siguria kombëtare ka si pjesën e vet më substanciale sigurinë humane me shtatë kategoritë e saj: ekonomike, shëndetësore, mjedisore, ushqimore, fizike,  komunitare dhe politike. Dokumentet strategjike edhe  të vendit tonë, përfshirë ‘Strategjinë e Sigurisë’ apo edhe një numër ligjesh që lidhen me sigurinë ndihmojnë për të marrë përgjigje nëse : u cenua siguria kombëtare atje në Rinas?

Në Rinas u cenua individi, komunitetit, shteti, por edhe më tej. Jo vetëm se u prekën qytetarë të mbetur në aeroport apo rrugët e botës,  avionë që sillnin udhëtarë apo medikamente mjeksore, u  devijuan korridore ajrorë ndërkombëtarë, deri sa edhe u vunë në dyshim kapacitetet tona operacionale dhe logjistike në funksion të  NATO-s. Të gjitha këto janë standarde të sigurisë kombëtare… Pas kësaj kushdo mund të jap përgjigje nëse u cënua siguria kombëtare.

Është ky kontekst që jep argumente qe në Rinas u prek siguria kombëtare.  Është edhe një opinion i tretë që vjen kryesisht nga ‘gjithologët’ apo analistët të cilët nën rikoshetat edhe të fushatës elektorale, qëndrimin e tyre nuk kanë nevojë ti referohen ndonjë teorie apo konteksti  dhe për pasojë mund të kenë çdo lloj qëndrimi. Është e vështirë të përkufizosh këto pozicione.

……….

Dhe në fund,  për tu rikthyer tek ‘aktorët’ kryesorë në skenë, pjesëtarët e ‘stresit kolektiv’. Shenja  të dukshme të sindromës së stresit duket se lidhen me mungesën e konceptimit të përgjegjësisë përtej aftësive teknike, paaftësinë apo papërgjeshmërin e theksuar për të konceptuar pozicionin si shërbim ndaj shtetit dhe shoqërisë, pozicionin tepër të ‘përkëdhelur’ në trajtim dhe idenë e gabuar se qëndronin mbi ligjin dhe moralin, që i çoi dhe në veprim të fajshëm.  Ata humbën dukshëm besimin për pozicione kaq delikate dhe në kushtet e mos menaxhimit të këtij lloj ‘stresi’ dhe vështirë se japin garanci për rezistencë psikologjike në situata edhe më të tendosura…

Pavarësisht kësaj, ata  nuk mund të ngjyrosin gjithë aktivitetin e punonjësve që merren me menaxhimin e hapësirës ajrore. Ata janë disa dhjetëra herë më shumë, jo vetëm në numër,  por edhe në përkushtim, që nuk i dallon asgjë nga sektorët e tjerë: bluzat e bardha, emergjencat civile, forcat e rendit e forcat e armatosura, shërbimet komunitare e të tjerë, që  jo vetëm  menaxhojnë stresin, nuk njohin orar, me pagesa shumë herë më të ulëta, por i bëjnë ballë vështirësive.

Në rastin e Rinasit, pas ‘lajthitjes’ së ‘të stresuarve kolektivë’ mund të jetë një moment që të shërbejë për të vlerësuar nevojën për alternativa zgjidhje, por edhe për  strategji  afatgjata të cilat marrin në konsideratë kapacitetet, aftësitë dhe  dobësitë, por edhe kontekstet që mund të çojnë në rreziqe të e brendshme, veçanërisht në fusha kritike.

*Lektor në Çështjet e Sigurisë, në Universitetin Europian  të Tiranës

10 komente në “Rinasi, në kontekstin e menaxhimit të sigurisë (pas ‘lajthitjes’ së ‘të stresuarve kolektivë’)”

  1. Ndre Perlati says:

    Bravo profesor Xharo. Një analizë profesionale,me logjike dhe arsyetime të hekurta e të pakundershtueshme. Kontribut me vlerë po e bëj share pa leje….
    Pergezime

    1. pjeter says:

      Edhe une jam dakord me ty,,besoj se ka nevoje vetem per tu falenderuar. Analizat e Nanos,Vangjelit e Qafokut mbi ate c’ka ndodhi ne Rinas, pas kesaj analize,ngelen thjedht analiza te personazheve me perdinalitet medioker,qe nuk jane ne gjendje ti quajne gjerat qe ndodhin me emrin e tyre,ndoshta nga frika se ju humb “statusi” si “ANALIST I PAVARUR” dhe keshtu edhte me e lehte,” te gjithe kan faj,e asnje nuk eshte fajtor”

    2. k says:

      Këto janë pasojat kur vendos në pika strategjike shtetërore,maloket e saliut.

  2. Rrespekt ,
    Nji nder rastet e rralla qe lexojm ne gazetat shqiptare ,qe perben vertet sens .
    Nji Shkrim ,
    qe trajton vertete shqetesimet ,e momentit dhe i flet
    Realitetit te brishte mbi konceptin, Pergjegjesi ne Detyre e Shtet …

  3. Besniku says:

    Nje analize brilante, Thjesht :Sindoma kolektive e stresit tek kontrolloret e Kulles, lidhet teresisht me mungesen kolektive te perceptimit te pergjegjesise.
    Me krahasimin qe i respektuari Kristaq Xharo i ben rastit te Marsit te 2021, dhe prillit te 1997, kur qielli mbulohej nga plumbat,
    krahasimit te pergjegjshmerise se larte te nje oficeri qe kishte kohe qe nuk merrte rrogen e tij te zakonshme, ne krahasim papergjeshmerine e ketyre punonjesve, te trajnuar dhe liçensuar ne Angli apo diku tjeter jashte, me parate e shtetit, qe edhe pas shkurtimit ,jmarrin rroga shume te larta, tregon gjithshka.
    Ne se ne pune , çfaredo lloji qofte,ne radhe te pare, nuk udhehiqesh nga ndjenja e detyres, pergjegjesise ndaj saj, asnje arsye nuk justifikon dezertimin.
    Vetem diçka desheroj te shtoj :
    Objektivisht ka ndryshim shume te madh midis Oficerit te nderuar Roland, qe kishte mbaruar shkollen ushtarake Skenderbej, dhe me siguri dhe shkollen se bashkuar E Hoxha, ku edukoheshin me fryme patriotike dhe besnikeri ndaj atdheut, me keta punonjes te perkedhelur te futur ne pune me miqesi, qe si duket nuk kane devocion para vendit.

    1. Frangu says:

      Po, Besnik.
      Patologjia e simulimit të stresit kolektiv ËSHTË sindromë e papërgjegjshmërisë kolektive.
      Bjerrje kolektive si rrjedhojë e zvetënimit moral të individit qysh në rrënjë.
      Vaj medet! Quo vadis, homo albanensis?

  4. cipini says:

    Analize perfekte, nuk do as edhe nje presje.

  5. Tirana says:

    KRISTAQ XHARO, KE FOLUR SHQIP, ME NJE ANALIZE TE FORTE ZOTNIE DHE SHQIPTARI ME MENT EDHE PER TE TJERET.

  6. Tirona says:

    Dicka shume te rendedishme nuk u prek ne kete shkrim, nuk u prek stresi qe do te kene vazhdimisht udhetaret, pilotet qe do te ulen dhe do te ngrihen nga rinasi, ekuipazhet e avjonave me udhetare qe fluturojne mbi hapsiren ajrore shqiptare duke qendruar nen ankth se mos pesojme ndonje kastastrofe ajrore sepse nga kulla e vrojtimit jkontrollohemi nga kontrollore te stresuar, stresi i kontrolloreve per cudi te te gjithve u iku brenda 24 oreve se brenda ketyre oreve Ata rifilluan pune!!!!!!!??????? Ndersa tek drejtuesit e avjonave dhe i udhetareve Stresi do te qendroje deri sa te zevendesohen keta kontrollore qe u vetdeklaruan te Stresuar. AlbKontrolli duhet te beje nje reforme te thelle administrates se saj, Ajo duhet te nisi aplikimet per te mare punonjes te rijne dhe kushti nr1 per ti pranuat ne pune te jete qe mos te kene lidhje familjare,farefisnore me poltikane dhe pushtetare te niveleve te larta sheterore apo te jene te antaresuar ne ndonje parti politike dhe mbasi keta te tranohen dhe te jene te afte per te kryer detyren te ulen ne karriken e kontrollit ajror duke zevendesuar Ata qe ishin te stresuar, atehere te gjithve Ne do te na largohet stresi sepse e dime qe nga kulla e vrojtimit drejtohemi nga njerez te rijne te pa kapur nga politika dhe nga pushtetaret. Asnjeri nuk e pyeti Ministren Balluku se a duhen te qendrojne te stresuar udhetaret, se a duhe te punojne nenstres ekuipazhet e avjonave qe fluturojne mbi hapsiren ajrore shqiptare dhe qe ulen e ngrihen nga Rinasi se jane duke u drejtuar dhe kontrolluar nga kontrollore te stresuar dhe qe kane mbrshtetje nga politikane dhe pushtetare?

  7. Alba.ny says:

    Një nga alternativat më efikase për të mos ndodhur gjëra të tilla dhe për të mos u prekur siguria kombëtare është vënia një orë e më parë në funksionim i aeroporteve të Kukësit, Vlorës dhe pse jo, Kuçovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje