Pse në Shqipëri nuk mund të ketë një garë dhe rivalitet si ai midis Boris Johnsont dhe David Cameron

15 Prill 2021, 09:36Blog TEMA

Nga Mustafa Nano

Në këtë monolog dëshiroj t’ju kallëzoj shkurtimisht historinë e marrëdhënies mes dy politikanëve të njohur, Boris Johnson-it e David Cameron-it. I pari kryeministër i Britanisë së Madhe në ditët e sotme, dhe i dyti ish-kryeministër në të njëjtin vend. Kanë qenë gjithë kohën miq. Por edhe rivalë. Kanë frekuentuar të njëjtën shkollë të mesme, Eton College, që është një nga shkollat më të mirat në botë. Më pas, ndoqën studimet në të njëjtin universitet, në Oksford. Gjatë studimeve në shkollën e mesme Boris Johnson ishte një nxënës më i mirë sesa tjetri. Ndërsa gjatë universitetit ndodhi e kundërta. Ishte David Cameron që ishte një student më i mirë sesa Boris Johnson.

Mbas studimeve universitare, që të dy u përfshinë në politikë, u bënë pjesë e Partisë Konservatore. Në vitin 2001, që të dy u zgjodhën njëherësh anëtarë të parlamentit britanik. Dhe ishte pikërisht në Dhomën e Komunave ku ata bënë me dije, shpalosën faqe botës, rivalitetin mes tyre, që ndërkohë ishte i moçëm. Në vitin 2005, David Cameron, pa mbushur ende 40 vjeç, zgjidhet kryetar i Partisë Konservatore. Ka shumë vëzhgues në politikën britanike që dëshmojnë se pikërisht në atë moment, Boris Johnson ka provuar një dhimbje të paprovuar më parë, për shkak të suksesit të tjetrit. Por ai diti ta fshehë atë.

Ai nuk e bëri veten, nuk e prishi miqësinë. Të dy nuk e prishën miqësinë. Ata vazhduan të frekuentonin njëri-tjetrin edhe në shtëpitë e tyre. Madje, në shtëpinë e David Cameron ndodhi që ky i fundit i tha, në prani të George Osborn-it, ministër i Financave në qeverinë e mëpasshme të Cameron-it: “I dashur Boris. Ti je inteligjent, dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Por ti ke dy limite sipas meje: je shumë gallataxhi dhe je pak dembel. Dhe janë dy limitë që nuk të favorizojnë në përpjekje për t’u bërë një lider nacional. Prandaj, unë të sugjeroj që ti të mendoje për t’u bërë kryetar i Bashkisë së Londrës.” Ishte viti 2007 dhe David Cameron ishte vetëm kryetar i Partisë Konservatore. Nuk ishte bërë ende kryeministër.

Nuk dihen motivacionet, por një vit më pas, Boris Johnson kandidoi për postin e kryebashkiakut të Londrës dhe fitoi. Madje, ai fitoi edhe një mandat të dytë në vitin 2012. Si kryebashkiak ai shkëlqeu.  Ai la shenjë. Dhe për këtë shkak ai fitoi prestigj dhe fuqi. David Cameron-it, i cili ndërkohë ishte bërë kryeministër, nuk i pëlqeu kjo gjë. Ai e kishte këshilluar mikun e vet që të bëhej kryetar Bashkie, me idenë që ai do të dobësohej politikisht. Sepse David Cameron ishte i sigurt se si kryetar Bashkie, Boris Johnson, për shkak të limiteve të tij, do të dështonte. Por ai nuk dështoi. Ai doli shumë i fuqishëm.

Ndërkohë që David Cameron ishte kryeministër i Anglisë, ai filloi të rivalizonte mikun e tij brenda Partisë Konservatore. Sa herë që bëheshin konferenca partie (dhe në politikën britanike, konferencat e partive janë një traditë fantastike, sepse u japin mundësinë shumë njerëzve të dalin në skenë dhe të afirmohen, të promovohen – gjë e cila fatkeqësisht nuk ndodh në Shqipëri), salla e mbushur plotë mezi priste fjalimet e Boris Johnson-it dhe David Cameron-it. Ishte një interes i jashtëzakonshëm. Boris bënte përshtypje me natyrën e tij të shpërpjestimuar, të ekzagjeruar, me stilin spektakolar, ndërsa tjetri bënte përshtypje me urtësinë dhe inteligjencën e pabujshme. Ishte një konservator tipik.

Thuhet se kur David Cameron ishte kryeministër, dhe Boris Johnson ishte kryetar bashkie, ky i fundit i bën një vizitë në zyrë. Motivi ishte i qartë. Dëshironte t’i kërkonte disa fonde nga qeveria për Bashkinë e Londrës. Por përgjigjja që mori e befasoi. Ai i tha: “Jo!” Vëzhguesit politik thonë se kjo “jo” ishte e lidhur me faktin se David Cameron nuk donte që tjetri të arrinte sukses në krye të Bashkisë së Londrës. Sepse fondet që ai kërkonte do ta ndihmonin atë ta rriste suksesin që ndërkohë e kishte arritur. Dhe ky lloj suksesi do t’i jepte kredenciale politike të rëndësishme, gjë e cila do t’ia bënte më të lehtë Boris Johnson-it ta rivalizonte brenda Partisë Konservatore David Cameron-in.

Pasi mori këtë “jo”, Boris Johnson-it i ngelën sytë mbi një copë letër me një shënim, mbi skrivani, dhe zgjati dorën, nga kureshtja, për ta marrë. Por në fraksionin e sekondës u zgjat edhe dora e tjetrit për mos ta lanë. “Stop,” i tha ky i fundit. “Ti e ke zakon që i fut duart në punët e të tjerëve.” Por Boris nuk e lëshoi. Ndërkohë të dy po grindeshin për një copë letër. Madje për disa sekonda, e panë veten në dyshemenë e zyrës së kryeministrit britanik, në Downing Street No. 10. Kjo ishte një ngjarje fantastike.

Kjo ishte një anekdotë që mua më pëlqen shumë. Për faktin se që të dy, shumë vite më pas, ua tregonin këtë ngjarje miqve të tyre të përbashkët dhe secili e jepte fundin në versionin e vet. “Në fund,” ia bënte njëri “letra mbeti në duart e mia.” “Jo,” ia bënte tjetri. “Letra mbeti në duart e mia.” Kjo ishte shenjë e një rivaliteti shumë të shëndetshëm, shumë të bukur, sipas meje.

Kur David Cameron donte të kandidonte për herë të dytë si kryeministër, pasi kishte shpallur publikisht idenë e vet, i bie telefoni dhe nga ana tjetër e linjës ishte Boris Johnson. Ai i tha: “I dashur David, unë të uroj suksese. Por nëse humbet, mos e bëj shumë për të madhe. Unë do të jem këtu. I gatshëm për të zënë vendin tënd.”

Beteja e fundit e të dyve ka qenë referendumi mbi Brexit. Sapo David Cameron shpalli referendumin dhe qëndrimin e vet në favor të idesë se Britania e Madhe duhet të mbetej pjesë e Bashkimit Europian, në celular i vjen një mesazh, i cili lexonte: “Hej, David. Mos harro se unë jam në llogoren tjetër. Jam përballë teje.” Ishte Boris Johnson. Në fund të referendumit u shpallën rezultatet dhe kauza e David Cameron-it humbi. David Cameron humbi. Ai dha menjëherë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryeministrit dhe nga posti i kryetarit të Partisë Konservatore. Në harkun e pak muajve, në të dyja këto poste u zgjodh një person tjetër, i cili quhej Boris Johnson.

Dikujt mund t’i duket si një sherr politikanësh shqiptarë, por kurrsesi nuk është i tillë. Nuk është absolutisht i tillë. Ky është një rivalitet i bukur në çdo pikëpamje. Dhe në Shqipëri nuk mund të ketë kurrë një lloj gare dhe rivaliteti të tillë midis njerëzve. Për të pasur një rivalitet të tillë, ne do të duhej të kishim shumë gjëra. Do të duhej të kishim një lloj rekuizite të plotë me qindra e mijëra elementë të nevojshëm për një rivalitet të bukur, përsëris.

Pra, për ta pasur një rivalitet të tillë do të duheshin, përveç të tjerash, norma dhe rregulla loje. Dhe përveç kësaj, do të duhej një lloj mirëkuptimi dhe zotimi për t’i respektuar këto rregulla loje. Do të duheshin edhe njerëz, të cilët në vend të goditjeve poshtë brezit, në vend të sjelljeve rrugaçërore dhe harbute, në vend të goditjeve pas shpine, do të duhej të demonstronin skofi, skrupuj, klasë, elegancë.

Këto janë gjëra që mungojnë në jetën politike dhe publike shqiptare. Në jetën politike dhe publike shqiptare mungojnë shumë gjëra, por mbi të gjitha mungojnë këto që sapo nënvizova, dhe po i përsëris: mungojnë skrupujt, skofitë, klasi dhe eleganca, që janë pak a shumë e njëjta gjë. Prandaj, në Shqipëri nuk mund të ketë kurrë një garë dhe rivalitet si ai midis Boris Johnson-it dhe David Cameron-it.

10 komente në “Pse në Shqipëri nuk mund të ketë një garë dhe rivalitet si ai midis Boris Johnsont dhe David Cameron”

  1. asd says:

    Ha ha ha. Nuk jane as Borisi dhe as Davidi…dhe nuk jane as anglezet ne xhiro.

  2. Katarakti 2 says:

    Muci, ka filluar te merret edhe me politike te madhe!

  3. Arian says:

    I nderuar Zoti Mustafa,

    E lexova me vemendje shkrimin tuaj elegant dhe vertet jam ne nje mendje me ju. Ndoshta nuk ka lidhje me shkrimin tuaj si permbajtje,
    por ajo qe me ben pershtypje eshte perdorimi i pa vend i disa fjaleve te huaja kur nuk eshte e nevojshme, pasi mund te gjenden ne fjalorin e shqipes fjalet e sakta per ate qe kerkoni te pershkruani.
    Keni perdorur fjalen skofi e cila per hir te se vertetes nuk gjendet ne flalorin e gjuhes shqipe.
    Nese ju keni patur ndermend te perdorni flalen ” scoff ” qe ne gjuhen angleze nenkupton fjalen “perqeshje”, “tallje” pa keqdashje, athere gjykoj qe perdorimi eshte disi i pavend. Kjo sepse pa dashje ju beheni shkaku qe ta perdorin edhe te tjere pas jush dhe pak nga pak kjo fjale e huaj fiton qytetarine e perdimit ne shqip. Me keqardhje verej se shpesh burimi i ketij fenomeni behet shpesh shtypi dhe vecanerisht foltorja e Parlamentit, ku perdorimi i pavend i fjaleve te huaja paramendohet si cfaqe e kultures se thelle te perdoruesve te tyre. Ne fakt e kunderta eshte e vertete.
    Per fat te keq kjo ka ndodhur me disa fjale qe tashme publiku nuk mendohet gjate ne perdorimin e tyre, sikurse eshte fjala e huaj “implementim” kur ne gjuhen shqipe eksistojne fjale si “zbatim” etj, te cilat duheshim perdorur per te ruajtur te paster gjuhen shqipe aty ku mundet.
    Duke ju uruar sukses ne punen tuaj, mbetem me shprese te mos keqkuptoni verejtjen time dashamirese.

    1. Martthew KARNITSCHING says:

      Mutch Nano nuk di te kopjoje. Eshte origjinal:Provokacia, Albanistan. Eshte Anglo-sakson nga katundet e Skraparit.

  4. Nardi says:

    Muci e paska ngaterruar pak se kur iku Cameron e mori Tereza May po nejse ??

  5. Olimpia says:

    . Muci… Kjo qe ti enderron lidhet me zhvillimin kompleks te vendita dhe shoqerise. Ne radhe te pare duhet te jesh nje vend Industrial me nje borgjezi, klase punetore dhe inteligjence teknike te zhvilluar. Ne 91…94 barbari Berisha shkaterroi ate strutture ekonomike dhe shoqerore e cila me ngritjen e borgjezise se re do te plptesonte nje hapsire moderne zhvillimore. Shkaterrimi I industrise dhe si pasoje perzenia nga Shqiperia e resurseve njrezore te afta ishte vdekja klinike e Shqiperise. Te tjerat Jane pasoja.Edhe politika primitive eshte pjelle è saj.

    1. mik says:

      Mendoj qe ja fut kot moj vajze. Ju ka ngel goja tek Berisha. Nese Berisha eshte fajtor, po 3 milion shqiptaret e tjere cfar bene, heroizem ? Berisha ishte njelloj si 3 milion shqiptaret e tjere, vetshkaterrues. Fatkeqsia jone ishte komunizmi. Ne nuk kishim buk me hanger e ti thu Berisha. Komunizmi prodhoj dhe po prodhon te gjitha situatat tona mbas viteve 90 e ktej, sepse nuk jemi te afte te dalim prej saj. Nuk kemi kapacitet me kerku te miren per veten tone. Ne zgjedhim kryeminister dike qe del bythjasht ne publik, dike qe ne numer me shume eshte divorcuar se ka ngrene kafshata buke. Do me thuash se cili moral e pranon kete ?.
      Pastaj strukturat ekonimike !! Per cilat struktura e ke fjalen ti ? Ne nuk kishim breke ne bythe e ti flet per strukture ekonomike.
      Per cilen borgjezi e ke fjalen ti ? Shqiperia kurre ne historine e saj nuk ka pas borgjrzi. Cfar eshte borgjezia, diplome fakulteti ? Merr diplome dhe krijohet borgjezia ? Borgjezia eshte kohe shekullore moj vajze e nuk krijohet ashtu si mendon ti.
      Te fajsojme X-in apo Y-in, dhe ky X dhe Y te te qarkulloje i lire nga ti doje qejfi, kjo nuk fajson ato, por fajson ne radhe te pare ty, fajson 3 milion shqiptare qe nuk i duhen gja as dreqit, e jo me vendit te tyre.
      Ju ka ngel mendja Berisha Berisha, dhe ai ka vite qe nuk ka asnje funksion.

      1. Pali says:

        Ti mik qe ma ta heq m behesh ik shiko pasurin e zenit e te argites e pastaj krahaso berishen me 3 milion shqiptaret e tjere se te hish ne politike me 0 leke e te ikesh me miliona $ dmth qe ke vjelle leket e 2999999 shqiptareve.

  6. mik says:

    Sigurisht qe e ka perkthyer. Nano nuk ka interes, as mundesi te bej nje studim rreth ketyre dy figurave politike angleze.
    Edhe perkthimi i ketij artikulli nuk eshte se ndihmon ne ndonje gje !! Ne rrethanat ku ndodhemi nuk besoj se ky artikull mund te gjej interres ne publik. Nuk ka lidhje me ne. Anglia eshte shume larte. Nano e ka shkruar vetem per te ushqyer egon e vet per tu duk si anglofil. Perhere ka tendenc ta shfaq kete gje. Them kete, sepse krahasimet qe Nano pretendon me ba, nuk jane te drejta, nuk nxajn vend. Nano per me ba krahasime, duhet me gjete shembuj nder shtete qe na afrohen ne dhe jo Angline me histori demokrarike prej disa shekujsh, e cila pa frige mund te konsiderohet si udheheqese e demokracise boterore.
    Ne kete rast Nano pretendon shume, por nuk percjell gje tek lexuesi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje